Postuar më: 25/07/2019

Plani Operacional, Ministrja Denaj: Fiskalizimi do të ndihmojnë në formalizimin e biznesit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, në kuadër të zbatimit të Planit Operacional të luftës kundër Informalitetit, ishte në zonën e Velipojës.

Gjatë inspektimit të një biznesi në sektorin e hoteleri-turizmit, i cili rezultoi i rregullt në respektimin e ligjit dhe procedurave tatimore, ministrja Denaj vlerësoi sjelljen korrekte dhe përmbushjen vullnetare të detyrimeve. Ajo sqaroi se synimi i qeverisë nëpërmjet zbatimit të Planit kundër Informalitetit është të garantojë zhvillimin e konkurrencës së ndershme në treg, si dhe të mbrojë sipërmarrjen dhe konsumatorin.

Ministrja Denaj u shpreh se lufta kundër informalitetit nuk mund të bëhet vetëm me ndërgjegjësim dhe inspektime në terren, ndaj Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për zbatimin e projektit të Fiskalizimit, përmes së cilit do të monitorohen në kohë reale të gjitha transaksionet, ato që kryhen nëpërmjet sistemit bankar dhe jashtë tij.

“Procesi i Fiskalizimit do të synojë modernizimin e Administratës Tatimore. Është një sistem, përmes së cilit do të monitorohen transaksionet “cash” dhe “jo cash” në kohë reale. Ju sot nëpërmjet kasave fiskale jepni informacion dhe në fund të ditës transmetohet e gjithë xhiroja që keni kryer në Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve. Por, duke filluar nga janari i vitit tjetër, nëpërmjet këtij modernizimi të sistemit, Fiskalizimit, çdo faturë do të jetë e regjistruar, do të jetë e monitoruar në kohë reale dhe do të bëjë që edhe procesi ynë të mos jetë me inspektime e monitorime në terren, por në distancë. Informacioni që do të kemi do të jetë më i plotë, në kohë reale për të gjithë transaksionet, si ato “cash” që sot menaxhohen kryesisht nëpërmjet marrëdhënies biznes me klient dhe ato “jo cash” që kalojnë në sistemin bankar. I gjithë sistemi i pagesave, pagesat për investime publike, pagesat qeveritare etj. do të jetë elektronik dhe besojmë që deri në vitin 2021 ky proces të finalizohet”, tha ministrja Denaj.

Për Ministren Financave dhe Ekonomisë, respektimi i ligjit nga të gjithë dhe trajtimi i barabartë përpara tij është thelbësor për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme.