Postuar më: 15/06/2022

“Nxitja e investimeve në sektorin privat, element kyç për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në prezantimin e Raportit të Diagnostikimit të Sektorit Privat të Vendit për Shqipërinë, përgatitur nga IFC-ja dhe Banka Botërore.

Raporti vëren se nxitja e investimeve në sektorin privat, veçanërisht në sektorët e bujqësisë dhe turizmit, si dhe shfrytëzimi i ndryshimeve të tregut në periudhën pas COVID-it, për të ndihmuar industrinë e sapolindur të pjesëve të këmbimit për automjetet që të rritet dhe të integrohet në zinxhirin evropian të prodhimit të automjeteve, do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe për të nxitur ekonominë në Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj falënderoi IFC dhe Bankën Botërore për realizimin e këtij raporti dhe shprehu vlerësimet për gjetjet dhe rekomandimet e tij lidhur me sektorët e ekonomisë shqiptare.

Sipas Ministres, krizat e viteve të fundit treguan rëndësinë e gjetjes së rrugëve të reja për zhvillimin e sektorit privat dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.

“Raporti i CPSD-së ofron rekomandime të vlefshme në lidhje me tre sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, të cilët kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë potencialin e tyre në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në vend”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Sipas dokumentit të publikuar, sektori privat është jetik për zgjerimin e bazës ekonomike të vendit, promovimin e rritjes ekonomike më të shpejtë dhe më të larmishme e të orientuar drejt eksportit.

Gjithashtu, theksohet se Shqipëria mund të arrijë rritje ekonomike më të madhe dhe më të qëndrueshme, duke forcuar integrimin e tregtisë me ekonominë globale dhe atë të Bashkimit Evropian, si dhe duke zgjeruar rolin ekonomik të sektorit privat.

Drejtori Rajonal i Komanduar i IFC-së për Evropën, Damien Shiels, u shpreh se

Raporti synon të ndihmojë qeverinë shqiptare në promovimin e një rritjeje të fuqishme ekonomike dhe në diversifikimin dhe konkurrencën në ekonomi përmes zhvillimit të sektorit privat.

Nga ana e tij, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas, tha se: “Në këto kohë të trazuara, një rimëkëmbje e shëndoshë dhe e qëndrueshme kërkon një sektor privat më produktiv dhe më të fortë. Ky raport ndihmon për të kuptuar se cilat segmente të sektorit privat janë më premtuese dhe se si politikat publike mund të ofrojnë kuadrin ligjor të nevojshëm, duke i mundësuar atij që të punojë në mënyrë më efikase dhe të krijojë vende pune më shumë dhe më të cilësore”.