Postuar më: 07/06/2022

Qeveria- Garanci sovrane biznesit për furnizimin me produktet ushqimore bazë

Qeveria do të mbështesë me garanci shtetërore subjektet që tregtojnë produkte ushqimore bazë me shumicë, në mënyrë që ato të kenë likuiditetin e nevojshëm për të siguruar mbajtjen e rezervave për një periudhë 3 mujore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat dhe atë të Veprimtarive Prodhuese Aktin Normativ Nr.9 “Për një shtesë në Aktin Normativ Nr.7, datë 18.03.2022, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimeve për disa produkte ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”.

 

Ministrja Ibrahimaj tha se situata emergjente e krijuar nga rritja e menjëhershme e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në tregun shqiptar, ardhur si pasojë e situatave të ndikuara nga tregu ndërkombëtar, ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen dhe rregullimin e kësaj situate me anë të këtij Akti Normativ.

 

“Synohet mbështetja me një garanci shtetërore nga e cila mund të përfitojnë subjektet që tregtojnë produkte me shumicë, për të mundësuar financimin e nevojshëm për mbajtjen e rezervave. Në kushtet ku masa për mbajtjen e një rezerve 3-mujore të produkteve do të kërkonte një likuiditet të konsiderueshëm, dhënia e një garancie shtetërore, e cila do të rriste aksesin në financim të këtyre subjekteve pranë sistemit tonë bankar, u vlerësua si një mekanizëm i nevojshëm për implementimin sa më me efektivitet të kësaj mase të parashikuar”, tha Ibrahimaj.

 

Nga ana tjetër, Ministrja bëri me dije se instrumenti i garancisë sovrane ka marrë edhe mbështetjen e bizneseve.

“Ne dhe bizneset mendojmë se kjo është një masë që i vjen në ndihmë atyre me qëllim garantimin e likuiditetit për furnizimin. Nëpërmjet këtij instrumenti duam që të garantojmë që bizneset të kenë likuiditetet e duhura që të vazhdojnë të blejnë dhe në rast se nuk do të kenë mundësi shitjeje të këtyre produkteve, Akti Normativ përcakton se produkti do të blihet nga Rezervat e Shtetit. Pra, në këtë pikëpamje bizneset janë totalisht të mbrojtura”, vijoi Ibrahimaj.

 

Ndryshimi i propozuar në Aktin Normativ, në vetvete, nuk ka efekt financiar në buxhetin e shtetit. Garancia shtetërore që do të lëshohet do t’i nënshtrohet procedurave dhe miratimeve sipas legjislacionit në fuqi, ajo do të miratohet me VKM dhe më pas vijohet me lidhjen e marrëveshjeve të veçanta nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë me bankat e nivelit të dytë.

 

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi ngritjen e Bordit për monitorimin e transparencës së çmimeve dhe propozimin e Akteve Normative, Ministrja Ibrahimaj ritheksoi se vendimi për krijimin e Bordeve u mor në kushte emergjente, pasi çmimet po rriteshin në mënyrë të përshpejtuar, në muajin mars.

“Rritja e çmimeve në Shqipëri u përshpejtua gjatë muajve mars, prill dhe maj, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar kemi pasur inflacion stabël, nën tragetin e Bankës së Shqipërisë. Urgjenca vinte nga situata emergjente që ishte krijuar, nga nevoja për të ndërhyrë me qëllim mos lejimin e spekulimeve mbi çmimin, pra mos lejimin e materializimit të rritjes së çmimeve para se kostot realisht të ishin rritur. Në një situatë normale mund të ndodhte, por duke qenë një situatë e veçantë, ne vendosëm të krijojmë Bordin me qëllim që kjo dukuri krejt normale në një ekonomi tregu të mos materializohej tek ne”, tha Ministrja.