Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, organizuan konferencën për prezantimin e Programit të Kodimit. Prezantimi i këtij programi u bë nga Ministrja Delina Ibrahimaj, Ministrja Evis Kushi dhe Ministrja Bora Muzhaqi.
Programi i Kodimit, i njohur ndryshe edhe si Programi i Formimit Profesional, do të zbatohet për herë të parë dhe do t’i shërbejë vizionit afatgjatë që Shqipëria të arrijë potencialin e plotë të digjitalizimit dhe të përgatiten të rinj të aftë të grup-moshës 16-35 vjeç që edhe pa përvojë në shkenca kompjuterike, të kalojnë në një karrierë në industrinë teknologjike, me një kosto relativisht të ulët.
Në këtë proces, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit do të jetë zbatuesja nëpërmjet strukturave të saj në bashkëpunim me institucionet e formimit profesional do të ketë një rol të rëndësishëm. Për ta lehtësuar këtë proces, aplikimi, që do të bëhet në rrugë elektronike përmes portalit qeveritar e-Albania do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë vitit.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se investimi në IT është një investim që çon në rritjen e produktivitetit, në rritjen e efikasitetit të përdorimit të burimeve njerëzore dhe materiale, në më shumë inovacion në ekonomi, që në fund përkthehet në më shumë rritje ekonomike.
“I referohemi shkurt si Programi i Kodimit, por në fakt ai është një program formimi profesional me të cilin ne kemi menduar që të nxisim dhe të subvencionojmë një pjesë të kostos së këtyre programeve të zhvillimit të arsimit profesional në IT, duke i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që duan të investojnë dhe që duan të ndryshojnë karrierën e tyre për tu aftësuar në Kodim por edhe në elementë të tjetër të IT. Ne jemi të bindur se duke investuar në aftësimin e të rinjve, e jo vetëm, ne po investojmë në përmirësimin e së ardhmes jo vetëm të atyre familjeve të të rinjve që do të angazhohen në këto kurse, por të ekonomisë sonë në total”, u shpreh Ibrahimaj.
Përmes Programit të Kodimit do të mbështeten të rinjtë që do të aplikojnë në programet e formimit të IT me 50 % të vlerës së çmimit të ofrimit të këtyre programeve.
Ministrja Ibrahimaj shprehu angazhimin e qeverisë për të vijuar mbështetjen për formimin dhe aftësimin e të rinjve shqiptare, duke besuar se përmes kësaj mbështetje do të mbështetet zhvillimi i rritjes ekonomik dhe zhvillimi i vendit në tërësi.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Është kënaqësi e veçantë që të fillosh një event, siç ne jemi mësuar të organizojmë, duke parë një numër kaq të madh të rinjsh dhe duke marrë duartrokitjet e tyre. Faleminderit shumë të gjithëve që jeni sot këtu.
Ne sot do të flasim për një nismë shumë të rëndësishme që shkon në të ardhmen dixhitale të vendit, në synim të transformimit dixhital të vendit, por mbi të gjitha të aftësimit dixhital të rinisë sonë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për aftësimin dixhital të atyre që kanë zgjedhur në rrugëtimin e tyre akademik të shkojnë në një shkollë profesionale për IT apo të ndjekin studimet universitare për IT. E kam fjalën për të gjithë ata që mendojnë se IT është e ardhmja dhe e ndiejnë se pavarësisht se nuk kanë një formim i cili lidhet ngushtësisht me IT, mund të hyjnë në këtë treg, që është një treg dinamik, ka nevojë për gjithmonë e më shumë pjesëmarrës dhe ka gjithmonë nevojë për më shumë të aftësuar në këtë treg. Ndaj sot kam kënaqësinë që bashkë me koleget e mia, Borën dhe Evisin, të prezantojmë një politikë që shkon në nxitje të të gjitha politikave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në vitet e fundit.
Ju me siguri të gjithë e dini se prej fillimit të qeverisjes ne u angazhuam në investime serioze në dixhitalizimin e ofrimit të shërbimeve publike dhe sot ne ofrojmë 95 % të shërbimeve online, por jo vetëm të shërbimeve. Ne u angazhuam në dixhitalizimin edhe të mënyrës së funksionimit të të gjithë administratës shtetërore. Bëmë investime në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Kjo nuk ishte vetëm një përpjekje e qeverisë. Edhe biznesi gjatë viteve të fundit ka investuar shumë në dixhitalizimin e ofrimit të shërbimeve apo të produkteve të prodhimit.
Ne jemi të bindur se investimi në IT është një investim që çon në rritjen e produktivitetit, çon në rritjen e efikasitetit të përdorimit të burimeve qoftë njerëzore, qoftë dhe materiale, dhe gjithashtu çon në më shumë inovacion në ekonomi, që në fund përkthehet në më shumë rritje ekonomike.
Kjo sigurisht që nuk do vetëm investim në hardware apo software. Të gjithë politikat kërkojnë investim madhor në burime njerëzore dhe janë ato që pikërisht sot na shërbejnë më shumë se kurrë.
Kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare ka prej disa muajsh që flet për Programin e Kodimit. Ne i referohemi shkurt si Programi i Kodimit, por në fakt ai është një program formimi profesional, me të cilin ne kemi menduar që të nxisim dhe të subvencionojmë një pjesë të kostos së këtyre programeve të zhvillimit të arsimit profesional në IT, duke i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që duan të investojnë dhe që duan të ndryshojnë karrierën e tyre për tu aftësuar në Kodim por edhe në elementë të tjetër të IT.
Ne jemi të bindur se duke investuar në aftësimin e të rinjve, e jo vetëm, ne po investojmë në përmirësimin e së ardhmes jo vetëm të atyre familjeve të të rinjve që do të angazhohen në këto kurse, por të ekonomisë sonë në total.
Sot që flasim IT zë 1 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Janë gjithsej rreth 13 mijë të punësuar në këtë sektor për 3200 kompani. E megjithatë, në 5 vitet e fundit numri i të punësuarve në këtë sektor është rritur me 210 %. Pra, është një sektor në të cilin ritmet e rritjes i kanë tejkaluar çdo lloj parashikimi dhe elementi që ne mund të ndikonim.
Kjo është arsyeja pse jo vetëm ne si qeveri, por edhe biznesi, ka treguar një angazhim të madh me qëllim që të japë kontributin e vet në zhvillimin e këtyre programeve. Këto janë programe që kushtojnë dhe jo të gjithë kanë mundësi që t’i përballojnë.
Pra, nëpërmjet nismës që sot do prezantojmë, e cila është hartuar në një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministren e Rinisë dhe Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim, ne do të mbështesim për çdo të ri që do të aplikojë në programet e formimit të IT, ku kryesisht ne synojmë të arrijmë Kodimin, 50 % të vlerës së çmimit të ofrimit të këtyre programeve.
Sigurisht që për elementë të caktuar, për personat me aftësi të kufizuara, apo edhe për persona të cilët janë pjesë e programit të ndihmës ekonomike, kjo mbështetje do të jetë më e lartë. Por, për shumicën e aplikantëve, mbështetja do të jetë 50 %. Kjo është arsyeja pse ne kemi kërkuar ndihmën e biznesit dhe urojmë që pas eventit të sotëm, ku biznesi është pjesëmarrës, ne ta konkrekizojmë bashkëpunimin tonë pasi jo vetëm është e rëndësishme që të ndihmojnë dhe të mbështesim ato që nuk kanë mundësi që të përballojnë një kurs të tillë, por është e rëndësishme të mbështesim dhe vetë biznesin. Është biznesi vetë që sot më shumë se kurrë ka nevojë për të punësuar me aftësi në IT, në zhvillimin e programeve me aftësi në Kodim dhe uroj që si qeveria që gjatë këtij viti ka parashikuar një fond për të mbështetur 1 mijë koduesit e parë, uroj që të njëjtën shifër ne ta arrijmë nga angazhimi i bizneseve nëpërmjet angazhimit nga dhomat e tregtisë në të gjithë vendin.
Nuk dua të flas shumë gjatë pasi për të gjithë procedurat dhe ato që ne do të synojmë nëpërmjet këtij programi, por dhe me të gjithë nismat e tjera që ne kemi ndërmarrë në kuadër të formimit të nxënësve në drejtim të IT, do të flasin dy koleget e mia.
Doja ta mbyllja duke thënë që kjo nuk është nisma e vetme. Ne do të vazhdojmë të mbështesim formimin dhe aftësimin e të gjithë të rinjve shqiptarë pasi besojmë fort se duke mbështetur të rinjtë ne mbështesim një jetë të denjë për ta, mbështesim rritjen ekonomike dhe mbështesim zhvillimin e Shqipërisë, që të gjithë kaq shumë e duam.
Faleminderit dhe uroj të kemi sa më shumë kodues në të ardhmen.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.