Postuar më: 06/09/2022

Përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike, MFE dhe APP hartojnë manualin e përbashkët për institucionet buxhetore

 

Me synim përmirësimin e menaxhimit të kryerjes së investimeve publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia e Prokurimit publik kanë hartuar një hartuar një manual të përbashkët.

Manuali ka për qëllim shpjegimin e hapave që duhet të ndiqen me qëllim realizimin e procedurës së prokurimit në sistemin e prokurimit elektronik, për të gjitha institucionet buxhetore që aksesojnë Web Portal në sistemin SIMF (Sistemi Informatik i Menaxhimit Financiar) dhe SIFQ (Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë), respektivisht për konfirmimin mbi fondet e vlefshme të kërkesës për angazhim (urdhrit të prokurimit) nga struktura e sistemit të thesarit dhe regjistrimin e kërkesës për angazhim në SIFQ, si dhe ato që nuk kanë akses në Web Portal.

Përmes zbatimit të hapave të përcaktuara në manual nga institucionet buxhetore, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të mund të ketë informacion më të plotë dhe në kohë për zbatimin e projekteve të investimeve të ndryshme publike.

Kjo pasi, mundësohet një ndërlidhje më e mirë mes sistemit të prokurimit publik, Sistemi Informatik të Menaxhimit Financiar dhe Sistemi Informatik Financiar të Qeverisë.

Deri më tani, Ministria e Financave dhe Ekonomisë shfrytëzonte informacionin e marrë nga sistemi i Thesarit për menaxhimin e investimeve publike, informacion që përfshinte planin, alokimin, realizimin dhe pagesat e kryera për kontratat, të cilat regjistrohen në Thesar brenda 5 ditëve nga momenti i lidhjes së kontratës.

Me zbatimin e manualit, tashmë informacioni që do të disponojë MFE përfshin edhe periudhën kohore nga momenti i shpalljes së procedurës së prokurimit e deri në lidhjen e kontratës mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik, informacion që gjendet në APP.

Në këtë mënyrë, MFE do të ketë informacion të plotë për investimet publike në të gjitha hallkat, i cili do të ndikojë edhe në vendimmarrjen e saj sa i përket ndryshimit të buxhetit.

https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/08/Njoftim-MFE_APP.pdf

https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/08/Manual-teknik.pdf