“Fushatë informimi mbi ndryshimet në Paketën Fiskale 2019, janë informuar mbi 25 mijë tatimpagues”
Ndryshimet në legjislacionin tatimor që janë bërë në vitet e fundit kanë ulur barrën fiskale për tatimpaguesit dhe janë orientuar nga objektivat e qeverisë për të stimuluar sektorët prioritarë të ekonomisë apo kategori të caktuara biznesi. Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi ka dhënë këtë mesazh gjatë një takimi të zhvilluar me bizneset në kryeqytet. Gjatë takimit të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është diskutuar mbi planin kombëtar të komunikimit për informimin e publikut dhe prezantimin e ndryshimeve të legjislacionit tatimor, në kuadër të Paketës Fiskale 2019.
Zv.Ministri theksoi faktin se deri më tani në rang kombëtar janë informuar më shumë se 25 mijë tatimpagues, nëpërmjet disa kanaleve të ndryshime të komunikimit, dhe se synimi kryesor është që tatimpaguesit të jenë në dijeni të kuadrit ligjor dhe të mos ketë përmbushje të detyrimeve tatimore për shkak të mosinformimit.
“Synimi ynë është që tatimpaguesi të jetë në dijeni të plotë të të gjithë kuadrit tatimor që i përket biznesit të tij dhe të mënjanojmë ndonjë mospërmbushje detyrimesh për shkak të mos informimit. Ndryshimet kanë qenë në trendin ulës dhe jo rritës, sepse dëgjojmë shpesh herë që thuhet që biznesi nuk mund të bëjë plane biznesi ngaqë ka ndryshime të shpeshta tatimore dhe kjo i prish punë. Në të vërtetë, duke qenë se ne gjithmonë ndryshojmë duke ulur, ne vetëm i rregullojmë pune planeve të biznesit”, u shpreh Zv.Ministri Haxhi.
Përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i janë përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të bizneseve të pranishme mbi çështje të caktuara, një prej të cilave ka qenë dhe rimbursimi i TVSH për bizneset eksportuese. Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Xhavit Curri tha se po punohet për uljen e shumës së rimbursimit të TVSH dhe në muajt e ardhshëm kjo do të jetë një ndër prioritet e administratës tatimore.
Në fund të vitit të kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve hartoi dhe miratoi një plan kombëtar komunikimi me qëllim informimin e publikut dhe prezantimin e ndryshimeve të legjislacionit tatimor, me hyrjen në fuqi të Paketës Fiskale 2019. Nëpërmjet këtij Plani u synua informimi i tatimpaguesve të çdo fashe qarkullimi, për ndryshimet e legjislacionit tatimor, të cilat hynë në fuqi në datë 1 janar 2019.
Si rezultat i zbatimit të këtij plani komunikimi u arrit që :
Për periudhën 15 janar – 28 shkurt të informohen gjatë takimeve në 14 Drejtoritë Rajonale Tatimore 877 konsulentë fiskalë, ekonomistë dhe ekspertë kontabël, të cilët përfaqësojnë 12,843 tatimpagues në rang vendi.
Për periudhën 1 shkurt – 15 mars të informohen në terren nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve në 14 DRT në total 15,508 tatimpagues me një shkallë realizimi 122% krahasuar me targetin e caktuar.
DRT Tirana shënoi numrin më të madh të tatimpaguesve të informuar në terren me 2,520 dhe me një shkallë realizimi në 114%, e ndjekur nga DRT Durrës me 1,500 tatimpagues të informuar ose me një shkallë realizimi në masën 174%, DRT Shkodër me 1,350 tatimpagues të informuar me një shkallë realizimi 125% dhe duke vijuar me DRT Fier, DRT Vlorë DRT Gjirokastër, secila me nga 1,080 tatimpagues të informuar, etj..
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.