Postuar më: 13/02/2019

Përmirësimi i klimës së biznesit, Ministrja Denaj fton investitorë gjermane në Shqiperi

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë ne takimin e Shoqatës  Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHA), në Tiranë. Krahas informimit mbi reformat e ndërmarra nga Qeveria për krijimin e një klime të favorshme për biznesin, Ministrja Denaj, iu bëri një ftesë të hapur bizneseve dhe investitorëve gjermanë  që ta shohin vendin tonë si një pikë strategjike për të investuar. Investimi në Shqipëri është një portë për gjithë tregun e rajonal të Ballkanit Perendimor.

 

Më poshtë Fjala e plotë e Ministres në këtë takim.

 

Eshtë një kënaqësi për mua të marr pjesë sot në këtë takim të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, në Shqipëri. DIHA është një pikë e rëndësishme kontakti midis bizneseve gjermane dhe atyre shqiptare, si edhe zëri i bizneseve gjermane në Shqiperi.

Gjermania është një partner strategjik i rëndësishëm për Shqipërinë dhe, si i tillë, ka një rol lidershipi në Rajon, si dhe është nxitëse e proceseve integruese të Ballkanit në Bashkimin Europian. Për më tepër ajo ishte një përkrahëse e hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe ka inkurajuar vazhdimisht reformat ekonomike në vend.

Ne, i jemi gjithashtu shume mirënjohës Gjermanisë si një “donator direkt” në forma të ndryshme financimi si grante, kredi të buta, asistencë teknike, dhe si një kontribues përmes Bashkimit Europian, Bankës Boterore dhe Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, Shqipëria po bën përpjekje të shumta për t’u bërë gjithnjë e më shumë një vend tërheqës për investitorët e huaj.

Ju lutem, më lejoni t`ju informoj mbi disa arritje të Qeverisë Shqiptare përsa i përket klimës ekonomike në vend.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 4.2% në 2018, një nga rritjet me të larta në Europën Juglindore. Investimet e huaja direkte (FDI) janë në nivelin rreth 1 miliard euro në vit (sa 8% e PBB). Eksportet u rriten me 13,7% në 2018. Ndërsa norma e inflacionit mbetet në 1,8% dhe poshtë 3% për një dekade. Ndërsa papunësia ka arritur në nivelin më të ulët historik prej 12.2% në 2018.

Përsa i takon klimës së investimeve, sipas raportit “Doing Business” 2019, Shqipëria renditet e 63-ta në rang botëror. Kjo është një arritje e paprecedentë për një periudhë kaq të shkurter, duke u ngjitur me 45 pozicione që nga viti 2013.

Nga ana tjetër, Raporti i “Heritage Foundation” për vitin 2018, e rendit Shqipërinë në vendin e 65-të në rang botëror dhe të 32-të në rajon për Economic Freedom Index (Indeksi i lirise ekonomike). Kjo konfirmon edhe njëherë objektivin e Qeverisë për të arritur performancë më të lartë në Tregtinë e lirë, politikat fiskale dhe stabilitetin monetar.

Gjithashtu, raporti i World Economic Forum 2017-2018 (Forumi Ekonomik Botëror), thekson,  se Shqipëria është ngjitur me 5 pozicione në Global Competitiveness Index (Indeksi I konkurencës globale) duke u renditur e 75-ta midis 137 vendeve, si rezultat i përmirësimit të aftësive të saj konkuruese.  Ndërkohë renditet e para në lehtësirat për punësimin e huaj.

Qeveria, është plotësisht e angazhuar në rritjen e efikasitetit të administrimit të taksave dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo është arsyeja që po ndërmarrim reforma të forta për konsolidimin fiskal dhe luftën kundër informalitetit.

Në vijim, për të përmirësuar më tej “Doing Business” në Shqipëri, qeveria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në uljen e barrës tatimore për pjesën më të madhe të bizneseve. Sot, tatimi mbi fitimin për bizneset me një xhiro deri në 14 milion lekë është ulur tri herë nga 15% ne 5%. Kjo do të thotë më shumë vende pune dhe mundësi më të mira për biznesin në vetvete.

Një tjetër reformë e rëndësishmë është ajo e deregulimit. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj reforme është reduktimi i liçencave dhe autorizimeve, që kërkohen për biznesin, shërbimet online dhe komponentin e luftës kundër informalitetit të cilat garantojnë: Rregulla të barabarta në treg; Mbrojtjen e konkurrencës së ndershme; Mbrojtjen mjedisore dhe konsumatore.

Për t’ju rikthyer bashkëpunimit Gjermano-Shqiptar, Shqipëria dhe Gjermania kanë një kuadër të plotë ligjor në çdo fushë të ekonomisë. Gjermania është investitori i shtatë më i rëndësishëm në Shqipëri me një portofol 123 milion EUR. Ajo mbetet një nga tre partnerët me të rëndësishëm në terma tregtare me një volum tregtar prej 7% dhe është eksportuesi i pestë më i rëndësishëm; Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë luan një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e këtyre bashkëpunimeve.

Turistët gjermanë kanë pësuar një rritje të vazhdueshme, vit pas viti, nga 82 000 në vitin 2016, në 162 000 në 2017 dhe 72 000 vetëm në periudhën Janar – Korrik 2018.

Projektet gjermane kanë përfshirë kryesisht sektorin e energjisë, bizneseve të vogla dhe të mesme, edukimin profesional, mbrojtjen mjedisore, zhvillimin e potencialeve të turizmit, përshtatjen e legjislacioni shqiptar me atë Europian etj.

Në mars 2018 u firmos një marrëveshje për financimin e projektit për “Fondi për arsimin dhe formimin profesional dhe punësimin”. Qendra Multifunksionale në Kamëz financohet përmes KFW-së përmes një granti prej 4.5 milion EUR.

Gjermania ka ofruar bursa studimi për studentët, angazhimin e ekspertëve në fusha të ndryshme, në projekte kërkimi dhe zhvillimi etj.

Megjithatë, të dhënat dhe numrat e sipërpërmendura nuk përmbushin ende mjaftueshëm kërkesat e bashkëpunimit ekonomik me Republikën Federale të Gjermanisë, si një nga aleatët më të mëdhenj strategjik të Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian.

Me këtë rast, do të doja të përdor praninë time në këtë aktivitet për të ftuar investitorët gjermanë të vijnë dhe të eksplorojnë mundësitë që vendi ynë mund të ofrojë për bizneset e tyre.

Dhe më tej, dua t’ju siguroj se zyra ime do të angazhohet për një transparencë të lartë dhe kujdes ndaj çdo informacioni dhe garancie që mund t’u duhet investitorëve përpara se të vendosin të investojnë në vendin tonë. Ndaj, ju lutem, ejani dhe investoni në Shqipëri.

Faleminderit!

Të rejat e fundit