Postuar më: 14/10/2021

Ministrja Ibrahimaj në Kuvend: Me dy aktet normative të buxhetit u arrit konsolidimi fiskal dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se rritja ekonomike në vend për gjysmën e parë të vitit llogaritet 11.89 %, duke e bërë Shqipërinë vendin me rritjen ekonomike më të lartë në rajon.

Gjatë debatit në seancë plenare të Kuvendit për dy akteve normative për ndryshime në buxhet dhe në ligjin organik të buxhetit pas kthimit nga Presidenti, Ibrahimaj theksoi,  se përmes tyre u arrit konsolidimi fiskal si dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit, pas pasojave që i kanë lënë ekonomisë dhe vendit tonë dy fatkeqësitë e njëpasnjëshme tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e COVID-19.

“Shenjat e rimëkëmbjes ekonomike pas këtyre 2 goditjeve janë inkurajuese, ku vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, rritja ekonomike ka shënuar shifrën prej 17.9%, fakt i cili na jep më shumë besim dhe energji se me politikat fiskale të ndërmarra tashmë dhe me reformat e nisura dhe ato të parashikuara në Programin e Qeverisë 2021-2025, do të mund të sigurojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme e cila do të prodhojë më shumë shërbime publike cilësore dhe mirëqenie të përgjithshme për qytetarët”, tha ajo.

Sipas ministres, aktet normative që u ndërmorën gjatë 2 viteve të fundit kanë shërbyer si instrument për reagimet e shpejta të qeverisë ndaj rreziqeve që paraqiste situata. Risqe që sipas saj, po shtohen nga situata e re energjetike botërore jo e favorshme, e cila patjetër që do të ndikojë në financat publike të vendit dhe do të ketë nevojë për ndërhyrje në legjislacionin përkatës.

Ministrja tha se ndryshimi i ligjit organik të buxhetit duke parashikuar shtyrjen për 1 vit të rregullave fiskale i jep “frymëmarrjen” e duhur buxhetit për një ekonomi që rritet në mënyrë të sigurt në periudhën afatgjatë.

 

Fjala e plotë e Ministres  për Aktin Normativ të ndryshimit të Ligjit Organik të Buxhetit

E nderuar Kryetare, të nderuar Deputetë,

Sot, pas kthimit nga Presidenti i Republikës po diskutohen 2 Aktet Normative “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 dhe “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar” të cilat i takojnë korrikut 2021. Këto dy akte kanë pasur dhe vijojnë të kene si qëllim madhor: arritjen e konsolidimit fiskal si dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, pas pasojave që i kanë lënë ekonomisë dhe vendit tonë dy fatkeqësitë e njëpasnjëshme Tërmeti i 26 nëntori dhe efekti global i pandemisë së Covid-19.

Pandemia globale i vendosi të gjithë qeveritë në mbarë botën përballë sfidash pa precedent. Rëndesa në Shqipëri u amplifikua nga tërmeti i nëntorit të një viti më parë. E megjithatë, qeveria shqiptare ndërmori masa të shpejta e të menjëhershme me qellim garantimin e shëndetit në radhë të parë dhe stabilitetit ekonomik dhe financiar më tutje.

Recesioni i vitit 2020 ishte më i forti i 3 dekadave të fundit, prej vitit 1997, Shqiperia nuk kishte pësuar goditje të tillë ekonomike por ndryshe nga ajo periudhë e errët, qeveria veproi shpejt duke i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve dhe duke arritur të ruaj nivelet e rënies ekonomike.

Aktet normative që u ndërmorën gjatë 2 viteve të fundit kanë shërbyer si instrument për reagimet e shpejta të qeverisë ndaj rreziqeve që paraqiste situata. Risqe të cilat  vijojnë të jenë prezente nisur nga situata ende  serioze e pandemisë COVID-19, dhe madje janë të shtuara nga situata e re energjitike botërore jo e favorshme e cila patjetër që do të ndikojë në financat publike të vendit dhe do të ketë nevojë për axhustime në legjislcionin përkates.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Është detyra e qeverisë që të garantojë qëndrueshmëri dhe stabilitet për shtresat më në nevojë. Është detyra e qeverisë të garantojë vijimësi dhe të ndërmarrë politika që sjellin rritje te qëndrueshme dhe  ne këtë bëmë.

Ne ndërmorëm një politikë fiskale ekspansioniste e cila mundësoi jo vetëm rritje të sigurt të ekonomisë së vendit, por edhe asete dhe shërbime publike që do të rrisin akoma dhe më shumë cilësinë e jetesës për të gjithë qytetarët.

Pa dashur të bëhem përsëritëse më lejoni të ritheksoj se:

  • në 6 mujorin e parë ekonomia shqiptare u rrit me rreth 11.89 %, rritja më e madhe e rajonit.
  • Treguesit e tregut të punes u stabilizuan dhe papunësia arriti një nivel 12.6 %.
  • Importet u rritën me 26.2% dhe eksportet me 22,5 % deri në Gusht 2021, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të mëparshem.
  • Të ardhurat 19% me 2020: 6.9% me 2019: 104.4 % të planit të 9-mujorit.

Treguesit e tërthortë tregojnë për rritje të mëtejshme të ekonomisë dhe për këtë ne presim që rritja ekonomike të arrijë ne nivelin 7.6%

Këto zhvillime nuk vijnë vetëm. Ato janë rezultat i politikave ekspansioniste të ndjekura nga qeveria.

Me qëllim përballimin e sfidave të paparashikuara dhe nxitjen e rritjes ekonomike nevojitej korrigjimi në vitin 2021, propozimi i ndryshimit të ligjit vjetor të buxhetit 2021 nevojitet të mbështetet dhe me mjetet e duhura financiare sikurse është rritja e hapësirës financuese përmes përdorimit të borxhit si instrument nxitës për ekonominë e vendit tonë në këto momente.

Ndryshimi i LOB-it duke parashikuar shtyrjen për 1 vit të rregullave fiskale i jep “frymëmarrjen” e duhur buxhetit për të mundësuar ndërmarrjen e iniciativave të rëndësishme sikurse janë ato të parashikuara në Aktin Normativ “Për ndryshimin e Buxhetit 2021”, me synimin e qartë për një ekonomi që rritet në mënyrë të sigurt në periudhën afatgjatë. Sigurimi i rritjes ekonomike është i vetmi instrument dhe i vetmi  garant për mundësuar pas vitit 2024 dhe uljen e pandalshme të borxhit publik.

Rregullat fiskale aktuale të LOB të sanksionuara në pikat 1 deri në 4 të nenit 4/1 të LOB imponojnë një ulje graduale por të sigurt të nivelit të stokut të borxhit publik të vendit.

Dua të theksoj se ky propozim është në linjë të plotë dhe me udhëzimet fiskale të Komisionit Europian për vendet e BE të datës 2 Qershor 2021 (European Semester Spring Package) , të cilat konsistojnë në shtrirjen e aplikimit e klauzolës së përgjitshme përjashtuese për politikat fiskale të vendeve të BE edhe përgjatë vitit 2022.

 

Pra me fjalë të tjera, Komisioni Europian në arsyetimin e këtij udhëzimi, argumenton se politika fiskale zgjeruese, e cila do të lejohet gjatë periudhës 2021-2022 për vendet e BE, synon implementimin e investimeve të reja publike dhe reformave të nevojshme strukturore që do të mbështesin rimëkëmbjen ekonomike, forcimin e potencialit të rritjes ekonomike dhe punësimit  si dhe përmirësimit të financave publik.

Në këtë kontekst, Akti Normativ i katërt për rishikimin e buxhetit 2021 që sërish gjendet para jush, parashikon një rritje të nivelit të shpenzimeve kapitale (rreth 7.7% e PBB, përfshirë edhe ri-ndërtimin), duke rritur kësisoj dhe deficitin buxhetor me rreth 0.6% e PBB, dhe rrjedhimisht rritur dhe stokun e borxhit publik nga 76.1% në vitin 2020 në rreth 80% të PBB (përfshi dhe garancitë e reja të huamarrjes së sektorit elektroenergjitik).

Të nderuar qytetare, është e pamundur që nga njëra anë të mund të përdoret buxheti si instrument stabilizues dhe nxitës i rritjes ekonomike dhe nga ana tjetër, në të njëjtën kohë, të mund të zbatohen rigorozisht rregullat fiskalë të përcaktuar në pikat 1 deri 4 të nenit 4/1 të LOB.

Nga ana tjetër, kjo politikë relaksuese fiskale në krahun e shpenzimeve që propozohet të ndiqet me anë të këtij Akti Normativ theksojmë që do të jetë e përkohshme pasi sikurse jeni në dijeni deri në fund të vitit 2019, treguesit fiskalë të buxhetit kanë dëshmuar që konsolidimi fiskalë është arritur bindshëm.

Konkretisht në vitin 2019, deri përpara goditjes së tërmetit të nëntorit, sërish po targetohej një nivel deficiti buxhetor prej 1.6% e PBB, niveli më i ulët i targetuar historikisht. Madje edhe pas goditjes së tërmetit, deficiti i targetuar u përmbajt në 2.2% të PBB, i cili ishte edhe niveli përfundimtar i ligjit fillestar të buxhetit i miratuar në Kuvend, pra sërish duke targetuar një rënie të borxhit publik, pavarësisht goditjes negative të fortë që shkaktoi tërmeti në ekonomi dhe financat publike.

Shenjat e rimëkëmbjes ekonomike pas këtyre 2 goditjeve janë inkurajuese, ku vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, rritja ekonomike ka shënuar shifrën impresionuese prej 17.9%, fakt i cili na jep më shumë besim dhe energji se me politikat fiskale të ndërmarra tashmë dhe me reformat e nisura dhe ato të parashikuara në Programin e Qeverisë 2021-2025, do të mund të sigurojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme e cila do të prodhojë më shumë shërbime publike cilësore dhe mirëqënie të përgjithshme për qytetarët.

Në përfundim, dëshiroj të risjell në vëmendje se politika fiskale do të mbetet plotësisht e orientuar për t’ju rikthyer objektivit të saj prioritar të konsolidimit fiskal në afatin e mesëm dhe afatin e gjatë, në përputhje si me rregullat fiskalë të sanksionuara në Ligjin Organik të Buxhetit për uljen e vijueshme të borxhit publik deri sa ai të zbresë poshtë nivelit 45% të PBB, ashtu edhe në linjë me përcaktimet e Kritereve Ekonomike dhe rekomandimet specifike të Komisionit Europian.

 

Ju faleminderit për vëmendjen!