Postuar më: 13/05/2016

Procesi i privatizimit të INSIG Sh.a, kompania fituese EUROSIG kryen pagesën prej 16 milionë euro

Në vijim të procesit lidhur me privatizimin e paketës së 100% të aksioneve shtetërore të Shoqërisë INSIG Sh.a, Ministria e Financave informon se kompania fituese EUROSIG, ka kryer sot pagesën në përputhje me ofertën e paraqitur në vlerën e 2,222,122,000 lekëve ose 16 milionë euro.

Në datën 10 mars 2016, Komisioni i Vlerësimit të ofertave në Ministrinë e Financave, zhvilloi procedurën për pranimin dhe administrimin e ofertave. Katër kompani shprehën interesim për privatizimin dhe paraqitën ofertat e tyre financiare, të cilat u vlerësuan dhe klasifikuan në bazë të çmimit më të lartë të ofruar, cilësisë së investitorit (eksperiencë në tregun e sigurimeve dhe shtrirje rajonale/ndërkombëtare), si dhe planit të biznesit të propozuar.

Pas paraqitjes së propozimit për shpalljen e kompanisë fituese nga ana e Komisionit të Vlerësimit të ofertave, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë me vendimin Nr.218, miratoi procedurën e tenderimit për shitjen e paketës së 100% të aksioneve të zotëruara nga shteti në shoqërinë “INSIG” sh.a., Tiranë dhe shpalli fitues shoqërinë “EUROSIG”  sh.a., Tiranë.

Fituesi i tenderit, brenda afateve ligjore, ka kryer pagesën e plotë prej  2.222.122.000 leke. Gjatë javës në vjimim do të kryhen procedurat e nevojshme për transferimin e plote të aksioneve, duke përmbyllur me sukses për herë të parë, pas tre dështimeve të qeverisë së kaluar, procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore INSIG.

***

Tenderi për shitjen 100% të paketës së aksioneve të zotëruara nga Shteti në Shoqërinë INSIG Sh.a. u shpall në Janar të këtij viti pas një vlerësimi të detajuar të kompanisë. Ofertuesve të interesuar ju dha mundësia të kryejnë verifikime të dokumentacionit apo due diligence të pavarur mbi të dhënat e paraqitura.

Të rejat e fundit