Postuar më: 26/01/2020

Reagim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbi kërkesat e bëra publike të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në përgjigje të kërkesave të paraqitura nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, në shprehje të vullnetit dhe angazhimit të saj të plotë në përputhje me përgjegjësitë shtetërore si dhe detyrimet ligjore që burojnë nga kuadri ligjor, që rregullon marrëdhëniet e punës në Republikën e Shqipërisë, sqaron opinionin e gjerë publik, Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, si dhe çdo palë tjetër të interesuar se:

  • Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si ministria përgjegjëse për punën e parashikuar në nenin 199 të Kodit të Punës në fuqi në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kompetencën ligjore për përgatitjen dhe zbatimin e legjislacionit dhe politikës së punës, duke njohur personalitetin juridik të legjitimuar në Gjykatën kompetente të organizatës së Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka ndjekur në mënyrë dinamike duke vlerësuar çdo kërkesë të adresuar nga kjo organizatë në kohë duke ndërmarrë hapat e duhura, duke orientuar dhe duke u kërkuar palëve në mosmarrëveshje   zgjidhjet brenda vullnetit të mire, si dhe të parashikuara ligjërisht.
  • Referuar kërkesave konkrete të paraqitura nga organizata e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ISMBB), lidhur me negocimin e Kontratës së Re Kolektive me SMBB, si dhe disponimit të Kontratës Kolektive të punës të lidhur ndërmjet Albchrome Shpk dhe Federatës Sindikale të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë për objektin e Minierës së Kromit Bulqizë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, siç dhe ka informuar në mënyrë zyrtare, ka vënë në lëvizje dhe ka kërkuar kryerjen e veprimeve të parashikuara ligjërisht në Kodin e Punës dhe siguron ushtrimin e rolit të saj ligjor në përmbushjen e detyrimeve nga të gjitha institucionet e përcaktuara ligjërisht për këtë qëllim.
  • Lidhur me kërkesat për rritje page, rishikim normash, pagesa e bonusit të fundvitit, njohja e vështirësisë dhe vjetërsisë në punë, dëmshpërblimi për aksidentet në punë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke iu referuar parashikimeve ligjore të përcaktuara në Kodin e Punës, Kontratës Kolektive të Punës të lidhur ndërmjet palëve të mësipërcituar, Kontratave individuale të Punës të lidhura midis Albchrome Shpk dhe minatorëve të Minierës së Bulqizës, ka vënë në lëvizje dhe ka kërkuar nga institucuionet përkatëse të përcaktuara në Kodin e Punës dhe kuadrin ligjor dhe nënligjor të fushës, trajtimin e plotë dhe të drejtë ligjor të çështjes, me qëllim maksimizimin e plotësimit të tyre në respektim të balancuar të të drejtave dhe detyrimeve të sanksionuara ligjërisht për punëdhënësin dhe punëmarrësin, në kushtet e punës në minierë.
  • Për sa pretendohet dhe kërkohet për ndalimin e presioneve ndaj minatorëve dhe rikthimin në punë të katër drejtuesve të SMBB-së, të pushura në mënyrë të paligjshme sipas tyre, kjo përbën një çështje të cilën Ministria e Financave dhe Ekonomisë garanton zbatimin e drejtë të parimeve të sanksionuara ligjërisht nga të cilat udhëhiqet, si dhe të ushtrimit të rolit të saj sipas kompetencave ligjore, në çdo fazë të trajtimit dhe në çdo institucion të parashikuar procedurialisht për trajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në punë