Postuar më: 24/07/2021

Qeveria miraton kriteret për ndërtimin e banesave sociale në zonat e zhvilluara

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së fundit vendimin “Për procedurat e përzgjedhjes, mënyrat e kontraktimit, format dhe kushtet e përgjithshme të kontratës për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimin”, i propozuar në zbatim të pikës 3, të nenit 52 të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”.
Sipas ligjit për strehimin, neni 52 në tërësi lidhet me partneritetin publik-privat për ndërtime në zona të zhvilluara me qëllim strehimin. Pika dy në vendim nënvizon, se marrëveshja për ndërtimin e banesave, që kryhet nga subjekte private, nëpërmjet partneritetit publik-privat, bazohet në
financimin e ndërtimit nga subjekti privat në truallin e pajisur me infrastrukturë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në këmbim të përfitimit nga njësia vendore të një përqindjeje të caktuar sipërfaqe ndërtimi, të përshtatur në apartamente, sipas normave të strehimit, si kundërvlerë e vlerës së truallit të pajisur me infrastrukturë.
Sipas këtij vendimi, bashkëfinancimi i ndërtimit nga subjekti privat dhe njësia e vetëqeverisjes vendore nga buxheti i vet dhe/ose me mbështetje të buxhetit të shtetit, bëhet përkundrejt përfitimit të një numri banesash sociale.
Procedura e përzgjedhjes së subjektit privat në rastin e shkëmbimit të truallit bëhet me garë dhe vendimi i qeverisë përcakton procedura në rastin e financimit të banesave nga subjekti privat në truallin në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, me qëllim shkëmbimin e vlerës së truallit me sipërfaqe ndërtimi, pasi sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, kryhet vetëm me konkurrim.
Vendimi përcakton qartësisht mënyrat sesi do të përzgjidhen, kontraktohen subjektet private, si edhe format dhe kushtet e kontratës që do lidhen me ta në zbatim të njerës prej formave të bashkëpunimit të përcaktuara në ligj.
Ligji për strehimin social i miratuar në vitin 2018 parasheh si një nga mënyrat për të rritur fondin publik te banesave sociale edhe përmes lidhjes së kontratave të partneritetit publik privat (PPP) mes njësive të vetëqeverisjes vendore dhe kompanive private në zona të zhvilluara me qëllim strehimin.
Kombet e Bashkuara po mbështesin fort zbatimin e skemave PPP, të cilat kanë me fokus individin, ndërkohë që një nga vendet që njihet për sektorin me të përparuar të strehimit social, Austria, realizon në masë këto programe nëpërmjet formave të partneritetit publik privat, ku bazohet edhe kjo skemë.