Postuar më: 16/07/2019

Nis zbatimi i Planit Operacional për luftën kundër informalitetit

 

Ministrja Anila Denaj viziton dy biznese në Tiranë: Synojmë uljen e informalitetit dhe eleminimin e konkurrencës së pandershme

 

Në kuadër të nisjes së zbatimit të Planit Operacional për luftën kundër informalitetit, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, vizitoi sot dy biznese në Tiranë, të cilët rezultojnë të rregullt në zbatimin korrekt të ligjit mbi detyrimet tatimore.

Ministrja Denaj përcolli mesazhin se zbatimi i Planit Operacional synon eleminimin e konkurrencës së pandershme, bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e bizneseve dhe qytetarëve mbi lëshimin dhe tërheqjen e kuponit tatimor, lëshimin e faturave dhe eleminimin e punësimit informal.

Ministrja garantoi të gjithë bizneset që zbatojnë ligjet në fuqi se nuk duhet të shqetësohen nga inspektimet dhe monitorimet e administratës tatimore, pasi objektiv është ulja e informalitetit dhe sigurimi i konkurrencës së ndershme në treg, por theksoi se nuk do të hezitohet në marrjen e masave ndaj çdo subjekti apo njësie tregtare që shkel ligjin.

Gjatë vizitës në një prej bizneseve, Ministrja u shpreh se kjo vizitë zhvillohet në frymën e zbatimit të detyrimeve ligjore dhe nëse një biznes zbaton me korrektësi ligjin nuk do të ketë asnjë problem.

“Biznesi juaj është zgjedhur si një biznes, i cili respekton ligjin dhe në frymë të kësaj dedikoj edhe këtë vizitë.  Ju falënderoj dhe garantoj të gjithë bizneset që kushdo që është në mbështetje të procedurave ligjore nuk ka pse të ketë asnjë shqetësim nga inspektimi, as nga tatimi, por mbi të gjitha duhet të trembet nga gjoba nëse në mungesë të respektimit të ligjit ajo gjobë do të vendoset, pasi është në të mirë të konkurrencës së ndershme dhe në respekt të punës, vullnetit tuaj dhe përpjekjeve tuaja që konkurrenca e ndershme të vendoset në vend. Asnjë problem nëse ligji zbatohet, asnjë shirit nëse ligji zbatohet”, u shpreh Ministrja.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë informoi bizneset mbi nisjen e zbatimit të Planit Operacional në luftën kundër informalitetit, zbatim i cili do të jetë i vazhdueshëm dhe do të angazhojë jo vetëm Ministrinë dhe administratën tatimore, por edhe institucione të tjera shtetërore.

“Plani Operacional nënkupton që strukturat brenda administratës tatimore, në ministri, dhe së bashku me institucionet e tjera që nuk është vetëm administrata tatimore, është Inspektorati i Punës dhe institucione të tjera, të sigurojnë që Plani Operacional të jetë i vazhdueshëm, në përpjekje për të respektuar ndershmërinë ndaj zbatimit të ligjit dhe mbi të gjitha konkurrencën e ndershme”, theksoi Ministrja Denaj.