Postuar më: 30/03/2016

Projekti i Rehabilitimit të Rrugës së lumit të Vlorës, nënshkruhet Marrëveshja e Huasë me Fondin Kuvajtian

Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj dhe zv. Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, z. Hamad Al-Omar nënshkruan sot Marrëveshjen e Huasë për Projektin e “Rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës”.

Sikurse theksoi Ministri Ahmetaj, ky është një projekt i rëndësishëm për këtë zonë, me mbi 40,000 banorë dhe rreth 60 fshatra. Rikonstruksioni i rrugës do të krijojë një korridor të ri i cili është me tërheqës, më i sigurt dhe lehtësisht i përshkueshëm krahasuar me rrugën aktuale që lidh Qarkun e Vlorës me jugun dhe veçanërisht me bregdetin.

Nga ana tjetër, ky projekt do të garantojë zhvillim ekonomik e social në këtë zonë dhe në gjithë Qarkun e Vlorës, përmes përmirësimit të aksesit në transport dhe në tregje, rritje e gamës dhe cilësisë së shërbimeve për banorët e zonës, zhvillimin e nën/degëve të turizmit si ekoturizmi apo agroturizmi dhe rritja e vendeve të punës.

 

***

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj:

 

Përshëndetje,

I nderuar z. HAMAD AL-OMAR,

Dëshiroj së pari t’ju falenderoj për vizitën dhe t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri.

 

Me Zv. Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, zhvilluam sot një takim ku diskutuam projekte që janë të rëndësishme për vendin tonë dhe janë në përputhje me objektivat e Fondit për të mbështetur dhe garantuar zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare, duke nisur nga projekti i sotëm dhe të tjerë potencialë.

Gjithashtu e njoha z. Al-Omar me trendin e konsoliduar të rritjes ekonomike dhe treguesve fiskalë përgjatë pothuaj tre viteve të fundit, reformat dhe politikat kyce të ndërmarra në këtë drejtim. Biseduam po kështu për zhvillimin e rajoneve në kuadër të ndarjes së re administrative dhe mundësisë së afruar për mirëadministrimin e rajoneve dhe garantimin e konvergjencës në rritjen ekonomike dhe të të ardhurave.

Natyrisht që mbështetja e Fondit është një instrument i rëndësishëm që do të na lejojë të realizojmë një sërë projektesh që i hapin rrugën zhvillimit të rajoneve, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, por edhe të rritjes së aksesit në tregje, reduktimit të kohës dhe kostove, promovimit të nën/degëve të turizmit si ekoturizmi apo agroturizmi etj.

Qeveria shqiptare ka një bashkëpunim financiar të frutshem me Fondin e Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab. Aktualisht Fondi ka akorduar 6 marrëveshje kredie me një vlerë totale prej rreth 21.4 milionë Dinarë Kuvajtianë ose ekuivalenti prej rreth 70.8 milionë dollarë,  si dhe fonde për asistencë teknike me një vlerë prej rreth 837 mijë Dinarë Kuvajtianë ose ekuivalenti prej 2.8 milionë dollar, në fusha financimi kryesisht transporti dhe bujqësia, në drejtim të ujitjes.

Marrëveshja e huasë që nënshkruam sot ka të bëjë me financimin e projektit për “Rehabilitimin e Rrugës së Lumit të Vlorës”, një projekt i rëndësishëm me impakt në zhvillimin ekonomik e social të rajonit.

Kjo është një zonë me mbi 40,000 banorë, që jetojnë në rreth 60 fshatra, me një dendësi të madhe popullsie dhe veçanërisht në moshë të re. Bëhet fjalë për një zonë të varfër në terma të zhvillimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të ofruara ndaj gjykojmë që ky projekt do të shërbejë si një arterie e rëndësishme që do të sjellë zhvillim ekonomik dhe social në zonë, përmirësimin e aksesit në rrugë dhe në tregje, rritjen e gamës dhe cilësisë së sherbimeve, zhvillim të ekoturizmit dhe agroturizmit dhe rritje të vendeve të punës.

Rikonstruksioni i rrugës do të krijojë një korridor të ri i cili është më tërheqës, më i sigurtë dhe lehtësisht i përshkrueshëm krahasuar me rrugën ekzistuese që lidh Qarkun e Vlorës me jugun.

Projekti përfshin punime civile për rikonstruksionin e rrugës kryesore ekzistuese Vlorë-Peshkëpi-Qeparo, si dhe zgjerimin e saj duke e shndërruar në një rrugë dy-kalimëshe me shpejtësi të rritur lëvizjeje. Projekti gjithashtu përfshin punime rehabilituese të strukturave të drenazhimit dhe pajisjeve të sigurisë dhe ndriçimit, edhe në kalimet e këmbësorëve në qytetet kryesore që shtrihen përgjatë rrugës si dhe sigurimin e shërbimeve të nevojshme të konsulencës për dokumentet e tenderit të projektit dhe supervizionin e punimeve.

Projekti parashikohet të nisë zbatimin në fillim të vitit 2016 dhe të përfundojë në fund të vitit 2019.

Sa i takon zbatimit, projekti do të bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ministria e Transporteve përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen.

Ndërsa në termat e financimit, në bazë të studimit të Fizibilitetit punimet për të gjithë rrugën në një gjatësi prej 94 km janë paravlerësuar në një vlerë prej rreth 64 milionë USD. Huaja e Fondit të Kuvajtit prej 12 milionë Dinarë Kuvajtian (KD) ose rreth 40 milionë USD, me një periudhë maturimi 24 vjet ku përfshihet dhe periudha pa pagesë e principalit prej pesë vjetësh, së bashku me një kontribut të Qeverisë Shqiptare do të përdoret për financimin e rehabilitimit të  segmentit Vlorë – Ura e Peshkëpisë – Ura e Laskos – Qeparo.

Edhe njëherë falenderoj Fondin e Kuvajtit për mbështetjen.

 

Faleminderit.

 

Të rejat e fundit