Qeveria prezantoi paketën e re të rezistencës sociale me të cilën synon të vijojë mbështetjen e qytetarëve, shtresat më në nevojë të popullsisë, biznesin e vogël dhe disa prej sektorëve kryesorë të ekonomisë nga efektet e krizës së çmimeve.
Paketa e re u prezantua nga Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Zv. Kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Fillimisht në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se falë politikave dhe masave të ndërmarra me paketën e parë të rezistencës sociale, është arritur një performancë e mirë ekonomike dhe një nivel i kontrolluar i inflacionit në vend.
Megjithatë, në kushtet kur kriza pritet të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, Ministrja Ibrahimaj tha, se është vendosur për një mbështetje afatmesme dhe të qëndrueshme.
Ministrja theksoi se qeveria do të vijojë të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike dhe përmes paketës së re të rezistencës sociale do të indeksohen me 6 % të gjitha kategoritë e pensioneve, do të indeksohen pagat në sektorin publik 7 %, do të rritet paga minimale në 34 mijë lekë, do të rritet apo dyfishet ndihma ekonomike sipas kategorive, do të rritet ndihma për personat me aftësi të kufizuar me 7.5 %, etj.
Nga ana tjetër, do të vijohet të mbështeten disa prej sektorëve kryesorë të ekonomisë më të prekur nga kriza si bujqësia, transporti dhe peshkimi.
Fjala e Ministres Ibrahimaj në prezantimin e Paketës së re të Rezistencës Sociale:
Shqetësimi kryesor që qeveria ka pasur gjatë vitit të fundit ka qenë përballimi i krizës dhe problematikat e lidhura me përballimin e saj.
Ne që në muajin mars ndërmorëm një paketë masash të rëndësishme, me qëllim përballimin e efekteve të kësaj krize, ku shqetësimi ishte buxheti i familjeve shqiptare, i cili do të ndikohej qoftë nga efektet e çmimeve të konsumit, qoftë nga efektet e çmimeve të energjisë.
Ne morëm një vendim që prej fillimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike që në fund të vitit të kaluar që nuk do të rrisnim çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët dhe për bizneset e vogla, të cilat nuk mund ta përballonin këto.
Rreth 5.6 % të buxhetit të familjeve shqiptare përbëhet nga pagesa e energjisë elektrike. Nëse ne do të reflektonim çmimet reale të energjisë, aq sa ne paguajmë për të blerë energji elektrike, për ta importuar atë, kjo pagesë do të shkonte në 50 % të buxhetit të familjeve shqiptare, nga 5.6 % do të shkonte 50 %, do të 10 fishohej. Ne këtë e ndaluam duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë e tyre blerëse dhe në konsumin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare.
Ne vendosëm që do të subvenciononim të gjithë ata individë të cilët nuk mund ta përballonin rritjen e çmimeve të ushqimeve. Më shumë se 500 mijë individë u ndihmuan me anë të Paketës së parë, pikërisht me aq sa ishte rritja e çmimeve të ushqimeve në atë moment. Rreth 9 mijë lekë për familje u dhanë pikërisht për këtë arsye.
Nga ana tjetër ne ndikuam në mos rritjen e kostove të prodhimit, duke subvencionuar energjinë elektrike për bizneset e vogla shqiptare, duke subvencionuar rritjen e çmimit të naftës për ato sektorë të cilët janë më të prekur nga rritja e çmimit, pra fermerët, transportin, e tashmë edhe peshkatarët.
Kjo bëri që inflacioni në Shqipëri të ishte ndjeshëm më ulët se sa vendet e BE dhe gati sa gjysma e inflacionit në disa vende të rajonit. Të gjithë vendet e rajonit në këtë moment kanë inflacion dyshifror, ndërkohë që në muajin korrik Shqipëria kishte një inflacion 7.5 % dhe mesatarja nga janari deri në korrik është 6 %. Kjo nuk vjen natyrshëm. Kjo vjen si rrjedhojë e politikave që ne kemi ndërmarrë me qëllim që të mos ketë një kosto të shtuar të prodhimit shqiptar. Rreth 40 % e inflacionit është inflacion i prodhuar shqiptar, i ndikuar drejtpërdrejt nga vendimi që ne kemi marrë, jo pa kosto, për të mbështetur çmimin e energjisë elektrike dhe për të mbështetur shtresat në nevojë.
Ne kemi pasur një performancë të mirë ekonomike gjatë këtij viti pikërisht prej politikave të marra në kohën e duhur dhe në sektorët specifikë dhe në ato hapësira specifike që kanë nevojë për mbështetje.
Kemi pasur rritje të qarkullimit të bizneseve, rritje të numrit të bizneseve aktive, rritje të eksporteve dhe të importeve, ashtu sikurse kemi patur rritje të vendeve të punës. Këto janë shifra jo të zakonshme në një moment krize, por efekt I politikave të duhura që kanë nxitur konsumin, duke bërë që ai të mos bjerë dhe të ndikojë pozitivisht në aktivitetin ekonomik të vendin.
Tashmë e gjejmë veten në një situatë e cila është e ndryshme nga ajo që parashikonim në mars. Në muajin mars, jo vetëm ne, por edhe Banka e Shqipërisë, institucionet ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, parashikonim që në gjysmën e dytë të vitit inflacioni të fillonte të ngadalësohej dhe efektet e krizës të ngadalësoheshin në ekonominë shqiptare e jo vetëm.
Por lufta nuk mbaroi dhe efektet e saj qoftë në çmimet e konsumit, qoftë në çmimet e karburanteve dhe të energjisë nuk mbaruan. Kjo është arsyeja pse ne na duhej që të merrnim një vendim për të pasur një mbështetje afatmesme e të qëndrueshme, për një krizë e cila ka vendosur të qëndrojë dhe do të ndikojë në vendin tonë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Kështu, siç prezantoi edhe Kryeministri, ne kemi vendosur që të mbajmë subvencionimin e energjisë elektrike, që është kostoja kryesore e kësaj pakete.
Kemi vendosur të indeksojmë pagat dhe pensionet. Të indeksojmë të gjitha transfertat për grupet vulnerabël dhe gjithashtu të vazhdojmë të mbështesim fermerët, peshkimin dhe transportin.
Nga pensioni i muajit shtator, i cili do të fillojë të paguhet në tetor, ne do të indeksojmë 6 % të gjitha kategoritë e pensioneve, dhe duke i shtuar 3.3 % që u indeksuan në muajin prill, ne kemi bërë një rritje prej 9.5 % në krahasim me pensionin që pensionistët merrnin gjatë vitit të kaluar, pra më të lartë se sa në fakt është rritja e shportës së pensionistëve që për periudhën janar-korrik ka pësuar një rritje prej 5.9 %. Janë 674 mijë përfitues të cilët do të përfitojmë nga indeksimi i pensioneve. Nga ana tjetër, si kosto në buxhet, kjo parashikohet të jetë 2 miliardë lekë për këtë vit dhe duke qenë se kjo është një paketë e qëndrueshme, ajo do të ketë një kosto në buxhet prej 8.4 miliardë lekësh në vitin e ardhshëm.
Ne do të rrisim pagat në sektorin publik me 7 %, që është parashikimi i rritjes së inflacionit që ne kemi për vitin 2022. Janë 41 mijë punonjës të administratës publike, të cilët do të mbështeten me këtë masë.
Janë 3600 punonjës të policisë së burgjeve dhe 10.800 policë të cilët do të përfitojnë.
Janë më shumë se 20 mijë punonjës të administratës publike dhe punonjës mbështetës të cilët do të përfitojnë nga rritja e pagave me 7 %.
Ne do të rrisim pagën minimale për herë të dytë gjatë këtij viti me 7 %, duke pasur një rritje neto për të gjithë ata qytetarë që paguhen me pagë minimale, rreth 200 mijë qytetarë, me 3500 lekë në krahasim me një vit më parë.
Nga ana tjetër, ne kemi menduar për ato kategori të cilat janë më vulnerabël dhe nuk mund të përballojnë efektet e kësaj krize.
Ne do të rrisim me 10 % masën e përfitimet për të gjitha familjet që ndodhen në ndihmë ekonomike.
Do të dyfishojmë masën e përfitimet për gratë kryefamiljare me dy fëmijë, të cilat janë brenda ndihmës ekonomike.
Do të dyfishojmë masën e ndihmës ekonomike për personat mbi 65 vjeç, të cilët janë të vetmuar dhe nuk përfitojnë nga pensione apo pensione sociale.
Përmes kësaj paketë adresohen edhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara, ndihma e të cilëve rritet me 7.5 %, ndërkohë që kemi vendosur të rrisim mbështetjen për energjinë elektrike që ato marrin.
Përmes kësaj paketë do të vazhdojmë të targetojmë ato sektorë të biznesit të cilët janë më të prekur nga kriza.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim fermerët duke shtuar masën për naftën pa taksa, duke e çuar numrin e fermerëve përfitues në rreth 34 mijë nga 19 mijë që ka qenë një vit më parë.
Kemi menduar për një subvencion shtesë për mbjelljen e grurit në vlerën 500 milionë lekë, pikërisht për ta garantuar mbjelljen e grurit dhe ofertën e grurit në vend për vitin e ardhshëm, në kushtet kur kriza do të vijojë, pasi lufta në Ukrainë po vijon.
Gjithashtu, kemi mbështetur sektorin e peshkimit me koston shtesë për karburante.
Do të vijojmë të mbështesim transportin dhe sigurisht do të vijojmë të mbështesim qytetarët dhe bizneset e vogla për energjinë elektrike.
Faleminderit.
PAKETA 2 E REZISTENCËS SOCIALE
+6% ose +2 Mld Lekë rritje për Shtator -Dhjetor 2022, për 674 mijë përfitues,
9.5% rritja e pensioneve, +8.4 Mld Lekë për vitin 2023
+7% për 41 mijë punonjës me efekt +713 mln lekë në Shtator -Dhjetor 2022 dhe +2.9 Mld lekë në vitin 2023
Policia e Shtetit: +5,560 Lekë/Muaj për 10,800 punonjës
Policia e Burgjeve : +10,548 Lekë/Muaj për 3,600 punonjës
Administratë: +5,000 Lekë/Muaj për 20 mijë punonjës
+7% rritje e pagës minimale në 34,000 lekë
+13%, +3,500 lekë rritja neto nga fillimi vitit për 200 mijë punonjës
+10% rritja e masës së përfitimit për të gjithë familjet
Dyfishojmë rritjen e masës së përfitimit për:
Efekti Financiar: Shtator-Dhjetor 2022: +236 mln lekë;
2023: +944 mln lekë/vit për 64 mijë familje përfitues
+7.5% Indeksimi i pagesave për PAK
Efekti Financiar: Shtator-Dhjetor 2022: +188 mln lekë;
2023: +752 mln lekë për 90 mijë përfitues
Efekti Financiar: Shtator-Dhjetor 2022 : +31 mln lekë
2023: +123 mln lekë/vit për 11,411 përfitues
+500 mln Lekë për naftën, 2 mld lekë total mbështetje për vitin 2022 për 34 mijë përfitues ;
+500 mln lekë për mbjelljen e grurit
+200 mln Lekë për rimbursimin e TVSH-së së naftës për 200 përfitues
TOTALE MBËSHTETJE PËR PËRBALLIM E KRIZËS 2022
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.