Politikat e ndërmarra nga qeveria vitet e fundit kanë krijuar stabilitet dhe rritje të ekonomisë, e cila në vitin 2021 u rrit me 8.54 %.
Në fjalën e saj në Parlament, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, theksoi se politikat e ndjekura nga Qeveria kanë qënë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së shtresave më në nevojë, të cilat preken nga kriza për shkak të rritjes së çmimeve.
“Rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar ishte 8.54 % në krahasim me vitin 2020. Në vitin 2021, ekonomia shqiptare është rritur me gati 5 % më shumë në krahasim me vitin 2019, kur kishte një aktivitet normal, përpara se pandemia të godiste ekonominë”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi faktin se rritja ekonomike është konstatuar në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërkohë që është shoqëruar me rritje të punësimit, rritje të eksporteve dhe importeve, rritje të të ardhurave të mbledhura në vitin 2021 dhe në tremujorin e parë të vitit 2022, si dhe në rritje të kreditimit.
Ministrja u shpreh se qeveria është treguar e kujdesshme dhe ka ndërmarrë politikat dhe vendimet e duhura, të cilat do të sjellin zhvillim ekonomik në të ardhmen.
“Sot niveli i borxhit është më i ulët se sa një vit më parë, pasi i gjithë borxhi u investua në projekte zhvillimi të cilat sollën rritje ekonomike. Kjo është ajo që bëjmë ne. Ne marrim vendime të matura dhe të duhura, vendime që përkujdesen për ata që preken më shumë nga kriza dhe që kanë më shumë nevojë. Ne marrim vendime të cilat në të ardhmen sjellin zhvillim ekonomik”, theksoi Ibrahimaj.
Me rishikimin e buxhetit 2022 u vendos të shkurtoheshin shpenzimet jo prioritare, shpenzimet operative dhe shpenzime kapitale, të cilat mund të shtyheshin për vitin e ardhshëm. Edhe pse një vendim i tillë ishte i vështirë për shkak se janë investimet ato që mbështesin rritjen ekonomike, Ministrja theksoi se në kohë krizash duhet të merren të tilla masa, me qëllim mbrojtjen e shtresave më në nevojë për shkak të rritjes së inflacionit në vend.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar kryetare e Parlamentit,
Të nderuar deputetë,
Dëgjova këtu të thuhej se Shqipëria po lëngon. Në fakt shifrat tregojnë komplet të kundërtën. Rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar ishte 8.54 % në krahasim me vitin 2020. Vërtet mund të thuhet që viti 2020 ka pasur rënie ekonomike dhe 8.5 % nuk është ndonjë shifër impresionuese, por në fakt jo. Në fakt 8.5 në krahasim me vitin 2019, i cili është një vit normal dhe me një rritje ekonomike krejt normale, do të thotë se është rritur me 4.76 %. Pra në vitin 2021, ekonomia shqiptare është rritur me gati 5 % më shumë në krahasim me vitin 2019 kur kishte një aktivitet normal, përpara se pandemia të godiste ekonominë dhe përpara se të kishte gjithë atë ndalim ekonomik.
Nëse do t’i referohemi sektorëve, ekonomia është rritur në të gjithë sektorët e saj. Pra nuk është vetëm sektori i ndërtimit që ka sjellë rritje. Sigurisht ndërtimi ka pasur kontributin kryesor në rritje, pasi përveç rritjes së ndërtimit privat ka pasur kontribut dhe rindërtimi, të cilin na u desh ta parashikonim dhe e kemi financuar totalisht nga buxheti i shtetit, pikërisht për t’i ardhur në ndihmë dhe për tu përkujdesur për të gjithë ato familje që u goditën nga pasojat e tërmetit.
Nga ana tjetër, rritja ekonomike nuk ishte e kufizuar vetëm në shifrat e GDP-së. Ajo u përkthye në rritje të punësimit. Për herë të parë vendet e punës në vend arritën në më shumë se 700 mijë dhe janë vende pune që kontribuojnë në të gjitha familjet shqiptare, në mirëqenien e 700 mijë familjeve shqiptare.
Rritja ekonomike nuk u përkthye vetëm në rritje të punësimit, por edhe në rritje të kredisë sepse është kreditimi i sektorit privat që nxit investimet private. Stoku i kredisë ka ardhur në rritje gjatë vitit 2021, në të gjithë sektorët, duke u shoqëruar dhe me rritje të kredisë konsumatore. Kjo ka sjellë që nga ana e shpenzimeve, GDP-ja të rritet si nga ana e konsumit, pra konsumi i popullatës ka kontribuar në gati gjysmën e rritjes ekonomike, ashtu dhe në kahun e investimeve, nga ku kemi pasur gjysmën tjetër të rritjes ekonomike.
Ndërkohë, tregtia e jashtme është rritur në vëllim dhe në vlerë dhe nuk ka ndaluar rritja në vitin 2021, por ka vijuar dhe në tremujorin e parë të vitit 2020. Kemi pasur si rritje në volum të eksporteve, ashtu edhe rritje në volum të importeve. Dua të hedh poshtë të gjithë ato aludime që është rritja e çmimeve që ka sjellë rritjen e importeve dhe të eksporteve. Jo, nuk është e vërtetë. Është zhvillimi i aktivitetit ekonomik, është vijimi i ecurisë që ka sjellë rritjen e importeve dhe të eksporteve.
Rritja është pasqyruar edhe në të ardhura, si në të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat gjatë vitit të kaluar, ashtu dhe në të ardhurat e tremujorit të parë të vitit 2022. Është thënë se këto të ardhura rriten sepse janë rritur çmimet dhe e vetmja që përfiton nga rritja e çmimeve është qeveria. Jo, ky është një tjetër mit i cili nuk është i vërtetë. 80 % e rritjes së të ardhurave në tremujorin e parë ka ardhur si pasojë e ecurisë ekonomik dhe 20 % ka ardhur si pasoja e rritjes së çmimeve.
Në fakt janë të gjitha këto shifra që tregojnë se Shqipëria nuk po lëngon. Shqipëria vërtet është përfshirë në një valë inflacioniste, në të cilën është përfshirë e gjithë bota. Këtu u përmend se është faji i qeverisë se rritja e çmimeve po pasqyrohet në vend. Por si ka mundësi që kjo rritje çmimesh është gati dyfish në vendet e rajonit dhe vendet e Europës, e nuk po flas këtu vetëm për inflacionin total, por po përqendrohem te inflacioni i ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike.
Në muajin mars ne kemi normën e inflacionit më të ulët nga vendet e rajonit dhe ka vende të rajonit të cilat e kanë gati dyfish me atë që e kemi ne. Norma e inflacionit e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike është 9.3 % dhe nëse këtë do ta përkthejmë në rritjen e shpenzimeve mesatare të një familje shqiptare, ne do të kemi një vlerë të përafërt me vlerën prej 3 mijë lekë në muaj. Kjo është llogaria që ne kemi bërë. Kë është vendimi që ne kemi marrë. Ne kemi vendosur që të përkujdesemi për të gjithë ato shtresa dhe kategori në nevojë duke i kompensuar financiarisht vlerën e barabartë me rritjen e çmimeve në shportën e tyre të konsumit. Pra, për 576 mijë individë, ne kemi vendosur të bëhemi mburojë dhe kemi alokuar 5.2 miliardë lekë me qëllim që ne të mbulojmë gjithë rritjen e çmimeve. A nuk është ky reagim? Mbase për disa jo.
Ne mendojmë se një qeveri duhet të kujdeset që të ketë mundësi që të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur, me qëllim që të garantojë rritjen ekonomike. Në fakt këtë bëmë që në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur ne vendosëm të bëhemi mburojë për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Ne vendosëm atëherë kur askush nuk e besonte se do të kishte një krizë energjetike, të bëhemi mburojë dhe të mbulojmë nga buxheti i shtetit të gjithë rritjen e çmimeve të energjisë, që do të prekte të gjitha familjet dhe të gjitha bizneset e vogla shqiptare. Ne vendosëm që buxheti i shtetit të mbajë në kurriz gjithë këtë ngarkesë, ndryshe nga sa bënë shumë vende të tjera.
Ne vendosëm që nëpërmjet rishikimit të buxhetit të ndërmarrim ato politika që në fakt sugjerohen nga të gjithë ekonomistët. Ne vendosëm të shkurtojmë shpenzimet jo prioritare, vendosëm të shkurtojmë shpenzime operative, shpenzime kapitale me financim të brendshëm dhe me financim të huaj, me qëllim që të reduktojmë ato shpenzime që lidhen me dietat, me udhëtime, me blerje makinash, me shpenzime që mund të shtyhen për vitin tjetër.
Nga ana tjetër, vendosëm që ato shpenzime kapitale që nuk janë të domosdoshme t’i shtyjmë për një vit më mbrapa. Ky nuk ishte një vendim i lehtë. Ishte një vendim i vështirë, pasi janë pikërisht investimet të cilat përkthehen në rritje ekonomike. Por politikat ekonomike diktojnë që në periudha krizash, në periudha kur manifestohen rritje të çmimeve të konsumit ne duhet të marrim këto masa, të cilat kanë qenë të bashkërenduara me masat që ka marrë dhe Banka e Shqipërisë, duke rritur normën bazë të interesit, me qëllim që të limitohet rritja e mëtejshme e inflacionit në vend.
Këto janë ato tregues të cilët na bëjnë ne që të jemi në qeveri e kujdesshme. Janë ato tregues dhe ato lloj vendimesh që na bënë ne gjatë dy viteve më parë që të ndërmarrim politikat e duhura, të cilat janë përkthyer në rritje ekonomike.
Ne patëm një rritje të borxhit gjatë vitit 2020 dhe 2021, i cili vërtet ishte i domosdoshëm për të financuar investimet, por ky borxh u kthye në rritje ekonomike dhe janë këto politikat të cilat ne do të vazhdojmë të bëjmë. Borxhi u kritikua se ishte shumë i lartë. U kritikuam shumë në Kuvend për marrjen e Eurobondit në një vlerë më të lartë se sa ishte parashikuar. Por që në fillim ne thamë se do të marrim një vlerë më të lartë, pasi ne presim rritje të normave të interesit gjatë vitit të ardhshëm dhe kjo është ajo që po ndodh e po materializohet. Nëse ne do të kishim dalë këtë vit në Eurobond, ne do të kishim marrë një borxh me kosto më të lartë dhe ju e dini shumë mirë se është kosto që paguhet nga qytetarët shqiptarë.
Politikat e ndërmarra janë të duhurat, krijojnë siguri dhe stabilitet. Kemi muaj që themi se do shkojmë drejt konsolidimit fiskal dhe kjo është ajo që kemi bërë. Sot niveli i borxhit është më i ulët se sa një vit më parë, pasi i gjithë borxhi u investua në projekte zhvillimi të cilat sollën rritje ekonomike.
Kjo është ajo që bëjmë ne. Ne marrim vendime të matura, marrim vendime të duhura, vendime që përkujdesen për ato që preken më shumë nga kriza dhe që kanë më shumë nevojë. Ne marrim vendime të cilat në të ardhmen sjellin zhvillim ekonomik.
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.