Postuar më: 31/07/2019

Reforma e Menaxhimit të Financave publike, zhvillohet takimi konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile dhe ministrive

Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi një workshop konsultativ lidhur me Reformën e Menaxhimit të Financave Publike, e cila është një ndër reformat kryesore që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë rreth 50 përfaqësues të shoqërisë civile dhe ministrive të përfshira në zbatimin e reformës, të cilët u ftuan të njihen dhe të shprehin opinionin e tyre lidhur me strategjinë e rishikuar të Menaxhimit të Financave Publike (MFP 2019-2022) dhe prioritetet e reformës në të ardhme.

Kjo strategji, e hartuar me asistëncën teknike të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, bazohet në strategjinë e periudhës 2014-2020 dhe Raportin e Rishikimit Afatmesëm të vitit 2018 të strategjisë. Organizatat e Shoqerisë Civile janë ftuar të japin komentet e tyre nëpërmjet Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Kosultimet publike që prej datës 8 korrik 2019 kur është bërë dhe publikimi i draft strategjisë për konsultim publik (https://bit.ly/2Y2RXJ1). Gjatë muajit gusht, do të vijohet më reflektimin e komenteve dhe dokumenti i reflektuar do të diskutohet në Komitetin Teknik për të kaluar për miratim në Komitetin Drejtues të Reformës së Menaxhimit të Financave Publike.

Në fjalën e hapjes së këtij takimi, Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Erion Luçi, theksoi  rëndësinë e strategjisë së reformës së Menaxhimit të Financave Publike. “Kjo strategji do të fokusohet në shlyerjen dhe parandalimin e detyrimeve ta prapambetura, reduktimin e borxhit publik, mobilizimin e vazhdueshëm për mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore, përmirësimin e menaxhimit të projekteve të investimeve publike duke përfshirë Partneritetin Publik Privat dhe dhënien me konçesione, si dhe sigurimi i një lidhje më e mirë e planeve strategjikë me Programin e Buxhetit Afatmesëm, një angazhim më të strukturuar dhe në kohë me qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe akademinë në planifikimin, monitorimin dhe raportimin e buxhetit. Gjithashtu, synohet rritja e përpjekjeve për të përmirësuar shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, u shpreh Zv.Ministri Luçi.

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Stephen Stork, theksoi se kjo strategji do të shërbejë si kriter vlerësimi i politikave për Mbështetje Buxhetore Sektoriale, në arsim, shëndetësi, arsim profesional etj. dhe do të sigurojë që në Shqipëri paratë do të përdoren në dobi të qytetarëve në shëndetësi, arsim, siguri publike, transport rrugor etj..

Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike përfaqëson një përpjekje të planifikuar në bazë të nevojave për rritjen cilësore të menaxhimit financiar publik.