Postuar më: 27/05/2016

Nënshkruhet kontrata e privatizimit të INSIG, Ministri Ahmetaj: “Sipërmarrja gjen veten tek ekonomia e vendit”

Përshëndetje të gjithëve,

Sigurisht që është ditë e rëndësishme edhe unë nuk mund ta lë pa e shfrytëzuar këtë ditë në favor të pozitivitetit në ekonomi. Dua të theksoj me ju që pranvera e 2016-ës është stina që ka lënë pas krizën ekonomike që filloi në 2008-ën, kaloi në korrektim serioz 2013-2014-2015 dhe realisht njeh pranverën pozitive të 2016-ës me një shpresë që cikli do të jetë afatgjatë.

E dyta dua që të besojmë tek shenjat pozitive që ekonomia shqiptare është duke shfaqur. Dua të ndaj me ju katër shifra interesante. Në 2016 arritëm një rekord në investimet e huaja, në shifrën gati 889 mln euro dhe besoj që viti 2016 do jetë një vit akoma edhe më i mirë. Shifra e dytë është po kaq pozitive dhe besoj secili nga ju në biznes ka nevojë të dëgjojë shifra pozitive. Në bazë të raportit të fundit të BSH vlera e shtuar në ekonomi është rritur 10.8%, që është një shifër pozitive, përtej perceptimeve që ndonjëherë i shkaktojmë vetë negative.

E treta është legjenda urbane e konsumit. Legjenda e konsumit ju jep një shifër shumë interesante, me tre tremujor radhazi me rritje. Tremujori i tretë i vitit 2015, tremujori i katërt i vitit 2015 dhe tremujori i pari i këtij viti ka rritje të konsoliduar konsumi.

Shifra e katërt që është një grup shifrash, më në fund pas kaq vitesh lëngim, kreditimi ka filluar të njohë ringjallje. Ka një ringjallje shumë modeste tek kredia për koorporatat, ka një ringjallje më shumë se modeste tek kreditimi i sipërmarrjes së vogël dhe të mesme dhe ka një ringjallje shumë të konsiderueshme, me dy shifra, tek kredia për konsumatorin dhe të gjitha gjasat tregojnë se rritja ekonomike e tremujorit të parë të vitit 2016 do të jetë midis 2.7 dhe 3%, që do të thotë se i kemi të gjitha gjasat, që në fund të këtij viti, të kemi një rritje ekonomike 3.4%.

Më tej unë i uroj sukses kompanisë “Eurosig” sukses në privatizimin e suksesshëm të një ndërmarrjeje legjendë, e cila e filloi me 100% të tregut dhe u katandis me 5.6% të tregut. Arsyet janë të shumta dhe jam i bindur se në duart e “Eurosigut”, Kadriut dhe një stafi profesionist kompania e sigurimeve “Insig” do të rigjallërojë veten, tregun vendas dhe tregun rajonal.

Nga ana ime, personale si ministër Financash kam pasur fatin që ta nis procesin, në 2015 si ministër Ekonomie dhe kam pasur fatin ta mbyll procesin me shitjen si ministër Financash në 2016. Me një shifër, të jem i sinqertë nuk e prisja, shumë pozitive, prej 2.2 mld lekë, të cilat shkojnë në buxhet të shtetit, gjysma e tyre ul borxhin publik për atë shumë dhe gjysma tjetër kam kënaqësinë ta ndaj me ju, shkon e gjitha për vazhdimin e punës së ndërtimit të unazës së madhe të Tiranës, që besoj se në përfundimin e saj do të përdoret nga të paktën 700 mijë banorë jo vetëm të Tiranës, por dhe të zonave përreth.

Privatizimi tregon besimin që sipërmarrja ka tek ekonomia shqiptare, që sipërmarrja shqiptare ka tek ekonomia shqiptare, sepse Kadriu  është i mençur që të mos blejë diçka pa vlerë. Nuk mbaj mend që të ketë blerë ndonjë gjë pa vlerë, ka blerë “Insigun” jo thjesht se “Insigu” ka vlerë dhe sigurisht që ka vlerë, por sepse e ardhmja e ekonomisë shqiptare është e garantuar dhe ai aty sheh veten.

Faleminderit!

Të rejat e fundit