Postuar më: 13/12/2021

Ministrja Ibrahimaj, me biznesin prodhues: Partneriteti me biznesin është thelbësor për suksesin e politikave të qeverisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në një mëngjes pune të organizuar nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.

Në këtë takim u diskutua mbi një sërë çështjesh dhe problematikash që lidhen me të bërin biznes në vendin tonë, si në fushën e kuadrit ligjor, procedurave administrative, sistemin fiskal, eksportet, punësimin, etj.

Ministrja Ibrahimaj shprehu falënderimet e saj për organizimin e takimit dhe theksoi se partneriteti me biznesin është element kyç për suksesin e politikave që harton Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Mendoj se partneriteti me biznesin është kryesor dhe kyç në suksesin e politikave që bën Ministria e Financave, si politikave fiskale, si politikave të zhvillimit ekonomik, dhe politikat e mirë administrimit”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh e gatshme që takimet konsultuese me biznesin të zhvillohen në vijimësi pasi, sipas saj, është shumë e rëndësishme biznesi të dëgjohet dhe qeveria të konsultohet me të për vendimet që merr.

Në këtë kuadër, Ministrja ftoi komunitetin e biznesit që të japë mendimin e tij në vendimmarrjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke përmendur si shembull dokumentet mbi Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave apo Strategjinë për Eksportet.

“Ministria e Financave është duke hartuar një Strategji Afatmesme të të Ardhurave dhe në presim ta publikojmë në fund të dhjetorit, me qëllim që të fillojë diskutimi mbi masat që propozohen në Strategji dhe koha e implementimit të atyre masave. Ne duam të hartojmë një strategji eksporti gjatë vitit të ardhshëm, kështu që janë të mirëpritura të gjitha komentet që ju mund të keni në këtë drejtim, pasi jeni ju që e njihni më mirë se kushdo tjetër prodhimin dhe pengesat që mund të keni ndaj eksportit”, tha Ministrja.

Duke u ndalur te politika fiskale, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë u shpreh se qeveria synon hartimin e një politikë fiskale që nuk bazohet në përjashtime pasi, një politikë e tillë, krijon fragmentin, ineficencë dhe hapësirë për evazion.

“Forma dhe mënyra se si e shohim, por bazuar në të gjithë rekomandimet e FMN, është që të eliminohen përjashtimet dhe të shihet një formë tjetër mbështetje për një sektor prioritar apo një sektor që në një moment të caktuar ka nevojë, dhe sigurisht kjo mbështetje duhet të ketë një afat kohor të caktuar sepse nuk mund të bëhen përjashtime pa afat”, tha Ibrahimaj.

Rëndësia e dialogu mes qeverisë dhe biznesit u theksua edhe nga kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, sipas të cilit, duhet të konsolidohet një platformë dialogu për problematikat e biznesit.

“Është e rëndësishme që ne të konsolidojmë një platformë dialogu me mekanizmat e duhura që ne të kemi mundësinë të shprehim çështjet dhe problematikat, dhe pse jo të gjejmë zgjidhje”, tha Shkodra.

Takimi vijoi më pas me diskutime nga të pranishmit mbi çështje të ndryshme që shqetësojnë biznesin në vend.