Postuar më: 14/09/2022

Miratohen vendimet për indeksimin e pensioneve dhe rritjen e pagës minimale, përfitojnë 900 mijë qytetarë

 

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e radhës dy vendime në kuadër të zbatimit të paketës së dytë të rezistencës sociale, me qëllim përballimin e pasojave të krizës së rritjes së çmimeve.

Vendimi i parë është ai për indeksimin e pensioneve të të gjitha kategorive në masën 6 % dhe vendimi i dytë është ai për rritjen e pagës minimale në vend në masën 34 mijë lekë.

Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në komunikimin me median pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

“Miratuam vendimin për indeksimin e pensioneve në nivelin 6 %. Me këtë indeksim të dytë ne e çojmë rritjen e pensioneve për vitin 2022 në nivelin 9.5 % në krahasim me pensionet që merreshin në fund të vitit të kaluar. Nga ky vendim përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve. Janë rreth 678 mijë pensionistë të cilët do të kenë një rritje të pensioneve të tyre në nivelin 9.5 %, që me pensionin e muajit shtator, pasi ky vendim hyn në fuqi me pensionin e muajit shtator”, u shpreh Ibrahimaj.

Sa i përket vendimit të rritjes së pagës minimale, Ministrja tha se ai prek një numër të madh të punësuarish.

“Në muajin prill, ne rritëm pagën minimale nga niveli 30 mijë lekë që ishte, në nivelin 32 mijë lekë, si pjesë e paketës së parë të rezistencës së parë. Me vendimin e sotëm paga minimale do të jetë 34 mijë lekë dhe ky është gjithashtu një vendim që prek një numër të madh të punësuarish. Janë mbi 200 mijë të punësuar të cilët përfitojnë nga vendimi që sot u morr nga Këshilli i Ministrave”, vijoi Ministrja.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi faktin se nga të dy vendimet, për indeksimin e pensioneve dhe rritjen e pagës minimale, përfitojnë në total rreth 900 mijë qytetarë.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi paketën re e rezistencës, Ministrja përsëriti faktin se mbështetja buxhetore e qeverisë për përballimin e krizës shkon në total në nivelin e 43 miliardë lekëve, ose rreth 65 % të buxhetit që qeveria shqiptare ka pasur mesatarisht në 5 vitet e fundit për investime me financim të brendshëm.

“Bëhet fjalë për një fond, i cili është vënë në dispozicion kryesisht qytetarëve shqiptarë, familjeve shqiptare, për të përballuar efektet e krizës, në mënyrë që buxheti i familjeve shqiptare të preket sa më pak nga kjo krizë që ne po përjetojmë. Është e rëndësishme që ne t’i gjendemi në mbështetje të gjithë familjarëve shqiptarë dhe gjithashtu ne të marrim masa që rritja ekonomike të vazhdojë, që investimet të vazhdojnë, pasi të gjithë investimet çojnë në rritje apo mbajtje të qëndrueshëm të nivelit të punësimit në vend, që është gjithashtu një indikator i mirëqenies së familjeve shqiptare në vend apo i mos reduktimit të mirëqenies së tyre”, vijoi Ministrja.

E pyetur mbi funksionimin e dy bordeve të ngritura nga qeveria, për karburantet dhe disa produkteve ushqimore të shportës, Ministrja tha se bordet kanë ndikuar pozitivisht dhe do të vijojnë të funksionojnë, me qëllim garantimin që qytetarët shqiptarë të paguajnë çmimin më të ulët të mundshëm për këto produkte dhe për të limituar çdo lloj spekulimi që mund të ndodhë në treg me rritjen e çmimeve.