Postuar më: 31/05/2016

Pranvera 2016 e ka lënë pas krizën ekonomike! Rimëkembja po përshpejtohet.

Përshëndetje,

Siç po e bëjmë traditë, një herë në muaj do të ulemi së bashku me gazetarët për të ndarë zhvillimet më të fundit makro-ekonomike dhe fiskale, por sot kemi dhe një arsye shumë specifike, sepse në datën 27 maj, pra para pak ditësh, Bordi i FMN ka kaluar në vendimarrje për sa i përket rishikimit të 7-të të programit që ne kemi me FMN dhe kam kënaqësinë që të ndaj me median, por dhe me qytetarët shqiptarë,  Bordi i FMN referon dhe po citoj:

“Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare po përshpejtohet dhe të gjitha parashikimet afatmesme duken të favorshme me kusht që reformat të vazhdojnë të mbajnë momentumin dhe pronësia e autoriteteve mbi programin dhe implementimi ambicioz i reformave fiskale dhe strukturore është i lavdërueshëm. Megjithatë disa reforma kritike, i referohemi klimës së biznesit, akoma kanë mbetur mbrapa. Dhe vendosmëria e autoriteteve për të vazhduar me konsolidimin fiskal është thelbësore në mënyrë që të vazhdojnë të ulen të gjitha dobësitë që ka struktura fiskale dhe për të vazhduar uljen e borxhit”.

Pra me fjalë të tjera programi me FMN është në drejtimin e duhur, ekonomia shqiptare përfundimisht e ka lënë krizën mbrapa dhe sigurisht që ka risqet dhe sfidat e veta. Sfidat e veta kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë makro-fiskale, sfidat e veta kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit dhe në të njëjtën kohë sifdat kanë të bëjnë gjithashtu me reformën finale, Reformën në Drejtësi, pavarësisht se në këtë pres release të FMN nuk është thënë, por sigurisht që në të gjitha diskutimet qoftë zyrtare, qoftë jo zyrtare, Reforma në Drejtësi ka qenë emëruesi i përbashkët.

Unë realisht kam kënaqësinë që ta ndaj këtë moment me ju, për mua është kënaqësi edhe referimi i të gjithë punës që ka bërë Qeveria shqiptare për sa i përket reformave, por kuptohet që në të njëjtën kohë është edhe një sfidë e madhe për të vazhduar atë momentum të reformave që ne kemi ndërmarrë deri tani.

 

Prezantimi i ministrit Ahmetaj

Po ndaj me ju performancën e të ardhurave për 4-mujorin. Rritje konstante të të ardhurave buxhetore në total dhe të ardhyrat nga tatimet, doganat dhe sigurimet.

Konsumi privat, është bërë legjendë urbane tashmë. Bazuar në raportin e fundit të BSH, konsumi privat vlerësohet të jetë rritur edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2016 dhe të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar u rritën me 10.8%, kuptohet një indikator i drejtpërdrejt I vlerës së shtuar në ekonomi.

Bizneset e reja, është interesante që në janar-maj 2016 janë 9849 biznese, një rritje prej 24%, krahasuar me vitin e kaluar. Nuk e kemi efektin e betejës anti-informalitet që do të quhej sikur qe deformuar, pra jemi bazë më bazë, e krahasuar në mënyrë të drejtë.

Kemi një rritje të bizneseve të huaja, pra ajo fabula politike që janë larguar investitorët thjeshtësisht rrëzohet nëpërmjet shifrave, janë 680 biznese të huaja me kapital 100% të huaj apo të përbashkët. Siç e shikoni ka një momentum në aktorët ekonomikë në numrin e ndërmarrjeve, shumë shpejt del dhe Indeksi i Ndërmarrjeve, i cili është shumë pozitiv në informacionin tim operativ.

Punësimi, besoj është interesant për të ndarë me ju se çfarë po ndodh me punësimin. Është rritur punësimi me 4.8% dhe forcat e punës me 4.3 % ndërsa vlera e papunësinë është 17.1%. Pra për grupmoshat 15 vjeç e lart punësimi është rritur me 4.8%  dhe papunësia është 0.4% më e ulët e krahasuar me vitin 2014. Dikush mund të thojë që 0.4% nuk është asgjë, mos harroni se 0.4% janë familje dhe qytetarë shqiptarë që kanë gjetur punë, nuk është një përqindje, janë krijesa njerëzore që kanë gjetur punë. Sigurisht norma mbetet e lartë, por tendeca duket në ulje dhe jam I bindur që edhe me përmirësimin e klimës së biznesit, janë të lidhura, sigurisht që ajo trajektore ulëse e papunësisë do të vazhdojë.

Ju kam sjellë konsumin edhe nominal, por ju kam sjell dhe dy tremujorët e fundit të 2015, ku konsumi privat vjen në rritje. Duke përfshirë dhe tremujorin e parë të këtij viti, do të kemi 3 tremujorë konsekutivë me rritje të konsumit privat, është një shenjë shumë e mire, e pamjfatueshme patjetër, por është një shenjë shumë e mirë e besimit në ekonomi.  Dhe dua ta theksoj që konsumi i popullatës përfaqëson 78% të kërkesës së brendshme.

Ju kam sjellë edhe inflacionin. Dua t’ju jap dhe një shifër interesante të nxjerrë nga raporti i fundit i BSH: nëse inflacionin e grupit të ushqimeve ne e kemi gati 1.2%, Rajoni e ka -0.6%, dhe e kam theksuar dhe në Parlament, po e ndaj dhe me ju që jeni gazetarë më eksperiencë në fushën e ekonomisë, që është goditje e ofertës, pra ka të bëjë me importimin e çmimeve të ulëta, jo vetëm të naftës, por dhe produkteve ushqimore, etj dhe besoj që do të vijë gradualisht në një rritje normale, ka shenja të rritjes të çmimit të naftës.

Çmimi i energjisë elektrike i cili ka pësuar rënie me 30%, është një lajm shumë i mire për ta mbajtur përtej politikës. Besoj se është një lajm i mirë për këdoqoftë për uljen e çmimit mesatar.

Më tej po ju drejtoj tek eksporti i vitit 2016, që ka dhënë shenjat e para shumë pozitive, po ta shikoni në volum për tremujorin e parë. Pra në debatin e konsumit, morëm volumin qoftë të eksportit qoftë të importit dhe po ta shikoni eksporti në volum është rritur 4. 35% në tremujor, me shenjat e para të eksportit në prill kemi një rritje vjetore prej 1.5%, gjë që është jashtëzakonisht shumë pozitive.

Nga se vjen? Mos harroni se këtu nuk kemi akoma influencën e eksportit të lëndëve minerare dhe atyre djegëse për shkak të çmimeve ndërkombëtare, imagjinoni kur ato çmime të stabilizohen në një nivel pakëz më të lartë, kuptohet që reflektimi në eksporti do të jetë I drejtpërdrejtë.

Tek importi ka një rritje të konsiderueshme prej 17.2% duke ditur që ju jeni shumë të vëmendshëm në detajet dhe do të kishit ngritur nëse është efekti i TAP?! E kam hequr TAP nga importet dhe përjashtuar TAP, importet janë rritur me 7%, pra shenjat në ekonomi, në këndvështirmin tim, janë  shumë positive.

Kredia dhe depozitat janar- mars 2016. Kredia konsumatore njeh rritje prej 12.6 përqind që është shumë positive. Nëse do të vazhdojë kështu, do të kemi konsolidim të konsumit në të gjitha kategoritë e konsumit besoj. Ndërkohë vazhdojmë me kredinë e re mujore për ekonominë, janar-prill siç e shikoni krahasimin me rritjen modeste, por trendi është shumë i rëndësishëm . Kredia për biznesin është modeste, por trendi është pozitiv.

Kam sjellë sërish vlerësimin e Bordit të FMN ku thotë se rimëkëmbja ekonomike po konsolidohet, unë jam shumë i lumtur që t’ju them se dhe pranvera e këtij viti shënon lënien mbrapa të krizës ekonomike, nuk po lexoj atë të pjesën ku thotë progres mbresëlënës shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe vendosmëria e qeverisë është e lavdërueshme.

Dy fjalë për ligjin organik të buxhetit. Me kënaqësi ndaj me ju që dje kemi kaluar në Komision, ndryshimet në ligjin organik të Buxhetit. Ligji organik i buxhetit është një epokë e re në menaxhimin e financave  publike që mbi të gjitha vendos rregullin fiskal dhe rregulli fiskal është i drejtpërdrejtë: asnjë qeveri me ligj, nuk ka të drejtë të rrisë borxhin, përveçse ka detyrim ta ulë. Pra për herë të parë në ligj , në ligjin organik të buxhetit, shënohet një rregull fiscal.

E dyta që ju intereson shumë përveç procedurave që janë shumë të rëndësishme për menaxhimin e financave publike, kontrollon të gjitha lëvizjet financiare të qeverisë në një vit elektoral, pra nuk ka të drejtë asnjë qeveri të harxhojë në tremujorin e parë më shumë se 30% të deficitit vjetor dhe brenda 6-mujorit të parë jo më shumë se 55 % të deficitit vjetor, besoj se e mbani mend që ne e gjetëm të gjithë deficitin vjetor 0, kur erdhën në korrik 2013. Me këtë nuk i lejojmë asnjë qeverie, që të abuzojë medemek sikur s’e ka mendjen, me financat publike në një vit elektoral.

Dua të ndaj me ju që vendos rregulla shumë të forta për investimet publike, për transparencën e investimeve publike dhe nuk lejon fragmentimin e projekteve, duke detyruar që asnjë projekt nuk mund të futet në buxhet pa pasur të alokuar në vitin korrent 20% të totalit.

Për sa i përket informalitetit, shumë shpejt do të kemi një komunikim publik për paketën e re të procedurave dhe do të ndajmë edhe informacionin për informalitetin, është gjithashtu një paketë që shënon një epokë të re në menaxhimin e administratës fiskale tatimore, ku biznesi merr prevalencë nëpërmjet procedurave.

Faleminderit!

 

Fjala e përfaqësuseit të FMN Jeins Reinke

Mund të shtoja në të vërtetë shumë pak, përveç atyre që u thanë, por më lejoni të them që performanca ka qenë vërtetë ekzemplare. Ne mbyllëm rishikimin e 7-të të programit. Gjatë gjithë kohës programi ka performuar në mënyrë shumë të mirë dhe që nga fillimi nuk ka pasur ndonjë rishikim të programit, i cili të ketë patur vërtetë ndonjë problem apo ndonjë çështje të diskutueshme. Ka pasur një trajektore mjaft të mirë të axhustimit fiskal, gjithashtu ka pasur reforma strukturore që kanë shoqëruar një vendimmarrje politike të guximshme, gjithashtu mund të them se ritmet e rritjes ekonomike janë shumë të mira po t’i vëmë në krahasim me mjedisin ndërkombëtar dhe gjithashtu po të shikohet që janë realizuar  në kontekstin e një konsolidimi fiskal .

Të rejat e fundit për rritjen ekonomike janë inkurajuese, por natyrisht që ne do të donim që rritja ekonomike të ishte akomë më e lartë në mënyrë që të ndihej dhe të bënte një ndryshim në jetën e shqiptarëve, prandaj është e rëndësishme që të ketë përmirësim të vazhdueshëm të klimës së biznesit. U përmend këtu edhe Reforma në Drejtësi e cila është mjaft e rëndësishme në këtë drejtim, gjithashtu të tjera reforma si p.sh. përmirësimi i klimës së biznesit dhe përmirësimi i administrimit tatimor, gjëra për të cilat qeveria po punon dhe të cilat kanë potencialin që të kenë një ndikim vërtetë të madh në përmirësimin e klimës së mëtejshme të biznesit.

Të rejat e fundit