Postuar më: 20/07/2014

Nga plani i të ardhurave, eurobondi, energjia e deri te bashkimi tatime-dogana!

Zoti Cani ju falenderoj për intervistën, por pikë së pari më duhet ta pranojë se keni qenë një ndër ministrat më të vështirë për tu intervistuar, nuk di nëse jemi keq me gjendjen e Financave publike, ekonomisë në përgjithësi dhe ka nevojë për shumë përkushtim apo detyra e re ishte një përgjegjësi që nuk e kishit menduar më parë?

Ministri Cani:  Që t’i përkushtohesh punës, nuk do të thotë se duhet t’i përkushtohesh vetëm kur është e vështirë apo ka probleme në punë. Puna mund të eci shumë mirë dhe ti prapë ke shumë punë për të bërë. Kështu që nuk besoj apo do të kërkoja të gjendej ndonjë lidhje nëse punët po ecin keq dhe unë nuk jap intervista apo punët ecin mirë dhe unë mund të jap intervista . Fakti është se Ministria e Financave është një ministri që ka ngarkesë, sepse është vetë veçoria e këtij institucioni, por ka të bëjë ndoshta edhe me personin.

Unë nuk dëshiroj të paraqitem në media sa herë që mund të kishte ndonjë ngjarje të vogël që nuk do i kushtoja aq shumë rëndësi, sipas gjykimit tim edhe personal. Kështu që çështjet janë shumë relative; mund të jetë një bashkim i asaj që ngarkesa është, por ndërkohë edhe individi  kërkon të gjejë kohën për t’i thënë gjërat. Edhe në këtë intervistë përshembull mendoj se nuk kemi ndonjë gjë të madhe për të thënë, por është këmbëngulja juaj për ta dhënë intervistën, kështu që unë plotësova dëshirën tuaj më shumë se sa timen në këtë rast…

 

Ju falenderoj, por gjithësesi një ministër Financash ka gjithmonë diçka për të thënë, aq më tepër në kushtet aktuale…

Ministri Cani: Po natyrisht, por e keqja është që i thashë. U bë një analizë e 300 ditëshit të parë të qeverisë dhe  në mënyrë të përmbledhur gjërat u thanë aty.

 

Unë dua të këmbëngul më tepër! Ju siç e pëmendët keni përfunduar analizën e 300 ditëve të qeverisë, çfarë mund të themi për situatën e Financave publike apo ekonomisë në tërësi në këto 300 ditë, ishte ajo e pritshme  nga ju?

Ministri Cani: Le ta ndajmë njëherë kështu: a është ajo që dëshirojnë shqiptarët apo jo? Duke qenë se shqiptarët në përgjithësi duhet t’i vlerësojmë si agresiv, në sensin pozitiv, në dëshirat e tyre, natyrshëm që asnjëherë nuk plotësohen dëshirat; kështu që edhe unë bëj pjesë tek shqiptarët dhe nuk do të ngopesha në plotësimin e mjaft dëshirave të shqiptarëve.

Jam munduar gjatë tërë kohërave të gjej tregues të matshëm për të vlerësuar ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe doemos më ngushtë akoma të Financave shqiptare dhe bëjmë krahasimin me atë që është projektuar, sepse ne kemi një buxhet, i cili ka të ardhurat dhe shpenzimet dhe kërkohet se si janë realizuar. E vërteta është që jemi në rregull me atë buxhet, kemi tejkalim të të ardhurave dhe kjo ka më shumë rëndësi. Por ka njerëz, miq të mi, po të doni dhe kundërshtar të mi ose dhe asnjëanës, që thonë se nuk është krahasimi i duhur sepse mund të ndodh që ti e bën si të duash objektivin. Ok, atëherë duhet ta masësh veten me vitin e kaluar, me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po, përsëri dhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar arritjet janë shumë më të mëdha, p.sh mund t’ju them se të ardhurat janë diku tek 13-14 % më shumë ose p.sh për 6-mujorin janë diku tek 180 milionë dollarë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Nëse do duam ta masim me 9-mujorin janë akoma më shumë, janë 270 milionë. Kështu që asnjëherë nuk do e gjesh dot se cila është më e mira nga matjet, por sido që të jetë, realisht duhet të gjesh disa tregues. Unë po i marr të dy treguesit,  po i marr të dyja dëshirat e njerëzve që të bëj krahasimin që atyre u duket më realist. Dhe në këtë rast besoj se bie dhe ajo hipoteza juaj që  jam “fshehur” se nuk kanë qenë treguesit siç duhet.  Dhashë një përgjigje shumë të shpejt për anën financiare. Për sa i përket ekonomisë, me thënë të drejtën është pak më e vështirë për të lëvizur, dmth nuk është se në vetvete unë kam patur ndonjë pritshmëri për një lëvizje shumë më të madhe të ekonomisë. Duket që edhe ekonomia është pothuaj në ato drejtime ku ishte pritshmëria. Dihej që 6- mujori i parë do ishte i vështirë, është  një kamion i madh që mezi e merr kthesën. Për 3-mujorin e parë kanë dal të dhënat, të cilët janë dhe tregues indirekt edhe të 3-mujorit të dytë. Duket se 6-mujori i parë është në ato drejtime që të bëjnë optimistë  se rritja ekonomike, që është treguesi kryesor, po shkon në drejtimin e duhur, por të presim.

Është e vërtetë që jemi me tejkalim në mbledhjen e të ardhurave, por nga ana tjetër kemi një lloj ngrirje të shpenzimeve, kryesisht ato kapitale. Kur do zhbllokohet situata?

Ministri Cani: Po, e vërteta kështu është. Tek shpenzimet kapitale matur në të dy llojet e treguesve, nuk jemi aty ku duhet, sepse mund të ishim dhe duhej të ishin më të mëdha dhe për këtë ne si qeveri në tërësi kemi marrë një sërë masash. Ndoshta nuk është nevoja për të hyrë në detaje, por mund t’ju them p.sh se investimet tani ndiqen çdo javë. Çdo javë ministri i Ekonomisë jep pasqyrë të ecurisë së investimeve. Ajo që është pozitive është tendenca.

Në tremujorin e parë ishte një ngecje, e cila vjen dhe për efekte rutine. Asnjëherë tremujorët e parë, përveç viteve zgjedhorë, nuk kanë parë investime, aq më tepër kur vjen pas zgjedhjeve, që gjithnjë riorientohen organizmat e reja dhe duhet kohë sa të gjejnë veten, kështu që besoj kjo ishte arsyeja kryesore. Por optimist është fakti se tremujori i dytë ka një ecuri shumë më të mirë nga i pari dhe me çfarë duket mekanizmi është vënë në lëvizje, 6-mujori i dytë duket se do i çojë investimet aty ku duhet.

 

Eksperienca në këto vite ka treguar se në mesin e vitit bëhet gjithmonë rishikimi i buxhetit.  A do ta ketë 2014-a të njëtin fat?

Ministri Cani: Buxheti është riparë, por në të vërtetë është riparë gjithmonë në ulje. Ky është i pari vit që nuk do ta rishikojmë buxhetin dhe këtë e them me buzëqeshje sepse nuk do ta rishikojmë në ulje. Buxhetet zakonisht janë riparë ngaqë fryheshin, premtohej shumë dhe të ardhurat nuk realizoheshin dhe për pasojë kishte dy zgjidhje: ose do rrisje deficitin dhe borxhin, ose do ulje shpenzimet .

Është i pari vit pas një historie 5-vjeçare që ne nuk e rishikojmë buxhetin, sepse të ardhurat janë realizuar. Nëse do më ngacmonit më tej dhe do më thoshit se mbase i keni pasur të ulëta rritjen e të ardhurave, do thoja se në fakt është më e larta rritje të ardhurash në të gjithë mesataren e të gjithë 5 viteve të fundit, kështu që dhe kjo është një rritje drastike e nivelit të të ardhurave. Kështu që nuk ka asnjë vend ku të hezitohet për të thënë se buxheti do rishikohet. Është realizuar objektivi, është realizuar mirë dhe nuk kemi ndërmend ta rishikojmë tani. Diku nga fundi i gushtit, fillim shtatori, vjen misioni i FMN i cili është misioni i check-up dhe bën verifikimin e radhës, të ecurisë së ekonomisë dhe së bashku do ndajmë mendimet për ecurinë e ekonomisë dhe doemos dhe të buxhetit dhe mbi bazën e një mendjeje të ndarë së bashku, ne do të rishohim për të rialokuar fonde për arsye se buxheti ka gjithmonë nevojë për tu parë në disa zëra.

 

Keni deklaruar zoti Cani se keni gjithmonë një skenar B, n.q.s nuk realizoheshin të ardhurat, dhe ky ishte skenari i “rritjes së taksave”. Tani lajmi i mirë, ashtu siç thatë edhe ju, që të ardhurat jane realizuar, majde janë tejkaluar, por a mjaftojnë këto për gjendjen dhe situatën tonë, për këtë vit të paktën?

Ministri Cani: Unë e shmanga pyetjen tuaj për pjesën e dëshirave, sepse dëshirat nuk plotësohen asnjëherë. Të flasim me realitetin që ne i kemi plotësuar brenda mundësive dhe aq sa parashikonim të ardhurat, prandaj nuk di se në ç’drejtim pyetja juaj do të shkojë?

 

A do të  kemi rishikim të taksave dhe tatimeve për këtë 6-mujor të dytë apo do kemi për 2015?

Ministri Cani: Nëse pyetja juaj është për atë që në fakt është keqinterpretuar, për planin B, unë prapë e përsëris, nuk duhet të ketë qeveri në botë, nuk duhet të ketë ministër, as dhe ministër Finance në botë i cili/e cila nuk ka një plan B, do të thoja edhe C. Vendet sa më të zhvilluara të jenë, aq më shumë plane kontigjence ose ndodhish të papritura duhet të kenë, ta quajmë nën mëngë apo në xhep.

Pse? Sepse siç thatë ju, mund të ndodh që diçka nuk shkon ashtu si parashikohej. Ndoshta shqiptarët edhe mund ta kenë harruar që muaj më përpara thatësira, pikërisht në kohën e shirave, ishte e tmerrshme, e jashtëzakonshme. Në atë kohë ne bënim llogaritjet se do na duheshin deri në 200 milionë euro për të përballuar nevojën për energji elektrike, shumë që është gati sa pjesa e investimeve të brendshme dhe ne duhet të gjenim fonde për këtë.

Pra, në këto kushte si s’mund të kesh një plan B?! Meqënëse ne arritëm t’i realizojmë të ardhurat, plani B ngelet në hije, mbetet në xhep dhe nuk e nxjerr asnjëherë gjatë tërë vitit.

 

Për vitin 2015 keni deklaruar se do dilnin në tregun  ndërkombëtarë, për të  marrë një tjetër eurobond. Do jenë para për të paguar borxhe, Për çfarë do të përdoret ky eurobond i vitit të ardhshëm?

Ministri Cani:  Po, eurobondi maturohet në fund të vitit tjetër dhe ne kemi filluar përgatitjet për ta rinovuar, dhe Po, ne do të marrim një borxh për të shlyer një borxh.

Çfarë do të thotë kjo? Përse çuditen për këtë? Po jua sqaroj thjesht: Supozojmë se në vitin 2014 borxhi publik do të jetë 72% dhe po ta vazhdojmë me teorinë e 100 lekëshit do të thotë se borxhi do të jetë 72 lekë, kur i gjithë prodhimi i brendshëm bruto ose GDP do të jetë 100 lekë: 72 pjesëtim për 100 jep 72%. Tani të supozojmë se në vitin 2015, borxhi do të jetë 71%, por ndërkohë ky 100 lekëshi i Prodhimit të Brendshëm Bruto do të rritet me 3 lekë nga inflacioni, 3 lekë ose 3% nga rritja ekonomike. Po marrim vetëm këto dy faktorë.

Pra, Prodhimi i Brendshëm Bruto nga 100 lekë do të bëhet 106 lekë. Që të ruhet 71 përqindëshi do të duhet që 71 lekëshi mund të bëhet dhe 72 lekë, pra në terma relativë nga 72% do ta çojmë 71%, kurse si vlerë absolute mund të rritet ose të mbetet 71 ose mund të bëhet 72 lekë.

Pra, ne nivelin e borxhit e ruajtëm të barabartë dhe doemoes që nëse maturohet një bond me 300 milionë euro, ne përsëri do të marrim borxh 300 milionë euro për të ruajtur të njëjtin nivel. Ne asnjëherë nuk kemi thënë se do ta ulim, se do ta shlyejmë këtë dhe nuk do e marrim më këtë borxh. Përse habiten shqiptarët? Nëse e doni me aritmetikë, ju sqaroj se do e marrim një borxh për ta ruajtur të njëjtin nivel borxhi. Përse duhet që dikush të kujtojë se ka shpikur ndonjë gjë të madhe, sikur ne kemi kryer ndonjë krim dhe na ktheni krejt papritur në kriminel për diçka që është krejt normale? Po, po marrim borxh për të shlyer një borxh dhe rinovimi i borxhit në Shqipëri ka 20 vjet që bëhet. Prej 20 vjetësh maturohen bonot e thesarit dhe rimarrim borxhe.

Ministria e Financave nga viti në vit nuk e ka shlyer këtë borxh, por përkundrazi ka ndodhur që e kemi rritur borxhin. Ç’është që të rritet deficiti 3, 5, 6%? Do të thotë që Shqipëria nga viti në vit, në mënyrë sistematike në 20 vite ka rritur nivelin e borxhit, sepse deficiti s’është gjë tjetër veçse borxhi i një viti, pra nga 1 janari në 31 dhjetor.

Supozojmë se ne kemi thënë që deficiti do jetë 5%, do të thotë që të ardhurat do të jenë 5% më të vogla nga shpenzimet që do të bëjmë. Por këtë e kemi thënë për 20 vite rresht, gjithë zotësia jonë është që të vijë duke u ulur kjo shifër. Kështu do të jetë dhe viti 2015, ne nuk kemi thënë që nuk do dalim me defiçit. Edhe në vitin 2016 kemi deklaruar se do dalim prapë me defiçit, por e rëndësishme është që Shqipëria duhet të arrijë sa më shpejt ku tempi i rritjes ekonomike të jetë e tillë që ta mbulojë tempin e rritjes së borxhit, dhe ne po shkojmë drejt këtij tempi.

 

Të flasim për një tjetwr hua, atw tw sapo firmosur me BERZH, 100 milionë euro për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe kur flitet për depozita sigurisht në këtë pikë jemi shumë të ndjeshëm. Për çfarë do të përdoren këto 100 milionë euro?

 

Ministri Cani: Kjo është një garanci që shteti shqiptar, qeveria shqiptare, Ministria e Financave, jep për depozitat e depozituesve shqiptarë. Çfarë është në thelbin e vet? Kjo nuk është hua, ky nuk është borxh, nuk e shton borxhin, për arsye se kjo është vetëm një garanci e cila shkon në favor të Agjensicë së Sigurimit të Depozitave nëse potencialisht do të lind nevoja për ndonjë shqetësim në sistemin bankar. A ka në ajër ndonjë shqetësim? Jo. A ka ndonjë shqetësim në sistemin bankar shqiptar? Jo. A është relativisht i sigurt sistemi bankar në Shqipëri? Po. Po përse jepet kjo garanci shtesë? Në mënyrë që shtetasit shqiptar të kuptojnë që kanë tre institucione në rastin konkret: Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave, që kujdesen për depozitat e tyre.

 

Pyetje: Si i keni marrëdhëniet me Bankën e Shqipërisë?

Ministri Cani: Marrëdhënie normale, marrëdhënie midis dy institucioneve. Ju pyesni ministrin e Financave si i ka marrëdhëniet? Ministri i Financave i ka të shkëlqyera marrëdhëniet me Bankën e Shqipërisë, sepse janë dy institucione që duan apo nuk duan do të duhet t’i kenë marrëdhëniet të shkëlqyera në interes të qytetarëve shqiptarë, në interes të të dy institucioneve dhe në interes më gjerë akoma të qeverisë shqiptare me Bankën Qendrore.

Natyrisht që Banka Qendrore ruan raportet e veta të pavarësisë dhe unë si një ish-guvernator e njoh mirë punën dhe do të më duhet një punë e dyfishtë për të parë marrëdhëniet me seriozitet, korrektesë, mbi bazën e asaj që kërkon ligji si për Bankën e Shqipërisë,  ashtu dhe për qeverinë shqiptare, dhe doemos dhe për Ministrinë e Financave.

 

Le te flasim për një çështje të nxehtë mund të themi. Sapo keni arritur një marrëveshje pozitive, pra pajtimi me kompaninë çeke CEZ. Keni shmangur procedurat e arbitrazhit, por kuptohet kjo marrëveshje pajtimi ka dhe një kosto prej 95 milionë eurosh për katër vite, ku do gjenden paratë z. Cani për të shlyer këtë shumë?

Ministri Cani: Së pari të themi  që kjo është një marrëveshje që sipas gjykimit tonë është më e mira e mundshme që mund të bënte qeveria. Po e ndaj pak, edhe pse s’më pyetët, me atë që opozita dhe më konkretisht ish-kryeministri  po mundohet që të shpërndajë një terr në publik: se kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë, se nuk duhej ndarë në mënyrë miqësore sepse me demek kjo çështje mund të fitohej lirshëm në arbitrazh, etj.

Nëqoftëse ne kemi qenë në pozita kaq të favorshme, mund të më thoni pse nuk e hodhi një gjyq, në arbitrazh, ajo qeveri, por na hodhën ata ne në arbitrazh? D.m.th. të jem një pozita të favorshme ndaj jush dhe të mos ju hedh në gjyq por të hidhni ju në pozita të disfavorshme? Ka një paradoks që kur ndërtohet. Për sqarim shuma nuk është 95 milionë euro, por është 87 milionë euro, por sa më vonë të më paguash, doemos do mbartësh interesin. Një bankë kur të jep një kredi ti jep paratë sot, por doemos do të kërkojë shumë më tepër pas 4 viteve dhe kjo është arsyeja pse do paguajmë më shumë se 87 milionë euro.

Tani ku do gjenden paratë? Paratë do gjenden nga CEZ-i i cili do marri një emër të ri dikur. CEZ-i do të mbledhi paratë dhe CEZ-i nuk mund të veprojë ose siç ka vepruar deri tani. Duhet riformatuar totalisht. Unë nuk kam hezituar ta quaj një reformë të dhimbshme, edhe pse për atë kohë u keqkuptua sepse u lidh me rritjen e çmimit. Reforma është e dhimbshme dhe kur është e thellë, sepse reformë e thellë nënkupton operacionin. Ky operacion nuk është i lehtë në vetvete, është kompleks dhe kap tërësinë e sistemit energjetik. Pothuajse u bë e përjavshme që ne takohemi për këtë reformë, për ta formatuar sa më mirë, jo vetëm brenda nesh, por dhe me institucionet ndërkombëtare për të qenë sa më mirë organizuar. Prek aspekte nga më të përgjithshmet, prek: CEZ, ERE, KESH, prek eficiencën e përdoruesve, deri në gjërat më të thjeshta. P.sh. do supozojmë që ne do të lejojmë çdo lloj pajisjeje elektrike që të hyjë në Shqipëri apo ato që janë më eficiente dhe ato që nuk përmbushin një standard ti largojmë? Doemos do ti largojmë. Tani le të përqendrohem tek CEZ-i. Me çfarë do t’i paguajë CEZ këto para? CEZ-i ka mjaft  hapësira, ka çështje organizative, ka çështje sidomos të mbledhjes së parasë. Nuk mund të qëndrojmë më kështu siç jemi, që ju të paguani dhe unë të mos paguajë përjetë. Nëqoftë se ne duam të kalojmë që dhe bukën ta marrim kështu; që ju të paguani bukën, dhe unë ta grabis dhe për bukën që ju do të merrni të dyfishojmë çmimet, kjo nuk shkon. Kështu që këto të gjitha duhen bërë dhe Po, duhet shtrënguar dhe do i paguajë paratë. Unë nuk jam ministri përkatës që duhet ti shpall këto, ne kemi Ministrin e Energjisë që shumë shpejt do të dalë me strategjinë totale se si ne e shikojmë riformatimin e energjetikës në Shqipërisë.

 

Unë jam paksa dyshuese, sesi këta njerëz që për shumë vite me rradhë nuk e kanë paguar, do detyrohen nesër të paguajnë energjinë. Si do realizohet kjo z.Cani, më duket paksa e vështirë për të mos thënë e pamundur?

Ministri Cani: Besoj se duhet të keni qenë dyshuese dhe për realizimin e të ardhurave të tatim-doganave, sepse është një rritje, një kërcim, por ja që u arrit. Natyrisht nuk thashë që është arritur shumë, sepse ka ende, ka akoma për të bërë, sepse janë mjaft që nuk paguajnë edhe në tatim-taksa. Por varet se si e kanë qeveritë. Kur qeveritë e kanë seriozisht dhe njerëzit përgjigjen seriozisht, kur e ke me shaka dhe unë do të përgjigjem me shaka. Nuk e besoj se do të nxjerr ndonjë sekret të madh, meqë pyetja është për energjetikën, që dhe vetë punonjësit e CEZ-it kanë luajtur  duke i ndihmuar njerëzit se si ta vjedhin energjinë, nuk është ndonjë çudi e madhe të të them që vetë njerëzit e energjetikës  kanë toleruar që të mos mblidhen . T’ju përdor një shembull të thjesht: sikur ju të jeni përgjegjëse për një rrugicë, një rreth, një zonë dhe unë t’ju them që nëse do mblidhni brenda objektivit dhe për çdo tejkalim ju do të merrni një pagë shtesë ose për çdo mosrealizim njëherë, dy herë dhe të tretën duhet të lini vendin e punës, nuk mendoni se do të jetë një motiv në vetvete për të punuar më shumë.

 

Pra do ketë bonues, apo stimujt?

Ministri Cani: Po, patjetër!

 

Le të kalojmë në një temë tjetër, bashkimin e tatimeve dhe doganave në një institucion të vetëm. Ka ndonjë gjasë që ky projekt të realizohet shpejt?

Ministri Cani: Jo shpejt, pasi kjo lloj reforme do kohën e vetë. Nuk është një reformë që mund të zgjidhet në çast sepse ka disa hapa, hapa të cilët ne i kemi pothuaj formatuar. Njëherë të sqarojë se ka disa opsione se çfarë është bashkimi dhe bashkimi mund të jetë organik, mekanik. Së dyti ka disa hapa, mund të fillosh me hapa të natyrshëm, të ngadalshëm, ose me hapa me kërcim. Që do të thotë se gjykon dhe supozohet se bashkimi të vijë fillimisht në këmbimin e informacionit dhe dy institucionet të ngrejnë një organizëm që mbledh të dy informacionet. Ose si fillim dy institucionet të këmbejnë informacionet bazë mes tyre dhe pastaj natyrshëm të vijnë tek një organizëm i përbashkët që e mbledh tërë informacionin. Një tjetër mënyrë është që dy institucionet “të martohen” mes tyre, pra të kalojë ajo faza e njohjes dhe me grupe të përbashkëta të bëjnë kontrolle të përbashkëta, që fillon që nga hyrja e mallit në doganë dhe deri tek konsumatori. Objektivi ynë është që diku nga fundi i mandatit të bëhet ky bashkim, ose më saktë të përfundojë bashkimi.

 

Faleminderit!

 

*Intervistë e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani me gazetaren
e “Vizion Plus”, Rajmonda Lajthia

Të rejat e fundit