Postuar më: 17/02/2023

Raportimi në KE,  mbikëqyrja efektive të tregut siguron mbrojtje për konsumatorët

Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit Publik janë pjesë e kapitullit 28 në procesin e integrimit europian.

Në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian dhe delegacioni shqiptar zhvilluan në Bruksel, takimin Bilateral për Kapitullin 28  “Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit Publik”.

Acquis i mbrojtjes së konsumatorit mbulon sigurinë e mallrave të konsumit, si dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve në disa sektorë specifikë. Shtetet Anëtare duhet të transpozojnë acquis në legjislacionin kombëtar dhe të krijojnë struktura të pavarura administrative  dhe kapacitete zbatuese, të cilat sigurojnë mbikëqyrjen efektive të tregut dhe zbatimin e acquis. Duhet të sigurohen gjithashtu mekanizma të  përshtatshëm gjyqësor dhe jashtë gjyqësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe për informimin e konsumatorit  dhe  edukimin  e tij, duke siguruar njëherazi rolin e organizatave të konsumatorëve.

 

Gjatë raportimit në KE, ekspertët e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë shpjeguan se tashmë është hartuar Strategjia e Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjes së Tregut 2023-2030, që do të shërbejë për të identifikuar të gjithë treguesit e mbrojtjes së konsumatorit që mungojnë, ose që duhet të forcohen, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe detyrimeve që rrjedhin nga nënshkrimi i MSA-së.

 

Shtyllat kryesore ku do të mbështetet kjo strategji janë:

Siguria e produkteve: ushqimore dhe e produkteve jo-ushqimore; barnat për përdorim njerëzor; kozmetika; fusha e infrastrukturës së cilësisë; mbikëqyrja e tregut; etj.

Çështje të mbrojtjes së konsumatorëve që nuk kanë lidhje me aspektet e sigurisë si: mbrojtja e konsumatorëve sa i përket praktikat tregtare; zbatimi i të drejtave të konsumatorëve; zgjidhja alternative dhe online e mosmarrëveshjeve; mjedisi; turizmi; digjitalizimi; etj.

Gjithashtu ky kapitull përfshin rregulla specifike me fuqi detyruese në fushën e shëndetit publik, të cilat u paraqitën nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.