Postuar më: 17/06/2019

Miratohet marrëveshja, Shqipëria unifikon trajtimin e shmangies tatimore me ato të vendeve të OECD

Shqipëria do të aplikojë të njëjtat procedura të unifikuara për shmangien e detyrimeve tatimore si ato të vendeve të OECD.  Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për bërjen palë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS)” u miratua sot në Parlament.

Në fjalën e saj para deputetëve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se pjesëmarrja e Shqipërisë në kuadrin gjithëpërfshirës të Projektit Ndërkombëtar mbi Erozionin e Bazës së Taksueshme dhe Transferimin e Fitimit jep mundësinë për të punuar në në mënyrë të unifikuar në trajtimin e shmangies tatimore, për të përmirësuar koherencën e rregullave të marrëveshjeve tatimore dhe për të siguruar një ambjent tatimor sa më transparent.

Sipas Ministres, pjesëmarrja në këtë Projekt është plotësim i një kriteri thelbësor që e bën Shqipërinë të kualifikohet nga Komisioni Europian në fushat e bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjet e taksave.

“Kjo platformë pajis shtetet pjesëmarrëse me instrumentet e nevojshëm vendas dhe ndërkombëtarë për të eliminuar shmangien e taksave dhe njohjen e pritësimit bazë që tatimi aplikohet në vendin ky kryhen aktivitetet ekonomike që gjenerojnë fitime dhe aty ku krijohet vlera”, u shpreh Ministrja.

Fjala e Ministres Denaj:

Të nderuar deputetë,

Në vijim të krizës financiare globale, G20 dhe OECD krijuan dhe zhvilluan Kuadrin Gjithëpërfshirës të Projektit Ndërkombëtar mbi Erozionin e Bazës së Taksueshme dhe Transferimin e Fitimit, BEPS (Inclusive Framework on BEPS).

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Kuadër na jep mundësinë:

  • të punojmë në mënyrë të unifikuar në trajtimin e shmangies tatimore me vendet anëtare të marrëveshjes,
  • të përmirësojmë koherencën e rregullave të marrëveshjeve tatimore dhe
  • të sigurojmë një ambjent tatimor sa më transparent.

Në veçanti, për të gjitha vendet pjesmarrëse, ky projekt ofron:

  • zhvillimin e standardeve në lidhje me çështjet e erozionit të bazës së taksueshme;
  • rishikimin dhe implementimin e standardeve minimale nëpërmjet një sistemi efeketiv monitorimi;
  • lehtësimin e procesit të implementimit,
  • ofrimin e një orientimi të mëtejshëm dhe mbështetje për vendet në zhvillim, me rritjen e kapaciteteve dhe drejtimin sipas Platformës së Bashkëpunimit për Tatimet, të ngritur nga Organizatat Ndërkombëtare (IMF, OECD, UN and WB).

Pjesëmarrja në këtë Projekt është plotësimi i një kriteri thelbësor që e bën Shqipërinë të kualifikohet nga Komisioni Europian në fushat e bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjet e taksave.

Kjo platformë pajis shtetet pjesëmarrëse me instrumentet e nevojshëm vendas dhe ndërkombëtarë për të eliminuar shmangien e taksave dhe njohjen e pritësimit bazë që tatimi aplikohet në vendin ky kryhen aktivitetet ekonomike që gjenerojnë fitime dhe aty ku krijohet vlera.

Aktualisht janë 113 juridiksione anëtare të Kuadrit Gjithëpërfshirës të Projektit Ndërkombëtar BEPS dhe me ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje Shqipëria i bashkohet vendeve të saj partnere dhe aleate.

Ju faleminderit!