Postuar më: 09/04/2019

Nxitja e biznesit të huaj dhe vendas, prioritet i politikave të qeverisë

Vazhdimi i mëtejshëm i reformave, konsolidimit fiskal dhe ndërmarrja e politikave nxitëse për biznesin vendas dhe të huaj janë disa nga prioritetet e qeverisë shqiptare për vitin 2019. Shqipëria shënoi vitin e kaluar një rritje ekonomike ndër më të lartat në rajon, që dëshmon se viti 2018 ka qenë i rëndësishëm në drejtim të reformimit dhe krijimit të kushteve të mëtejshme për një klime më të mirë të biznesit.

Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Belinda Ekonomi, ishte e pranishme sot në aktivitetin e organizuar nga DIHA dhe ambasada Gjermane, ku u prezantua anketa e bizneseve Gjermane për klimën e biznesit dhe investimeve për vitin 2019.

Ikonomi vlerësoi angazhimin e DIHA-s dhe Ambasadës Gjermane dhe u shpreh se rezultatet e anketimit do të analizohen më tej në takime konstruktive me përfaqësues të shoqatës gjermane, me qëllim marrjen e masave konkrete nga ana e qeverisë aty ku është e nevojshme.

Duke u ndalur te prioritetet për vitin aktual, Zv.Ministrja vuri theksin në nxitjen e mekanizmave që ndikojnë drejtpërsëdrejti në nxitjen e investimeve dhe në intensifikimin e përpjekjeve dhe fokusit të qeverisë për pajisjen e forcës punëtore me aftësitë e duhura në shërbim të nevojave të sektorit privat.

 

Fjala e Zv.Ministres Ikonomi:

Në radhë të parë falënderoj Shoqatën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) dhe Ambasadën Gjermane lidhur me angazhimin e saj aktiv çdo fillim viti nëpërmjet takimeve dhe anketimeve të bizneseve për pritshmëritë e këtij viti.

Pa dyshim që takimet e përbashkëta, anketimet e përfaqësuesve të kësaj Shoqate por dhe Shoqatave të tjerave janë shumë të rëndësishme dhe të shëndetshme, me qëllim identifikimin e çështjeve që shqetësojnë biznesin, që në disa raste mund të jenë reale, por dhe në disa raste lidhen me çështje perceptimi dhe se si biznesi i shikon dhe i vlerëson veprimet e administratës, se si percepton zhvillimet politike në planet e veta afatshkurtra dhe afatmesme të tij dhe ekonomisë në përgjithësi.

Përpara marrjes së këtij pozicioni kam patur fatin të prek në terren punën e përditshme përtej politikave, me veprime konkrete dhe mund të them pa dyshim që përgjatë viteve të fundit ka patur shumë lehtësi për biznesin, ka një ndërgjegjësim të tij lidhur me zbatueshmërinë ligjore të çdo hallke të administratës shoqëruar kjo nga krahu tjetër dhe me një llogaridhënie të shtuar të agjencive shtetërore lidhur me çdo shërbim që ofrojnë.

Viti që lamë pas ka qenë një vit i rëndësishëm në drejtim të reformimit dhe krijimit të kushteve të mëtejshme për një klime më të mirë të biznesit, duke patur një rritje ekonomike nga më të lartat në rajon.

Prioriteti i qeverisë shqiptare është ruajtja dhe nxitja e ritmit të reformave, vazhdimi i konsolidimit fiskal dhe ndërmarrja e politikave incentivuese për sipërmarrjen vendase dhe të huaj. Raportet e institucioneve të rëndësishme kombëtare dhe ato ndërkombëtare vazhdojnë të vlerësojnë treguesit makroekonomik të vendit tonë.

Prioritetet tona në vazhdim për vitin 2019 janë:

Vazhdimi i mëtejshëm i reformave rregullatore;

Mirëqeverisja në çdo sektor- shoqëruar me tregues të qartë performance dhe realizimi objektivash nga çdo hallkë administrimi, nga ajo më e ulta deri te më e larta;

Përmirësimi i marrjes së shërbimit nga ana e qytetarëve si dhe biznesve duke synuar eleminimin e burokracive të panevojshme, monitorimin e tyre nëpërmjet platformave që sigurojnë transparencë dhe ulje të mundësive të abuzimit;

Konsultimi publik lidhur me çdo nismë për ndryshime të kuadrit ligjor dhe politikave ekonomike;

Nxitja e mekanizmave që ndikojnë drejtpërsërdrejti në nxitjen e investimeve, qoftë nga investitorët vendas, ashtu dhe të huaj;

Intensifikimi i përpjekjeve dhe fokusi i qeverisë për pajisjen e forcës punëtore me aftësitë e duhura në shërbim të nevojave të sektorit privat;

Rritja e Mekanizmave të Reagimeve të qytetarëve dhe Biznesve.

Unë sot jam këtu, në emër të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të identifikuar rezultatet e këtij anketimi lidhur me pritshmërinë e Kompanive për vitin fiskal që sapo ka filluar, për të analizuar këto rezultate dhe për të vijuar me tej takime konstruktive me Ju dhe çdo përfaqësues të Shoqatës, me qëllim marrjen e masave konkrete nga ana e Qeverisë aty ku është e nevojshme.