Postuar më: 16/03/2022

Paketa e Rezistencës Sociale, mbështetje për shtresat që kanë nevojë për mbrojtje

 

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, takime me grupet e interesit që përfitojnë nga Paketa e Rezistencës Sociale

 

Qeveria ka marrë 7 masa nëpërmjet Paketës së Rezistencës Sociale në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit, ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe nga ndikimi i luftës në Ukrainë mbi çmimet.

Lidhur me zbatimin e këtyre masave Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, zhvilluar një sërë takimesh në Tiranë dhe Durrës, me grupe të ndryshme të interesit si,  biznes i vogël dhe pensionistë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj  gjatë  këtyre komunikimeve theksoi,  se  biznesi i vogël në Shqipëri paguan vetëm sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa tatimin mbi fitimin dhe TVSH-në e ka zero.

Aktualisht një biznes i vogël me xhiro vjetore 10 milionë lekë, paguan vetëm 192 mijë lekë në vit për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa në Maqedoninë e Veriut paguan 317 mijë lekë në vit dhe në Serbi paguan 260 mijë lekë.

“Ka reagime se pse ju nuk merrni masat që ka marrë Maqedonia e Veriut dhe Serbia me zerim TVSH-je dhe pezullim të taksës së qarkullimit. Por kjo nuk mund të ndodhë, pasi ne kemi një tjetër strukturë taksash. Biznesi i vogël në fund të muajit paguan zero taksa. Një biznes që ka një qarkullim 10 milionë lekë në vit paguan vetëm kontributet e sigurimeve shoqërore. Nëse marrim një mesatare me 3 të punësuar, ky biznes paguan 192 mijë lekë në vit. Në Maqedoninë e Veriut paguan 317 mijë lekë në vit, ndërsa në Serbi 260 mijë lekë nga punëdhënësi”, tha Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, Ibrahimaj theksoi se në Maqedoninë e Veriut ky biznes paguan 10 % tatim mbi fitimin, pra 250 mijë lekë dhe 18 % TVSH.

“Pra në Maqedoninë e Veriut një biznes nga fitimi i tij bruto i paguan 40 % shtetit, ndërsa në Serbi paguan 44 %. Në fund fare, nëse bëjmë llogaritë e një biznesi me xhiro 10 milionë lekë në vit, ju ju mbetet më shumë sesa po të punonit në njërin nga këto vende”, tha ministrja.

Ibrahimaj u ndal edhe te kostoja e energjisë elektrike, e cila për familjarët dhe biznesin e vogël nuk ka ndryshuar, pavarësisht se çmimi në bursa ka njohur rritje me disa herë.

Njëkohësisht, Ibrahimaj sqaroi edhe debatin për heqjen e TVSH-së, teksa tha , se dyqanet e vogla janë të përjashtuara nga TVSH-ja dhe vetëm marketet e mëdha janë të përfshira në skemën e TVSH-së.

 

                        Paketa e Rezistencës Sociale

 

Paketën e Rezistencës Sociale parashikon 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.

 

Qeveria do të kompensojë rritjen e çmimit të shportës me 3 mijë lekë në muaj për 3 muaj rresht, ku do të përfitojnë 576 mijë qytetarë. Nga kjo masë përfitojnë pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës  minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift) si dhe persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.

 

 

Paketa e Rezistencës Sociale parashikon 1.45 miliardë lekë mbështetje për fermerët me naftë pa taksa.

 

Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.

 

Nga muaji prill do të zerohet taksa për pagat deri në 40 mijë lekë, do të përgjysmohet taksa mbi pagat deri në 50 mijë lekë dhe do të ulet taksa mbi pagat nga 150-200 mijë lekë.

 

Qeveria do tërheqë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 32 mijë lekë.

 

Paketa e Rezistencës Sociale, parashikon 28 miliardë lekë për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.