Postuar më: 23/06/2016

Reformat rikthyen trendin pozitiv të rritjes ekonomike. Bankat, më shumë hapësirë për kreditim.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj mori pjesë sot në Konferencën e Katërt Financiare organizuar nga Banka e Shqipërisë me pjesëmarrjen e partnerëve financiarë ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë në vend.

Në fjalën e tij Ministri përmendi disa nga masat kryesore të ndërmarra nga qeveria në tre vitet e fundit me qëllim garantimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme duke përmirësuar në të njëjtën kohë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e vendit.

“Për më tepër, këtë vit projektojmë një suficit primar prej +0,5% duke i qëndruar nga ana tjetër angazhimit tonë për të ulur‎ borxhin publik në raport me PBB nga 72% ne 2015, në poshtë niveli të 60%. Përmes implementimit të reformave strukturore kemi mundësuar një progres të rëndësishëm në drejtim të menaxhimit të financave publike. Ne presim një përmirësim të mëtejshëm të Balancës primare, në funksion të uljes së borxhit dhe kostove të tij”,- tha Ahmetaj.

Ministri permendi disa nga risitë kryesore të Ligjit të ri Organik të Buxhetit, i cili sikurse theksoi Ministri, sjell një filozofi të re, duke e bërë këtë qeverinë e parë në 25 vite që disiplinon me ligj vetveten në menaxhimin e financave publike, përmes kufizimit të shpenzimit të deficitit në një vit elektoral dhe detyrimit për të mos krijuar borxh të ri.

“Me këtë ligj, përmes rregullit të përgjegjshmërisë fiskale, kemi thyer një traditë të keqe të 25 viteve kur qeveritë kanë përdorur financat publike në funksion të qëllimeve dhe egove politike në vitet elektorale” – tha Ahmetaj‎.

Sot kemi provuar se i qëndrojmë fjalës së dhënë dhe jemi serioze në përpjekjet tona për realizimin e reformave të rëndësishme dhe të vështira, për të cilat qytetarët shqiptarë kanë sakrifikuar në tre vitet e fundit, me qëllim që ekonomia shqiptare më në fund ta linte krizën mbrapa dhe të niste një kapitull të ri të konsolidimit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike – tha Ministri.

Ai përmendi reformat në sektorin makroekonomik e financiar, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që kishin arritur në nivelin 5% të PBB, reformën në pensione për të cilën Ahmetaj tha se më në fund po bëhet e mundur lidhja e kontributeve me përfitimin, reformën e rëndësishme në sektorin energjetik, refor‎mën administrative territoriale dhe së shpejti, siç tha Ministri, shpresojmë të kalojmë reformën në drejtësi e cila është thelbësore për sektorin financiar.

Sa i takon risqeve në sektorin financiar, Ahmetaj tha se së bashku me Bankën e Shqipërisë, Bankën Botërore dhe FMN, janë ndërmarrë një sërë nismash të rëndësishme me qëllim krijimin e një sektori financiar të shendëtshëm dhe mirë funksional.

“Ministri dhe Ministria e Financave është koordinatore e strategjisë së qeverisë për uljen e nivelit të kredive të këqija në ekonomi. NPL është përmirësuar nga 22,9% në 19,2% me synimin për të arritur 15% në fund të 2017” – tha Ministri, i cili u fokusua gjithashtu tek miratimi i ligjit të ri për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Mbulimi i depozitave të garantuara është zgjeruar dhe të tjera fonde të rëndësisihme janë vënë në dispozicion të Agjencisë. Ndërsa ligji i ri për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare ka adresuar një sërë problematikash të së kaluarës, duke rritur pavarësinë dhe përmirësuar efektivitetin dhe metodologjine.

Duke u ndalur tek ekonomia reale Ahmetaj tha se padyshim ajo është shumë më mirë sesa perceptimi i publikut dhe sipërmarrjes.

“Dikur ekonomia shqiptare rritej me 5%, ndërsa niveli i kreditimit ishte tejet i lartë. Imagjinoni sot, me kreditim pothuajse të munguar, ekonomia shqiptare rritet në nivelet afër 3%‎ dhe ky është reflektimi i të gjithë asaj përpjekje të bërë në tre vitet e fundit” – tha Ahmetaj, i cili u ndal edhe në nismat e fundit në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit.

“Ne kemi thënë që nuk do të ketë më rritje taksash. Paketa e re është fokusuar në thjeshtimin e procedurave në favor të sipërmarrjes. Kemi marrë mbi 350 propozime të reflektuara në mbi 50 procedura, draft të cilin shumë shpejt do ta prezantojmë në qeveri. Ndërsa me fazën e dytë të aksionit kundër informalitetit jemi përqendruar në platformën e riskut dhe instrumentet inteligjente të profilizimit të sipërmarrjeve, komunikimin intenisv dhe përgjithësisht ndryshimin e qasjes së administratës tatimore e doganore ndaj klimës së biznesit”, u shpreh ai..

Së fundi, Ministri adresoi një nga çështjet kryesore që lidhen me kreditimin në ekomoni.

“Me hapat që kemi ndërmarrë në sistemin financiar, kemi mitiguar shumë nga problemet që pengonin aktivitetin kreditues në sektorin bankar. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ju përballeni në situatën aktuale kur ka një sasi të madhe likuiditeti në treg dhe kërkese nën potencial, por ne të gjithë e dimë se procesi i konvergjencës mes të dyjave, do të thotë norma më të larta të rritjes ekonomike në vend. Reformat që ne po bëjmë, po bëjnë të mundur që rritja te jetë e qëndrueshme, ndaj ka mjaftueshëm hapësirë për ju që të zhvilloni biznesin tuaj.

Jemi pyetur shumë herë në cilat fusha duhet të fokusohet kreditimi nga ana e bankave. Bankat që operojnë në vendin tonë janë institucione me staf të kualifikuar, mire trajnuar dhe mirë shpërblyer dhe jam i bindur që më pak më shumë fokus mbi këtë cështje, do të gjejnë hapësirën e duhur për të kredituar. Perspektiva jonë janë sektorët që garantojnë avantazhe konkurruese për ekonominë shqiptare.‎ Ne jemi tejet të fokusuar në sektorët e bujqësisë, energjisë dhe mineraleve, turizmit apo manifaktures” – tha Ahmetaj duke nënvizuar se ekonomia shqiptare ka ende potencial shumë të madh për tu zhvilluar dhe në këtë zhvillim, sektori privat financiar luan një rol thelbësor.

Të rejat e fundit