Postuar më: 17/05/2016

Publikohen treguesit fiskalë paraprakë të 4-mujorit 2016

Performanca “Tatime dhe Dogana”

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 4 mujorin e vitit 2016 u realizuan në vlerën 113.8 miliardë lekë, që do të thotë 14.4 miliardë lekë më shumë se 4 mujori i vitit të kaluar ose 14.53%  dhe 3.1 miliardë lekë ose 2.81% më shumë se plani.

Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 1.7 miliardë lekë ose 5.16% më shumë se 4 mujori i vitit 2015 dhe me një performancë 1.66% mbi planin e periudhës.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 11.9 miliardë lekë ose 12.92% më shumë se një vit më parë dhe 9.66% më shumë se plani. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së sasisë së cigares së importuar me 189 ton ose +31.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, periudhë në të cilën ndikoi edhe krijimi i stokut në avancë nga kompanitë importuese për shkak të rritjes së akcizës.

Të ardhurat nga renta minerare janë realizuar në vlerën 749 milionë lekë, në reflektim të drejtpëdrejtë të efekteve të rënies drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Në kushtet që renta llogaritet si përqindje ndaj vlerës, rezultoi se megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 131 mijë ton ose +62%, të ardhurat nga renta u ulën me 108 milionë lekë. Në 4 mujorin e vitit 2015 arkëtohej 3.31 lekë/kg, ndërsa në 4 mujorin e vitit 2016 arkëtohet 1.72 lekë/kg.

Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 28.9 miliardë lekë, me një kontribut në të ardhura prej 5.24% më shumë se 4 mujori  i vitit 2015 dhe një realizim i planit në masën 99.22%. Ky rezultat është arritur megjithë uljen e çmimit të karburanteve dhe rënien kursit të këmbimit të USD.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 11.5 miliardë lekë, 22.27% më shumë se 4 mujori i vitit 2015, dhe një realizim i planit të periudhës në masën 98.22%. Ky rezultat i TVSH-së neto vjen pas zbritjes së rimbursimit të kryer në këtë periudhë me rreth 2,6 miliardë lekë (niveli më i lartë në 6 vitet e fundit).

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 12.8 miliard lekë ose 24.67% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 28.41% më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faktorë të tjerë përmendim fazen e dyte të planit të veprimit kundër informalitetit të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe në vazhdimesine e proceseve. Thjeshtëzimi i procedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatoret e biznesit po gjeneron permformance më të lartë.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 10.5 miliard lekë, çka do të thotë se kontributi i këtij zëri në të ardhura është 22.63% më shumë se 4 mujori i vitit 2015 dhe 0.62% më shumë se plani i periudhës. Edhe zëri “Taksat Kombëtare” paraqitet me një performancë pozitive duke realizuar 9.9 miliardë lekë, 22.75% më shumë se 4 mujori i vitit 2015, dhe një realizim i planit në masën 99.23%.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të administruara nga DPT janë realizuar në vlerën 25.5 miliardë lekë, 14.88% më shumë se 4 mujori i vitit 2015 dhe 2.94% më shumë se plani i periudhës.

 

Performanca e shpenzimeve kryesore buxhetore

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 4 mujorin e vitit buxhetor 2016, arritën në 114.2 miliardë lekë nga 128.9 miliardë lekë që ishte plani i kësaj periudhe, me një realizim në masën 89% duke shënuar përmirësim në rritje krahasur me një muaj më parë.

Shpenzimet korrente paraqesin një realizim në raport me planin 4 mujor, prej 91 për qind, duke rezultuar 103.7 miliardë lekë nga 114.2 miliardë lekë të planifikuara për muajin prill 2016. Ndër zërat kryesorë që kanë ndikuar në uljen e shpenzimeve korrente krahasuar me zërat e tjerë janë shpenzimet operative mirmbajtje, shpenzimet për pushtetin vendor dhe shpenzimet të tjera sociale përkatësisht me një nivel realizimi prej 81%, 76% dhe 86% të planit 4 mujor të parashikuar për realizim. Por gjithashtu krahasuar me një muaj më parë ka një përmirësim të konsiderueshëm të termave të realizimit për treguesit e shpenzimeve në tërësi

Niveli më i ulët i shpenzimeve publike dhe realizimi pothuajse i plotë i të ardhurave të planifikuara është shoqëruar me një nivel sufiçit prej 16.5 miliard lekë, e për rrjedhojë, një pozitë më shumë të favorshme buxhetore.

Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për 4 mujorin e vitit 2016 është konstatuar se investimet me financim të huaj kanë pasur një realzim në masën 74% i atyre të planifikuara për 4 mujorin, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivelin 89%.

Realizimi i investimeve të huaja lidhet me faktorë si shtyrja e afatit të realizimit nga procesi i prokurimit, apo edhe nga vonesat në paraqitjen e dokumentacionit teknik e financiar për lëvrimin e fondeve, paraqitjes me vonesë të situacioneve të punimeve për t’u paguar etj.

Krahasuar me planin e parashikuar, niveli i të ardhurave ka një realizim të rëndësishëm në shifrat e parashikuara por nga ana tjetër, trendi i kujdesshëm i shpenzimeve të realizuara në raport me planin ka rezultuar me sufiçit prej 16.5 miliardë lekë ose 14.2 miliardë lekë më shumë së plani.

Kjo përkthehet në politika të frytshme dhe të kujdesshme buxhetore e fiskale nga ana e qeverisë duke rritur qëndrueshmërinë dhe ndikuar në premisat e një buxheti të konsoliduar. Mbi të gjitha këto parametra të identifikuara nga Ministria e Financave tregojnë një buxhet të vendosur në shinat e rritjes ekonomike dhe reformave të qëndrueshme.

Të rejat e fundit