Postuar më: 07/09/2014

Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, aksion për shkatërrimin e 906 pajisjeve të lojërave të fatit

Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF) realizoi shkatërrimin e 906 pajisjeve të konfiskuara gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë periudhës prill-qershor 2014 në sektorin e lojërave të fatit. Konfiskimi u krye pasi subjektet e këtyre pajisjeve nuk dispononin nr. NIPT, nuk ishin të pajisura me lejen e ushtrimit të aktivitetit dhe certifikatën përkatëse.

Njësia kryen çdo ditë kontrolle, rezultati i të cilave, në periudhën janar-korrik solli:

•       46 masa Administrative Gjobë në vlerë totale 240.000 dollarë;

•       521 masa Administrative Konfiskimi;

•       947 pajisje lojëra fati të konfiskuara.

 

Më herët, në muajin mars 2014, NJMLF shkatërroi 680 pajisje të konfiskuara në aksionet e mëparshme.  Në total për 6-mujorin e parë 2014, kemi konfiskuar 1586 pajisje lojërash fati.

“Këto rezultate vijnë, jo më si pasojë e aksioneve masive, të cilat sollën stabilizimin e tregut, por e goditjes së përqendruar në pikat e lojërave të fatit në çdo qoshe të vendit,  të cilat ushtronin aktivitet në kundërshtim me ligjin”, -deklaroi drejtorja e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, znj.Luneda Sufali.

Sipas saj, kontrollet do të vijojnë normalisht, sipas planit të masave, deri në vendosjen e rregullit ligjor në sektorin e lojërave të fatit. “Rezultate pozitive kemi edhe në mbledhjen e të ardhurave, ku në muajt e fundit, regjistrojnë rritje me 80-90%”, deklaroi Sufali për mediat.

Ajo u ndal edhe tek ligji i ri, i cili pritet të finalizohet këtë muaj. “Prej disa muajsh, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe ministritë e tjera, po punojmë për ligjin e ri, duke u bazuar tërësisht te standardet europiane. Brenda muajit shtator pritet të përfundojë dhe padyshim, konsiderohet ‘goditja’ finale ndaj informalitetit dhe ekspansionin që kishte përfshirë prej vitesh tregun e lojërave në vendin tonë”, përfundoi znj.Sufali.

Të rejat e fundit