Postuar më: 06/09/2022

Ministrja Ibrahimaj prezanton Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit 2022, 6.1 miliardë lekë për vijimin e Paketës së Rezistencës Sociale

Qeveria ndryshoi buxhetin e vitit 2022, me qëllim për t’ju përgjigjur në kohës situatës ekonomike të vendit, si rezultat i krizës energjetike dhe asaj të çmimeve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”.

Fokusi kryesor i rishikimit të buxhetit është financimi i mbështetjes për shtresat dhe sektorët e prekur nga situata e krizës dhe reduktimi i defiçitit buxhetor për garantimin e qëndrueshmërisë së parametrave makroekonomikë.

Ministrja Ibrahimaj tha,  se rishikimi i buxhetit të vitit 2022 ka si synim kryesor:

  • Shtrirjen e financimit të paketës së parë të ndihmës për konsumatorët dhe bizneset, të akorduar përmes AN nr.3/2022, me qëllim përballimin e mëtejshëm të pasojave të rritjes së çmimeve të konsumit, nëpërmjet alokimit sërisht të një fondi kontigjencë për Paketën e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës, me kosto 6.1 miliardë lekë;

 

  • Reflektimin në kahun e të ardhurave të një rritje në masën 30 miliardë lekë, bazuar në performancën pozitive të realizimit të planit të të  ardhurave tatimore dhe doganore nga administrata fiskale, për periudhën 7 mujore 2022.

 

  • Reduktimin e huamarrjes së brendshme dhe si rrjedhim edhe të defiçitit buxhetor në masën 17 miliardë lekë.

 

“Ky Akt Normativ parashikon një rritje reale ekonomike prej 3.2%. Parashikimi i rritjes ekonomike mund të jetë subjekt rishikimi në raundet e tjera të rishikimit apo të prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2023. Gjasat janë që rritja ekonomike në vitin 2022 të jetë më e lartë se sa 3.2 %”, tha Ibrahimaj, ndërsa theksoi, se masat e marra deri tani nga qeveria shqiptare kanë bërë që konsumi të mos ngadalësohet, duke qenë se qeveria vendosi mburojë për buxhetet e familjeve shqiptare duke mos ndryshuar çmimin e energjisë elektrike, si dhe duke subvencionuar ato kategori të cilat më së shumti ndjejnë rritjen e çmimeve të konsumit.

 

Përmes Aktit Normativ do të alokohen fonde për paketa ad-hoc të ndihmës sociale për të lehtësuar impaktin e rritjes së çmimeve tek shtresat më në nevojë të shoqërisë;  fonde për të kompensuar pjesërisht kostot shtesë në inputet kryesore të investimeve publike, vijimi i të cilave është mjaft i rëndësishëm për mbajten vitale të ekonomisë, si në afatin e shkurtër dhe në afatin e mesëm; si dhe do të mundësohen alokime të tjera më të vogla në formën e fondeve kontigjencë për të adresuar nevojat emergjente që mund të dalin gjatë vitit.

Me ndryshimet e propozuara, sipas Ministres Ibrahimaj, buxheti i vitit 2022 siguron mbështetje për sektorët e prekur nga kriza e çmimeve dhe shpërndan rritjen e shtuar të të ardhurave buxhetore, duke mbështetur objektivat e konsolidimit fiskal.

 

Këto ndryshime, vijoi më tej Ibrahimaj, do të shërbejnë për sigurimin deri në fund të vitit 2022 të qëndrueshmërisë së parametrave kyç makro-fiskalë, krahas orientimit të burimeve financiare drejt mbështetjes së shtresave më vulnerabël dhe politikave prioritare.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Përshëndetje të gjithëve,

Jemi sot këtu për të prezantuar Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”.

Akti Normativ që po paraqesim vjen për t’ju përgjigjur në kohë situatës ekonomike të vendit, si rezultat i krizës energjetike dhe të çmimeve.

 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të menaxhimit të krizës dhe situatës në shkallë të gjerë si pasojë e luftës në Ukrainë, dhe pas vlerësimit të ecurisë optimale 7 mujore të treguesve fiskale, ka ndërmarrë procesin dhe ka përgatitur skenarin e rishikimit të dytë të buxhetit për vitin 2022, me fokus primar akomodimin e financimit të mbështetjes për shtresat e sektorët e impaktuar nga situata e krizës dhe reduktimin e defiçitit buxhetor për garantimin e qëndrueshmërisë së parametrave makroekonomikë.

 

Ky rishikim i buxhetit 2022 ka si synim kryesor:

 

  • Shtrirjen e financimit të paketës së parë të ndihmës për konsumatorët dhe bizneset, të akorduar përmes AN nr.3/2022, me qëllim përballimin e mëtejshëm të pasojave të rritjes së çmimeve të konsumit, nëpërmjet alokimit sërisht të një fondi kontigjencë për Paketën e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës, me kosto 6.1 miliardë lekë;

 

  • Reflektimin në kahun e të ardhurave të një rritje në masën 30 miliardë lekë, bazuar në  performancën pozitive të realizimit të planit të  të  ardhurave tatimore dhe doganore nga administrata fiskale, për periudhën 7 mujore 2022.

 

  • Reduktimin e huamarrjes së brendshme dhe si rrjedhim edhe të defiçitit buxhetor në masën 17 miliardë lekë;

 

Mbështetur në vlerësimin e ecurisë së deritanishme të treguesve makro-fiskalë dhe buxhetorë, ne paraqesim në vijim propozimet konkrete në kuadër të rishikimit të dytë të ligjit të buxhetit 2022, i cili referuar zërave më të rëndësishëm reflekton kryesisht këndvështrimin tonë mbi parametrat makroekonomikë.

Më konkretisht, ky akt normativ parashikon:

Një rritje reale ekonomike prej 3.2%. Ky është parashikimi që është përdorur në ushtrimin buxhetor të përgatitjes së këtij AN, por parashikimi i rritjes ekonomike mund të jetë subjekt rishikimi në raundet e tjera të rishikimit apo të prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2023.

Gjasat janë që rritja ekonomike në vitin 2022 të jetë më e larta se sa 3.2 %.

Më në detaje unë do të doja t’ju bëja një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit makroekonomike dhe situatës makro deri më tani:

 

  • Deri tani kemi statistika vetëm për rritjen ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2022, e cila ishte në nivelin 6%, ndërkohë që presim të publikohen statistikat e tremujorit të dytë si për rritjen ekonomike, ashtu edhe për punësimin, të cilat publikohen brenda muajit shtator. Siç e thashë, rritja për tremujorin e parë ishte në nivelin 6 %, e shpërndarë si në rritjen e konsumit, ashtu edhe të investimeve, me përkatësisht 6.8 % dhe 15.5 %.
  • Nga ana tjetër, sa i përket ofertës agregate, rritja ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku kontributin kryesor e kishte “ndërtimi”, “tregtia, akomodimi dhe restorantet, transporti, etj”, si dhe të gjithë sektorët e tjerë, duke përjashtuar vetëm sektorët që lidhen me administratën shtetërore.
  • Nga ana tjetër, treguesit indirekt tregojnë për vijimin e rritjes ekonomike edhe për tremujorin e dytë dhe në muajin e parë të tremujorit të tretë. Ne këtë mund ta themi qartë bazuar në të dhënat për rritjen e eksporteve, rritjen e importeve, rritjen e numrit të bizneseve, rritjen e vendeve të punës, të cilat masin pulsin e ekonomisë dhe tregojnë që tremujorit i dytë do të vijojë të ketë një rritje të ndikuar jo vetëm nga ecuria e rritjes së çmimeve, por të ndikuar edhe nga rritja e aktivitetit real ekonomik në vend.

Sa i takon pozicionit të jashtëm të ekonomisë, statistikat e bilancit të pagesave për tremujorin e parë gjithashtu tregojnë se ne kemi pasur një përmirësim, duke pasur një ngushtim të deficitit të llogarisë korente me rreth 22% kundrejt të njëjtit tremujor të një viti më parë. Ky përmirësim është rrjedhojë e një rritje me rreth 50% të suficitit të llogarisë së shërbimeve, si dhe të hyrave nga remitancat të cilat u rritën me rreth 9.3%.

Është shumë e qartë se ne si të gjithë vendet e tjera të botës jemi duke u ndikuar nga efektet e një krize të rritjes së çmimeve dhe parashikimet tona për vitin 2023, e mbase dhe për fundin e vitit 2022, janë për një reduktim të rritjes ekonomike. Frika më e madhe ndikohet potencialisht nga rënia e konsumit, e cila është e lidhur ngushtësisht me rritjen e çmimeve dhe rritjen e indeksimit të çmimeve të konsumit. Megjithatë, të gjitha masat e marra deri tani nga qeveria shqiptare kanë bërë që konsumi të mos ngadalësohet, duke qenë se ne krijuam një mburojë qoftë për buxhetet e familjeve shqiptare duke mos ndryshuar çmimin e energjisë elektrike, si dhe duke subvencionuar ato kategori të cilat më së shumti ndjejnë rritjen e çmimeve të konsumit.

Unë dua t’ju kujtoj se një nga kostot më të mëdha të buxhetit të shtetit për këtë vit është rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe parashikimi i buxhetit për të bërë mburojë për këtë rritje është 28 miliardë lekë. Është një vlerë e jashtëzakonshme, por ama bën që buxheti i familjeve, i cili 5.6 % nga kostot e energjisë elektrike, të ruhet i paprekur. Nëse ne do të kishim bërë ndryshime të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët, ky buxhet do të ishte 10 fishuar. Do të thotë se nëpërmjet kësaj mase ne indirekt kemi arritur mos rënien e konsumit.

Nga ana tjetër, nuk kemi ndryshuar çmimeve e energjisë elektrike për bizneset, duke ndikuar në mënyrë direkte në kostot e prodhimit, gjë që ka ndikuar në mos rritjen e inflacionit në nivelet e BE apo të vendeve të rajonit.

Niveli e inflacionit në vend për të gjithë muajt ka qenë më i ulët se sa mesatarja e BE-së dhe se sa të gjitha vendet e rajonit. Në muajin korrik kemi një inflacion prej 7.5 %, ndërkohë që vendet e rajonit kanë inflacion dyshifror.

Sa i përket Aktit Normativ, ai parashikon disa ndryshime kryesore sa i përket politikës fiskale.

Së pari, ky Akt mundëson një rritje të totalit të shpenzimeve me rreth 13 miliard lekë kryesisht për të amortizuar goditjen e çmimeve.

Më konkretisht, në këtë AN janë alokuar fonde për paketa ad-hoc të ndihmës sociale për të lehtësuar impaktin e rritjes së çmimeve, sigurisht tek shtresat më në nevojë të shoqërisë, janë alokuar fonde për të kompensuar pjesërisht kostot shtesë në inputet kryesore të investimeve publike, vijimi i të cilave është mjaft i rëndësishëm për mbajten vitale të ekonomisë, si në afatin e shkurtër dhe në afatin e mesëm, si dhe janë mundësuar alokime të tjera më të vogla në formën e fondeve kontigjencë për të adresuar nevoja emergjente që mund të dalin gjatë vitit.

  • Së dyti, ky akt normativ redukton deficitin buxhetor dhe huamarrjen e brendshme neto me 17 miliard lekë. Në kontekstin e ri aktual makroekonomik që ka krijuar goditja e fundit nga lufta në Ukrainë, ku kushtet financiare mbarë globale janë shumë më tepër të shtrënguara se para kësaj goditje dhe diametralisht të ndryshme me rastin e goditjes nga pandemia, reduktimi me ligj i deficitit fiskal gjatë një viti buxhetor dhe kësisoj sinjalizimi i qartë tek të gjithë agjentët ekonomik për vijimësinë me vendosmëri të një politike fiskle konsoliduese, me synim ruajtjen dhe konsolidimin e qëndrueshmërisë afat-mesme dhe afat-gjatë të financave publike dhe statibilitetit makroekonomik të vendit, gjykojmë me bindje të plotë se është në interesin më të mirë publik në tërësi, edhe pse ndoshta ky interes publik nuk është aq lehtësisht i perceptueshme nga kushdo, ndryshe nga elementi i parë i rritjes së shpenzimeve për amortizimin e goditjes së çmimeve tek shtresa të caktuara i cili është më i prekshëm për shumicën e njerëzve. Por e ritheksoj, që ky element i dytë, sidomos në një afat pak më mesëm dhe të gjatë, është edhe më i rëndësishëm se sa elementi i parë.
    • Më specifikisht, sa i takon defiçitit buxhetor, në këtë AN është bërë një reduktim i tavanit të deficitit me 17 miliardë lekë, duke e ulur atë në nivelin 84 miliardë lekë nga 101 miliardë lekë që është aktualisht. Rrjedhimisht, në përqindje të PBB, ky nivel i rishikuar i deficitit ulet në nivelin 4.2%, nga 4.5% që rezultoi në vitin 2021.
    • Sa i takon burimeve të financimit të deficitit, ky reduktim i tij është reflektuar i gjithi tek huamarrja e brendshme neto, e cila gjithashtu është reduktuar me 17 miliard nga sa është aktualisht, pra limiti i huamarrjes së brendshme neto tashmë është 33 miliardë lekë nga 50 miliardë që ishte.
    • Për rrjedhojë të këtyre ndryshimeve që përmenda më sipër, borxhi publik total për vitin 2022 pritet të ulet tashëm në rreth 71.9% e PBB, nga 73.2% e PBB që rezultoi për vitin 2021. Megjithatë, ky tregues do të jetë i ndikuar nga variabla të tjera makroekonomikë deri në fund të vitit, si p.sh. vlera nominale e PBB, kursi i këmbimit i fund-vitit, që ka gjasa ta reduktojë edhe më tutje borxhin publik në fund të vitit 2022.

Në kahun e të Ardhurave: Ky akt normativ parashikon një rritje të planit të të ardhurave të përgjithshme me plus 30 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar sipas AN nr.3/2022, ose plus 40 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2022. Në terma krahasimore, të ardhurat tatimore dhe doganore për 6 mujorin e parë 2022 u realizuan në  nivelin 14.3 miliardë lekë ose +6.2% më shumë se plani i periudhës, dhe  +42.8 miliardë lekë ose +21.1% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2021. Nisur nga kjo, propozohet një rritje e të ardhurave të përgjithshme në masën +30 miliardë lekë, e cila mbështetet në:

  • Realizimin e të ardhurave për 6 mujorin e parë 2022;
  • Qëndrueshmërinë e të ardhurave gjatë periudhës korrik- gusht;
  • Vlerësimet e kujdesshme lidhur me performancën e pritshme të të ardhurave për periudhën shtator-dhjetor 2022;
  • Supozimet në lidhje me ndikimin në muajit në vijim dhe risqet e pritshme mbi të ardhurat tatimore të faktorëve të tillë si sasitë dhe çmimet e mallrave të importit dhe atyre që hidhen në tregun e brendshëm, kursin e këmbimit të monedhave kundrejt lekut, niveli i inflacionit, etj;

 

Në kahun e Shpenzimeve ndryshimet konsistojnë në:

 

  1. Rritje me rreth +13 miliardë lekë të shpenzimeve të përgjithshme, të cilat pas kësaj, arrijnë në nivelin 660.7 miliardë lekë nga 647.7 miliardë lekë që ishin sipas AN nr.3/2022. Kjo vlerë është përftuar përmes kombinimit të shkurtimeve në zërat që kanë shënuar mosrealizim në nivel 6 mujor, dhe alokimit të shtesave për politikat e vlerësuara si prioritare për pjesën e mbetur të vitit 2022. Konkretisht, propozimet tona janë si më poshtë:
    • +6.1 miliardë lekë për zgjatjen në kohë të mbështetjes përmes Paketës së Rezistencës Sociale ndaj Pasojave të Krizës, në formën e një fondi kontigjencë që do të përdoret me VKM.

 

 

  • +1.67 miliardë lekë janë parashikuar për përballimin e efekteve eventuale të Aktit Normativ nr.10 datë 18.05.2022 “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg gjatë vitit 2022”. Ky fond, i cili alokohet në buxhetin e MFE, do të përdoret me VKM bazuar në kërkesat e argumentuara të institucioneve përkatëse dhe vetëm pas ezaurimit të mundësive të financimit brenda tavanit buxhetor 2022 të miratuar për çdo institucion.

 

  • +4 miliardë lekë rritje të shpenzimeve kapitale me Financim të Huaj, që ka për qëllim risistemimin e fondeve të pakësuara përmes AN nr.3/2022, për FSHZH dhe MIE (në programet Transporti Rrugor dhe Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime).

 

  • +1.72 miliardë lekë për subvencionimin e qerasë për familjet e prekura nga tërmeti, pas ezaurimit të tavanit prej 1 miliardë lekë të planifikuar për vitin 2022. Këtu përfshihet edhe fondi prej 20 milionë lekë për bashkinë Kamëz, në zbatim të VKM nr.409/2022 “Për rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve pa leje, që nuk legalizohen”.
  • +1.2 miliardë lekë për blerjen e teksteve shkollore falas dhe për mbulimin e shpenzimeve të transportit për mësuesit dhe nxënësit.

 

  1. Rreth -5.1 miliardë lekë shkurtime të shpenzimeve korente e kapitale, referuar zërave që kanë shënuar mosrealizim në nivel 6 mujor, ku ndër më kryesoret përmendim:
    • Rreth -2.9 mld lekë shkurtime në planin e shpenzimeve korente, bazuar në vlerësimin e fondeve të lira në zërat ‘Paga’, ‘Sig. shoqërore’, ‘Politika të reja pagash’ dhe ‘Operative/Mirëmbajtje’. Ky pakësim, ndër të tjera, ka shkuar për plotësimin e mangësive të financimit të evidentuara në tavanet e disa institucioneve.

 

  • Rreth -2 mld lekë shkurtime të shpenzimeve kapitale me Financim të Brendshëm, bazuar në vlerësimin e performancës së realizimit të projekteve të investimeve publike gjatë 6 mujorit të parë 2022, me fokus kryesor:

 

  • Projektet infrastrukturore, të pa prokuruara aktualisht ose të reja.
  • Projektet e çelura si ‘Fond i ngrirë’, pra të pa detajuara ende.
  • Projektet me ecuri të dobët financiare, bazuar në vlerësimin 6 mujor.

 

Tek Shpenzimet për njësitë e qeverisjes vendore janë bërë disa ndryshime të cilat kanë pasur efekt neutral në buxhet.

 

Me këtë ndryshim, buxheti i vitit 2022 ka siguruar mbështetjen e sektorëve të prekur nga kriza e çmimeve, ka shpërndarë rritjen e shtuar të të ardhurave buxhetore, duke mbështetur objektivat e konsolidimit fiskal.

 

Në përfundim, vlen të theksojmë se ndryshimet e propozuara do të shërbejnë për sigurimin deri në fund të vitit 2022 të qëndrueshmërisë së parametrave kyç makro-fiskalë, krahas orientimit të burimeve financiare drejt mbështetjes së shtresave më vulnerabël dhe politikave prioritare.

 

Faleminderit.