Postuar më: 14/10/2021

Përmbledhje e Performancës Paraprake 9 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 9- mujore (Janar – Shtator 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale për 9-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104.4 % të planit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 9 – mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 93.8 % të planit të periudhës.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit për 9 – mujorin e vitit 2021 rezultoi në rreth 35.9 miliardë lekë.

 

Performanca Paraprake 9-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 9-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 367 miliardë ose 104.4 % të planit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë rritje prej 58.9 miliard lekë.

Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)

 

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 319.3 miliardë lekë, 49.4 miliardë ose 18.3% më shumë, krahasuar me vitin 2020, si dhe 15.1 miliardë ose 5% më shumë se plani 9 mujor për vitin 2021.

Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 135,9 miliardë lekë, 26.6 miliardë lekë ose 24.3% më shumë se 9 mujori 2020, si dhe 12.6 miliardë lekë ose 10.2% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 9 mujorin e vitit 2021. Të ardhurat doganore të 9 mujorit 2021 janë ndikuar kryesisht nga rritja e volumit të importit,i cili ka sjellë rritje të të ardhurave 23.9 miliardë lekë ose 24.3 % më shumë krahasuar me 9 mujorin 2020.

 

Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 53% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore për periudhën Janar-Shtator 2021, e zënë 5 produkte dhe përkatësisht:

  • karburant importi 26.9%
  • cigaret 14.7%
  • metalet bazë dhe artikujt prej tyre 6.3%
  • automjetet e përdorura me 4.6%

 

Të ardhurat nga TVSH në import për 9 mujorin rezultojnë 90.9 miliardë lekë, 19.4 miliardë lekë ose 27.1% më shumë se një vit më parë, si dhe 9.8 miliardë lekë ose 12.2% më shumë se plani për 9 mujorin 2021. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjatë 9 mujorit 2021, produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë: karburant importi me 3.1 miliardë; automjetet e përdorura me 2 miliardë; metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 1.9 miliardë; veshje dhe tekstile me 0.9 miliardë lekë dhe materialet e ndërtimit me 0.8 miliardë lekë, të cilat kanë një kontribut pozitiv +8.7 miliardë lekë.

Ndër produktet me efekt negativ renditen: telefona celulare, fruta-perime, sheqeri, mielli dhe gruri, biçikletat dhe pjesët, me një efekt -0.2 miliardë lekë.

 

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 37.9 miliardë lekë, 5.9 miliardë lekë ose 18.4% më shumë se viti 2020, si dhe 2.1 miliardë lekë ose 5.8% më shumë se plani i akcizës për 9 mujorin 2021. Ndikim të rëndësishëm pozitiv në të ardhurat nga akciza kanë pasur produktet:

  • Karburant importi, me një rritje 74.7 mijë ton, (+19%) më shumë se viti i kaluar, me efekt në të ardhura +3.2 miliard lekë, ose 19%.
  • Cigare me një rritje 232 ton, (+18%) më shumë se viti i kaluar, me efekt në të ardhura +2.1 miliard lekë, ose 18%.

Ndër produktet e akcizueshme që kishin ndikim negativ ishin:

  • Birrë prodhim vendi me një rënie prej 48 ton me efekt negativ në akcizë me -219 milionë lekë
  • Gaz i lëngët me një rënie prej 21.3 mijë ton (-19%) krahasuar me një vit më parë, me efekt negativ në akcizë me -26.1 milionë lekë

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.8 miliardë lekë, 128.5% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 99.8% kundrejt planit, ose 4 milionë lekë më pak. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.4 miliardë lekë, 380.7 milionë ose 36.7% më  shumë se renta e 9 mujorit të vitit 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rritje si rezultat i rritjes së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 9 mujorin 2021 është 3.9% më shumë se viti i kaluar me efekt +40.5 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt +340.2 milionë lekë. Gjatë 9 mujorit 2021 kemi një rritje të rentës për njësi nga 2.31 lekë/ton në 3.04 lekë/ton.

Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 345.8 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me 7.5% krahasuar me 9 mujorin e vitit 2020 me efekt +23 milionë lekë, dhe rritjes së çmimit të mineraleve, me efekt +17.7 milionë lekë.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.4 miliardë lekë, 0.9 miliardë lekë ose 20.3% më shumë se 9 mujori 2020, si dhe 591 milionë lekë ose 12.4% më shumë se plani i 9 mujorit 2021. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produket si cigaret (9.1%), fruta perimet (8%), mish importi (7.6%), veshjet e këmbës (7.5%).

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 9-mujorin 2021 u realizuan në masën 183.4 miliardë lekë, 22.8 miliardë ose 14.2% më shumë se 9-mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.6 miliardë lekë, ose 1.4% më shumë se plani i 9-mujorit 2021.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 20.4 miliardë lekë, 1 miliardë ose 4.8% më pak se 9-mujori 2020, si dhe 5.7 miliardë ose 21.8% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 9-mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 9-mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i shërbimeve. Rimbursimet për periudhën 9-mujore 2021 arritën 20.8 miliardë lekë, 8.9 miliardë lekë ose 74.8% më shumë se 9-mujori 2020, si dhe 7.3 miliardë lekë ose 53.7% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 9-mujorin 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 24.8 miliardë lekë, 4.9 miliardë lekë, ose 24.3% më shumë se 9-mujori 2020, si dhe 148 milionë lekë ose 0.6% më shumë se plani i vitit 2021 për Tatimin mbi Fitimin. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton se sektori i shërbimit me rritje 27% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2020 dhe sektori i ndërtimit me rritje 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 30.2 miliardë lekë, 4.4 miliardë lekë ose 17.1% më shumë se 9-mujori 2020, si dhe 75 milion lekë ose 0.2% më pak se plani  9-mujorit 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë patur: të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 95 % krahasuar me 9-mujorin e vitit 2020; të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet  me rritje 49 % krahasuar me 9-mujorin e vitit 2020;

Taksat nacionale, për peridhën Janar-Shtator 2021 u realizuan në masën 29.2 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 21.6% më shumë se 9-mujori 2020, si dhe 3 miliardë lekë ose 11.3% më shumë se plani i përcaktuar për 9-mujorin 2021. Peshën më të madhe në të ardhurat e taksës nacionale e zë taksa e qarkullimit rrugor me 50 % të totalit të taksës nacionale, e cila gjatë  9-mujorit 2021 ka pësuar rritje me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 78.8 miliardë lekë, 9.4 miliardë lekë ose 13.5% më shumë se 9-mujori 2020, si dhe realizim 107.1% të planit për 9-mujorin 2021.

 

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9 mujore të vitit 2021, arritën në rreth 403 miliard lekë me një realizim në masën 93.8 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë është rezultuar 9.6 përqind më i lartë ose rreth 35.4 miliard lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 9 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 68 përqind të planit vjetor fillestar dhe 66.1 përqind të planit vjetor të ndryshuar me Aktin Normativ nr.26, datë 22.06.2021 (AN nr.26).

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 9 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97.7 përqind dhe 59.6 përqind të planit të periudhës.

Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

                         Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)

Niveli i deficitit për periudhën 9 mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 35.9 miliard lekë, ose rreth 23.6 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 9 mujore niveli i deficitit rezulton 46 përqind e planit të periudhës prej rreth 78.05 miliardë lekë. Në terma vjetor niveli i deficitit është realizuar 33 përqind e planit vjetor fillestar dhe 29.8 përqind e planit vjetor të ndryshuar.

Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt  (në milion Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)