Është zhvilluar sot me sukses procedura e pranimit dhe hapjes së ofertave për privatizimin e paketës së 100% të aksioneve shtetërore të Kompanisë INSIG sha.
Komisioni i vlerësimit të ofertave, i kryesuar nga z. Nuri Sopaj, administroi të gjithë dokumentacionin e depozituar nga shoqëritë e interesuara, në një mbledhje të hapur për mediat dhe publikun.
Katër kompani shqiptare kanë shprehur interes për privatizimin e shoqërisë dhe kanë paraqitur sot dokumentacionin dhe ofertat financiare.
• Balfin shpk – vlera e ofertës 1,656,000,000 lekë
• Kastrati dhe Albsig (joint venture) – vlera e ofertës, 1,525,473,000 lekë
• Recovered Earth Technologies & Duraku shpk – vlera e ofertës 2,152,800,000 lekë
• Eurosig – vlera e ofertës 2,222,122,000 lekë
Pas shqyrtimit për rregullsinë e dokumentacionit të depozituar, Komisioni do të nisë procesin e vlerësimit të ofertave sipas kritereve të përcaktuara në Njoftimin për hapjen e procedurës konkurruese, të publikuar në datën 25 janar 2016 në faqen e Agjensisë së Prokurimeve Publike.
Sipas këtij Njoftimi, kriteret bazë të vlerësimit të ofertave janë: 80 pikë çmimi më i lartë i ofruar; 10 pikë plani i biznesit dhe cilësia teknike e propozimit; si dhe 10 pikë cilësia e Investitorit (merr pikët maksimale kandidati i cili ka eksperiencë në tregun e sigurimeve dhe shtrirje rajonale/ ndërkombëtare).
Në përputhje me procedurën në fuqi, Komisioni bën vlerësimin e ofertave brenda një afati kohor prej dy javësh, duke listuar kompanitë ofertuese mbi bazën e pikëve të fituara, vlerësim që i dërgohet për miratim Këshillit të Ministrave. Pas miratimit nga ana e qeverisë, Ministria e Financave lidh kontratën e shitjes me kompaninë fituese.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2022 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.