Postuar më: 13/04/2016

Nuk ka më ndryshime tatimore, vetëm thjeshtim të procedurave. Doganat, shërbim 24 orë për eksportuesit.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka zhvilluar sot në Durrës një takim me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve dhe Doganave dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Qëllimi i takimit ishte prezantimi nga afër me fazën e dytë të aksionit kundër informalitetit dhe planin e detajuar operacional në terren.

Sikurse theksoi Ministri, faza e dytë e aksionit kundër informalitetit është bazuar në një qasje më afatgjatë dhe më inteligjente përmes platformës së riskut e cila mundëson një model të ri komunikimi me sipërmarrjen.

“Ne nuk do të bëjme asnjë ndryshim tatimor, madje edhe akcizën që kemi parashikuar në ligj nuk do ta ndryshojmë, pra do të kemi ngrirje të akcizës në nivelin aktual. Të vetmet ndryshimet fiskale do të jenë lehtësimi i procedurave. Pra paketa e re fiskale që ne do të paraqesim në Qeveri dhe në Parlament, do të jetë thjeshtëzimi i procedurave qoftë tatimore, qoftë doganore. Madje I ftoj ekspertët kontabël, përfaqësues të sipërmarrjes apo individë nga sipërmarrje, detyrimisht edhe administata, të na sugjerojnë për ato procedura që janë të panevojshme dhe janë penguese për klimën e biznesit dhe sipërmarrjen” – u shpreh Ministri.

Ministri informoi edhe për rishikimin e ligjit të procedurave tatimore, i cili do të rikthehet në Kuvend për miratim. “Kemi menduar të përfshijmë edhe një element, i cili do t’ju ndihmojë jashtëzakonisht, edhe tatimet, por mbi të gjitha ju si sipërmarrje. Aty do t’i japim të drejtën sipërmarrjes që përpara se të ketë ardhur kontrolli i tatimeve, ju të keni një mundësi të dytë për t’u vetëkorrigjuar pa penalitete, gjë që ne besojmë se është një shenjë jashtëzakonisht shumë e maturuar e një marrëdhënieje të re me sipërmarrjen”.

Shtylla e katërt e rëndëishme e strategjisë është ajo e lidhur me edukimin e sipërmarrjes për vetëkorrigjim të përgjegjësisë tatimore. “Dikush që nuk paguan taksat, thellë brenda vetes mund t’i duket sikur ka fituar. Ka humbur fëmija e i tij. Ka humbur rrugë më të mirë, ka humbur siguri më të mirë, prindi juaj ka humbur një pension më të mirë, ujësjellës më të mire, shërbime publike më të mira” – tha Ministri.

Ndërsa në takimin me administratën doganore Ministri u ndal tek rëndësia e Doganës së Durrësit si një portë hyrëse në vend, e cila duhet të reflektohet si në kontributin në mbledhjen e të ardhurave dhe në përmirësimin e imazhit të vendit, vecanërisht në shërbimin ndaj sipërmarrjes.

“Keni një detyrë specifike që është përmirësimi i shërbimit ndaj eksportuesve. Dua që në procedurë të jemi shumë të shpejtë, shumë modest, të punojmë 24 orë për eksportuesit. Eksporti neto për herë të parë pas shumë e shumë vitesh kishte një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. I kam kërkuar Drejtoreshës së Përgjithshme që të hartojë një procedurë shumë të shpejtë, për eksportin bujqësor dhe për fasonin, por kryesisht për eksportuesit, të kemi një korsi jeshile reale. Përsa I përket pikave të grumbullimit, të cilat eksportojnë, të kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ta informuese, ku Dogana do të bëjë procedurën, ndoshta ndoshta një ditë më parë në pikat e grumbullimit  apo të garantojë që eksportuesit shqiptarë të produkteve bujqësore të mos rrinë, pothuajse fare, në doganë. Së dyti, problemi i skanerit. Sigurisht që ai koncension është i trashëguar për ne, por është shumë mirë që të kemi një procedurë, e cila të bëjë të mundur përshpejtimin e procedurës doganore të eksportuesve” – tha Ministri.

 

Fjala e plotë e Ministrit në takimin me sipërmarrjen dhe administratën tatimore:

Besoj se është salla e duhur për të ndarë disa mendime opinione, por edhe disa fakte që kanë të bëjnë me fazën e dytë të anti-informalitetit. Ekspertët kontabël janë këtu jo pa qëllim. Ndaj me ju që sapo kemi aprovuar në parim edhe ndryshimet shumë të rëndësishme të ligjit të auditëve ligjorë, pra ka ndryshuar edhe definicioni, sepse qëndrojnë dhe do të duhet të qëndrojnë midis nesh, pra administratës dhe sipërmarrjes. Në dijeninë time, por besoj edhe në dijeninë tuaj të detajuar, në shumë vende të botës është një profesion i betuar. Që betohen për të vërtetën e bilancit të sipërmarrjes dhe ndaj detyrimeve që rrjedhimisht ka sipërmarrja ndaj shtetit. Sigurisht që më vjen mirë që këtu ka dhe përfaqësi të sipërmarrjes dhe patjetër punonjës të administratës tatimore që kanë detyrën parësore në betejën anti-informalitet.

Kemi kaluar në fazën e dytë pas një faze të parë, e cila pati sukseset dhe mësimet e veta, pra sukseset ishin shifrat, ishte psikologjia e re e krijuar, ishte ndërgjegjësimi që pati administrata dhe sipërmarrja dhe kjo kuptohet na tregoi dhe mangësitë gjatë punës, qoftë në terren, qoftë mangësitë në legjislacion, qoftë në zyra.

Së bashku me Drejtoreshën dhe stafin e saj dhe Ministrinë ne përpunuam fazën e dytë, për një kohë jo të shkurtër, gati një muaj e gjysëm, që së pari të kuptonim çfarë problemesh patëm në fazën e parë dhe sa më zgjuar dhe më maturuar duhet që ta ndërmarrim fazën e dytë antiinformalitet dhe sigurisht gjatë gjithë debatit që kemi pasur me njëri-tjetrin kemi arritur në një konkluzion i cili tashmë është formëzuar në fazën e dytë të antiinformalitetit me disa shtylla kryesore, por unë këtu do përmend vetëm dy nga ato në detaje dhe dy të tjera, do t‘i përmend shumë shkurt.

Shkurt do përmend Strategjinë e antiinformalitetit, pra të asaj ku duam të shkojmë me tatimet, me fiskun, në vitet që vijnë. Kjo tregon që administrata tatimore dhe ajo doganore në Ministrinë e Financave është maturar dhe pikë së pari beson se ka nevojë për një vizion afatgjatë, që t’ii shërbejë sipërmarrtjes, por edhe buxhetit të shtetit. Kjo është shtylla e parë. Shumë shpejt strategjia do të shpërndahet në shumë aktorë për të marrë opinione.

Shtylla e dytë, shumë e rëndsishme do të thoja, është dhe do të dua që ju ta ndani me sipërmarrjen dhe ata që janë të interesuar, është paketa e re fiskale. Dua të më kushtoni një moment vëmendjen për këtë dhe të bëheni, do t’ju lutesha, mesazher për më tej në këtë sallë, ne nuk do të bëjmë asnjë ndryshim tatimor, madje edhe akcizën që kemi parashikuar në ligj nuk do ta ndryshojmë, pra do të kemi ngrirje të akcizës në nivelin aktual. Të vetmet ndryshimet fiskale do të jenë lehtësimi i procedurave. Pra paketa e re fiskale që ne do të paraqesim në Qeveri dhe në Parlament do të jetë thjeshtësimi i procedurave qoftë tatimore, qoftë doganore. Këtu dua që ekspertët kontabël, përfaqësues të sipërmarrjes apo individë nga sipërmarrje, detyrimisht edhe administata, të na mësojë për ato procedura që janë të panevojshme dhe janë penguese për klimën e biznesit dhe sipërmarrjen.

Shtylla e tretë që është shtylla më emergjente është plani operacional dhe do të dua të ndalem pak më gjatë për të ndarë më tepër filozofinë sesa hapat e aksionit.

Do të fokushemi tek biznesi i madh. Do të fokusohemi tek bisnesi i madh jo se mendojmë se aty është “lopa më e madhe për t’u mjelë”. Aspak. Do të fokusohemi tek biznesi i madh për t’u kapilarizuar edhe ne si administratë, që nga biznesi i madh deri tek biznesi i vogël, ku është fundi i transaksionit dhe për këtë së bashku me DPT jemi fokusuar tek një grup prej 300 kompanish të mëdha dhe i kemi hartëzuar në të gjitha nivelet, të gjithë aktorët që shkëmbejnë transaksione me këto sipërmarrje të mëdha, të cilat janë një kampion super i madh për t’u menaxhuar.

E përdor jo pa qëllim fjalën për t’u menaxhuar nuk përdor fjalën: kontrolluar, audituar, as për t’u sulmuar. Por përdora për t’u “menaxhuar” në aspektin fiskal. Pse? Sepse kemi vendosur që atë farë të re që kemi mbjellë për dy vite në marrëdhënie me sipërmarrjen, ta kthejmë në një filiz dhe pastaj ta kthejmë në një trung shumë të fuqishëm që në fakt do të prodhojë të ardhura për buxhetin, por edhe të ardhura për sipërmarrjen që është një marrëdhënie e re, e cila nuk tenton të godasë apo të vendosë gjoba për sipërmarrjen, por tenton të alertojë profesionalisht sipërmarrjen që të vetëkorrigjojë bilancet e veta dhe përgjegjësinë e vet tatimore.

Të njëjtën gjë kemi bërë edhe për sipërmarrjen e vogël, në mënyrë që të mos bëjmë një sulm frontal të pavlerë në të gjithë territorin dhe të keqkonceptohemi sikur gjysma e Shqipërisë po sulmon gjysmën tjetër të Shqipërisë, por kjo është një përqasje e zgjuar që ne në Ministri, në DPT, DPD, kemi menduar, maturuar, që është mënyra më e mirë për të përqasur sipërmarrjes tani në fazën e dytë.

Cili është objektivi i kësaj që thamë? Objektivi është të monitorojmë nga zyrat sjelljen e tatimpaguesve dhe çdo niveli. Dhe tjetra që është po kaq e rëndësishme, është thirrja në zyrë, pra jo ai auditimi kërcënues, që është bërë vite më parë, por thërritja në zyrë, për të komunikuar, diskutuar ato pikëpyetje që mund të ketë administrata. Sigurisht që do të ketë vizita fiskale dhe duke qenë se ne do të bazohemi tek platform a e riskut, që u iniciua në shtator të vitit të kaluar, tani është maturuar, sigurisht që ka nevojë për t’u përmirësuar dhe çdo ditë ka nevojë për t’u përmirësuar puna, platforma e riskut na tregon se cila sipërmarrje është në nivelin e lartë të riskut, në çfarë sektorësh, madje dhe në çfarë territoresh, dhe madje brenda territoreve në çfarë nën-territoresh. Pra në Durrës, sot jemi të qartë se cilat sipërmarrje kanë risk të lartë, ku ndodhen dhe cili është gjithë rrjeti i transaksioneve të këtyre sipërmarrjeve. Thënë këtë, këto sipërmarrje vihen në monitorim.

Kemi përgatiur ligjin për procedurat tatimore, po i referohem si paketa e gjobave, por në fakt nuk është paketë gjobash, e riparë. Aty kemi menduar të fusim edhe një element, i cili do t’ju ndihmojë jashtëzakonisht, sidomos tatimet dhe ju, por në finale, mbi të gjitha ju si sipërmarrje. Aty do t’i japim të drejtën sipërmarrjes që përpara se të ketë ardhur kontrolli i tatimeve, ju të keni një mundësi të dytë për t’u vetëkorrigjuar pa penalitete. Është një trend jo i ri në vendet me demokraci fiskale të konsoliduar, por ne besojmë se është një shenjë jashtëzakonisht shumë e maturuar e një marrëdhënieje të re me sipërmarrjen

Këtu në Durrës, me sukses besoj, kemi arritur të bëjmë kryqëzimin e faturave nëpërmjet një sistemi. Kryqëzimi i faturave është në sistemin bazë të platformës së riskut dhe është duke u përdorur nga tatimet në bazë mujore. Dikush që nuk paguan taksat, thellë brenda vetes mund t’i duket sikur ka fituar. Ka humbur fëmija e i tij. Ka humbur rrugë më të mirë, ka humbur siguri më të mirë, prindi juaj ka humbur një pension më të mirë, ujësjellës më të mire, shërbime publike më të mira. Atë gëzimin tonë cinik, nëse dikush ka shmangur taksat, dijeni se ia keni faturuar fëmijëve tuaj dhe pjesa edukative do të fokusohet tek domosdoshmëria e të paguarit të taksave.

Në një moment kur ne kemi lënë pas krizën ekonomike, ku ne po ftojmë sipërmarrjen e huaj të investojë, duhet të tregohemi shumë modest me sipërmarrjen për ta ndihmuar në të gjitha hallet e veta të përditshme dhe të gjitha risqet që marrin, duke ua thjeshtësuar pagesën dhe detyrimin ligjor, apo korigjimin e përgjegjësisë tatimore.

 

Fjala e Ministrit me Administratën Doganore

Tre muajt e parë të Doganës kanë dhënë rezultate pozitive. E kam falenderuar Drejtoreshën dhe gjej rastin t’ju falenderoj edhe ju dhe të gjithë ata që kanë kontribuar. Kjo është degë shumë e rëndësishmë për Doganën dhe buxhetin e shtetit dhe sigurisht që është dhe porta më e madhe hyrëse nga deti në vendin tonë, ku efekti i të ardhurave dhe efekti i klimës së biznesit, qoftë pozitiv, qoftë negativ, është I drejtpërdrejtë.

Unë do të fokusohem tek 2-3 elementë të planit dhe pastaj do t’ju përmend dhe tre shtyllat e tjera, të cilat kanë të bëjnë me punën tuaj të përditshme, por dhe me imazhin që është i nevojshëm të përmirësohet i shërbimit doganorë shqiptar. Detyra juaj parësore për t’i shërbyer sipërmarrjes dhe për të mbledhur të ardhura, është në plan të parë qoftë të imazhit të vendit, qoftë të suksesit të drejtoreshës, timit dhe të Kryeministrit.

Ne po bëjmë dy ndryshimet e para proceduriale. Mallrat kineze dhe turke do të fillojnë që nga e hëna të zhdoganohen në Tiranë dhe do të jenë të kontrolluara me të gjitha mënyrat, qoftë nga aspekti fizik, qoftë nga aspekti i vlerës, pra një monitorim i detajuar dhe besoj që fokusi juaj do të jetë tek mallrat e akcizës, apo tek ato të importit, të shumëllojshme, që vijnë nëpërmjet portit të Durrësit.

Siç e theksova, Porti i Durrësit është porta hyrëse dhe është detyra juaj të jeni modest, të jeni shumë të sjellshëm edhe kur e ka gabim sipërmarrja, dhe këmbëngulës. Të sillesh keq, me dikë që është duke riskuar, që është sipërmarrja, që ka shkuar në Kinë, ka shkuar në Turqi, Spanjë, Itali, ka harxhuar, ka riskuar për të fituar, është kriminale. Ndaj dua të ktheheni në shembull si Doganë e Durrësit për t’u treguar të gjitha doganave të tjera se çfarë do të thotë të jesh punonjës i administratës dhe të jesh punonjës i shërbimit doganor.

Kemi një detyrë specifike, e cila është e juaja dhe vetëm e juaja, që ne të përmirësojmë shërbimin ndaj eksportuese. Dua të ndaj me ju dhe jo më kot, se eksporti neto për herë të parë pas shumë e shumë vitesh kishte një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Unë nuk kam ndërmend që t’ju bëj leksion për këtë pjesë, por do të dua që në procedurë të jemi shumë të shpejtë, shumë modest, të punojmë 24 orë për eksportuesit. I kam kërkuar Drejtoreshës së Përgjithshme që të hartojë një procedurë shumë të shpejtë, për ekpsportin bujqësor dhe për fasonin, por kryeisht për eksportuesit, të kemi një korsi, siç e kemi jeshile reale, pra jo vetëm të justifikojmë veten dhe të gjejmë një justifikim që e kemi. Jo, do duhet të bëjmë diferencë që eksporti bujqësor të kalojë pa u vonuar fare në Doganë.

Do doja që përsa i përket pikave të grumbullimit të cilat eksportojnë, të kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ta, informuese, ku Dogana do të bëjë procedurën, ndoshta – ndoshta një ditë më parë në pikat e grumbullimit, apo të garantojë që eksportuesit shqiptarë të produkteve bujqësore të mos rrinë, pothuajse fare, në doganë.

E dyta është problemi i skanerit. Sigurisht që ai koncension është i trashëguar për ne, por është shumë mirë që të kemi një procedurë, e cila të bëjë të mundur përshpejtimin e procedurës doganore të eksportuesve.

Të rejat e fundit