Postuar më: 03/11/2021

Ministrja Ibrahimaj: Buxheti 2022 mbështet sektorët prioritarë me investime

-Prezantohen Shpenzimet Buxhetore 2022 në komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj,  paraqiti në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat,  Shpenzimet Buxhetore për vitin 2022, si pjesë e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e Produktit të Brendshëm Bruto dhe në terma nominalë janë rreth 28 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2021.

Ministrja Ibrahimaj prezantoi shpenzimet sipas zërave dhe sektorëve dhe theksoi se për vitin 2022 Investimet Publike janë planifikuar në masën 6.4% të PBB ose 119 miliardë lekë, ndërkohë që parashikohen të qëndrojnë në nivele mbi 5 % të PBB-së në vitet 2023 dhe 2024.

Infrastruktura rrugore kombëtare është përfituesi kryesor i fondeve të investime publike në vitin 2022 me një vlerë prej 21.2 miliardë lekë ose 17.8% e totalit, të përqendruara në projekte madhore si: Unaza e Madhe e Tiranës, Rruga e Arbrit, rruga Kardhiq-Delvinë, Tuneli i Llogarasë, By-Pass Shkodër etj.

Ndërkohë, shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të Pronarëve qëndrojnë në masën 5 miliardë lekë, duke i qëndruar angazhimit të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare ndaj Gjykatës së Strasburgut për një skemë financimi të mirë përcaktuar dhe të sigurt financiarisht për dëmshpërblimin e plotë të kësaj shtrese.

Duke u ndalur në shpenzimet buxhetore sipas sektorëve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë u shpreh, se Arsimi dhe Shëndetësia janë dy prej sektorëve prioritarë që mbështeten, ashtu si edhe Bujqësia, ku 3.2 miliardë lekë do të alokohet për skemat e ndryshme të granteve për fermerët, e cila është shifra më e madhe që është dhënë ndonjëherë për fermerët nga buxheti i shtetit.

Arsimi me një shifër prej 3,6% ndaj PBB të parashikuar në vitin 2022, arrin një rekord për sa i përket shpenzimeve në terma relativë për këtë sektor, konsideruar me një mesatare 3.1-3.3% të observuar10 vitet e fundit.

Shëndetësia, me një shifër prej 3.5% të PBB-së të projektuar për vitin 2022 shënon sërish një rekord pozitiv për sa i përket alokimeve buxhetore për këtë sektor prioritar, kur mesatarja e 10 viteve të fundit është luhatur në vlerat 2.8-3% të PBB.

Në fjalën e saj, Ministrja u ndal edhe në çështjen e pagesës së Detyrimeve të Prapambetura dhe u shpreh se ecuria e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisjes qendrore dhe vendore është pozitive, duke theksuar se totali detyrimeve për rimbursimin e TVSH-së sot është zero.

 

Fjala e Ministres për Shpenzimet Buxhetore 2022

I nderuar kryetar i komisionit,

Të nderuar deputetë,

Sikurse prezantuam projektbuxhetin 2022, në seancën hapëse të këtij Komisioni, më lejoni të bëj një paraqitje më të detajuar të Shpenzimet Buxhetore, të cilat për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB.

Në terma nominalë, shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë rreth 28 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2021.

Në vijim do të marr në analizë secilin nga komponentët kryesorë të shpenzimeve buxhetore sipas klasifikimit ekonomik duke u ndalur më pas në disa sektorë apo aspekte të cilat nuk i prezantova në seancën e mëparshme.

Duke nisur nga zëri i Shpenzimeve të Personelit për vitin 2022, doja që të ndalesha në çështjen e rritjes së numrit të punonjësve buxhetore e krahasuar me vitin 2021, ku nga 83.740 punonjës në 2021,parashikohen 83.922 për vitin 2022. Kjo rritje me 182 persona, vjen kryesisht si efekt i shtimit të numrit të punonjësve në institucionet e reja të Drejtësisë.

Në fakt, doja t’i ilustroja me shifra konkrete këtij Komisioni të Nderuar se ku qëndron Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit dhe atyre të BE në lidhje me numrin e punonjësve publikë.

Shqipëria numëronte rreth 175,443 punonjës publikë (buxhetor qendror e vendor, jo-buxhetorë dhe sh.a. publike) në vitin 2020, duke pasur kështu rreth 616 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Ndërkohë që vende të rajonit kanë:

  • Serbia, 690 punonjës publikë për 10 mijë banorë;
  • Maqedonia e Veriut ka 638 punonjës publikë për 10 mijë banorë;
  • Mali i Zi ka 955 punonjës publikë për 10 mijë banorë.

Pra, punësojnë më shumë punonjës publikë në terma relativë se sa vendi ynë.

Po ta shtrijmë krahasimin me vende të BE:

  • Franca ka 812 punonjës për 10 mijë banorë;
  • Gjermania ka 580 punonjës publikë për 10 mijë banorë;
  • dhe Kroacia ka 714 punonjës publikë për 10 mijë banorë.

Shihet qartë që vendi ynë posedon një numër më të ulët relativ të punonjësve publikë se sa shumicat e këtyre vendeve.

Pra, siç demonstrohet qartë nga këto të dhëna krahasuese, Shqipëria ka një numër relativisht të ulët të punonjësve publikë krahasuar me rajonin e më gjerë, që do të thotë se të paktën në nivelin e efiçencës së përdorimit të burimeve njerëzore në sektorin publik jemi të vendosur në një pozicion mjaft të mirë dhe që nuk ka mbi-punësim në terma relativ në këtë sektor.

Për të ndalur tek shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes ku doja të ilustroja se ku shkojnë pjesa më e madhe e kësaj shifre.

Fillimisht doja të ndalesha tek shifra prej 3.2 miliardë lekë që do të alokohet për skemat e ndryshme të granteve për fermerët, e cila është shifra më e madhe që është dhënë ndonjëherë për fermerët nga buxheti i shtetit.

Për të kaluar tek shpenzime e mirëmbajtjes së sistemeve IT të administratës qendrore me rreth 4 miliardë lekë,

-shpenzimet e mirëmbajtjes së rrugëve nacionale me një total prej 2.6 miliardë lekë (1 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar),

-8.3 miliardë lekë për shpenzimet e funksionimit dhe mirëmbajtjes së sektorit të Mbrojtjes,

-si dhe 2.1 miliardë lekë për shpenzimet e funksionimit dhe mirëmbajtjes së Policisë së Shtetit.

Këto shifra së bashku kapin shifrën prej 20.2 miliardë lekë ose rreth 35% të totalit të shpenzimeve operative dhe mirëmbajtjes të qeverisjes qendrore. Pjesa tjetër janë shpenzime për emergjencat civile, funksionimi i sistemit të burgjeve, etj. Pra shpenzime esenciale për mbajtjen në funksion të plotë të administratës publike qendrore dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Shpenzimet për subvencione do qëndrojnë konstante në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021 në shifrën e 1.55 miliardë lekë. Dëshiroj të theksoj këtu se aktualisht po punohet për të reformuar sektorin e ujësjellës kanalizimeve në mënyrë që të rritet efiçenca dhe efektiviteti i këtij sektori në ofrimin e këtij shërbimi kaq jetik për popullatën, duke rezultuar me rënie të dukshme të subvencioneve të nevojshme për këtë sektor si dhe me zerimin e detyrimeve të prapambetura të krijuara ndër vite dhe mos-krijimin e tyre në periudhë afatmesme dhe afatgjatë.

Tek shpenzimet për fondet speciale doja të ndalesha tek shpenzimet për fondin e sigurimeve shoqërore ku doja të ndaja me ju disa tregues:

  • Sistemi do të vazhdojë të mbështesë me të ardhura mesatarisht nga 744-792 mijë persona që kanë përfituar dhe përfitojnë pensione publike, pensione suplementare si dhe një sërë të ardhura të tjera të parashikuara me ligje, vendime të veçanta si dhe vendime kompensuese të Këshillit të Ministrave.
  • Numri mesatar i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet të jetë mbi 820 mijë persona me një rritje në masën 4 % më shumë se i pritshmi i vitit 2021.
  • Shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë punë (kontribues/popullsi në moshë pune) do të jetë mbi 43%.
  • Rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve sipas rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit dhe të shërbimeve, të përcaktuar në shportën e pensionistëve. Rritja është llogaritur me indeksin mesatar 2.5 % në vit, duke filluar në muajin prill të çdo viti dhe duke respektuar kështu edhe fondet e kontigjencës.

 

Fondet kontigjencë sipas viteve janë:

  • Mbulimi i efekteve financiare të shtesës natyrale të numrit të përfituesve e cila në harkun e tre viteve parashikohet të jetë rreth 48,000 përfitues, pra një shtesë neto me 16,000 persona në vit, me një efekt financiar 13 miliardë lekë.
  • Mbulimi i efekteve financiare të skemave të reja të përfitimeve, naftëtarë dhe minatorë, të cilat pas rishikimit parashikohet të sjellin një efekt financiar të harmonizuar me rreth 1.45 miliardë lekë.
  • Bonusi i Pensionistëve i parashikuar në shumën 5 miliardë lekë për çdo vit përgjatë periudhës 2022-2024, nga e cila do të përfitojnë rreth 683 mijë pensionistët në Republikën e Shqipërisë.

 

Shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të Pronarëve qëndrojnë në masën 5 miliardë lekë, duke i qëndruar angazhimit të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare ndaj Gjykatës së Strasburgut për një skemë financimi të mirë përcaktuar dhe të sigurt financiarisht për dëmshpërblimin e plotë të kësaj shtrese.

Investimet Publike për vitin 2022 ku ritheksoj se janë planifikuar në masën 6.4% të PBB ose 119 miliardë lekë, ndërkohë që parashikohen të qëndrojnë në nivele mbi 5% të PBB-së në vitet 2023 dhe 2024.

Nivele këto të larta, nëse do i krahasonim me mesataren e shpenzimeve kapitale të observuara në vendet e OECD, ku norma mesatare është 3-3.1% të PBB në periudhën 2016-2017.

Infrastruktura rrugore kombëtare është përfituesi kryesor i fondeve të investime publike në vitin 2022 me një vlerë prej 21.2 miliardë lekë ose 17.8% e totalit, të përqendruara në projekte madhore si: Unaza e Madhe e Tiranës, Rruga e Arbrit, rruga Kardhiq-Delvinë, Tuneli i Llogarasë, By-Pass Shkodër etj.

Projektet në Ujësjellës-Kanalizime do të marrin rreth 13.8 miliardë lekë në vitin 2022 të përqendruara kryesisht në financimin e projekteve të iniciuara në periudhën 2020 dhe 2021.

Projekte komplementare në fushën e infrastrukturës rrugore dhe të ujësjellës kanalizimeve, ndërmerren dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili në vitin 2022 do të financohet në total me 18.3 miliardë lekë. Këtu mund të përmend projektin në vazhdim të rrugës së lumit të Vlorës, si dhe projektet “Mbështetje për sistemin e furnizimit me ujë në zonat rurale III dhe IV” të bashkë financuar Banka Gjermane për zhvillim KFË, Qeveria Shqiptare dhe Bashkimi Evropian. Gjithashtu, në vëmendje të veçantë do të jenë investimet e FSHZH, ku targetohen zonat me potencial turistik si dhe programi “100 Fshatrat”.

Për sa i përket shpenzimeve sipas sektorëve, dëshiroj të ndaloj në një analizë krahasuese për 2 sektorë të konsideruar si prioritarë, për të cilët u ndala gjerësisht edhe në fjalën time ne prezantimin e projektbuxhetit 2022: Arsimi dhe Shëndetësia.

Arsimi me një shifër prej 3,6% ndaj PBB të parashikuar në vitin 2022, arrin një rekord për sa i përket shpenzimeve në terma relativë për këtë sektor, konsideruar me një mesatare 3.1-3.3% të observuar10 vitet e fundit. Ndërkohë që përpjesa e shpenzimeve për funksionin e Arsimit ndaj totalit të shpenzimeve buxhetore përgjatë 4 viteve të fundit ka qenë mesatarisht 10,8%.

Nëse do të merrnim 2019 si vit normal, para se jepte efektet e saj negative pandemia COVID-19, do të shikonim se Shqipëria ka shpenzuar për Arsimin rreth 11.3% të totalit të shpenzimeve publike, ndërkohë që Serbia ka shpenzuar 8.8%, Kroacia 10%, Rumania 9.4%, Gjermania 9.6% dhe Franca 9.6%, pra shpenzojnë më pak në terma relativë.

Shëndetësia, me një shifër prej 3.5% të PBB-së të projektuar për vitin 2022 shënon sërish një rekord pozitiv për sa i përket alokimeve buxhetore për këtë sektor prioritar, kur mesatarja e 10 viteve të fundit është luhatur në vlerat 2.8-3% të PBB.

Krahasuar me rajonin, kemi një diferencë relativisht të vogël për sa i përket përpjesës së shpenzimeve për Shëndetësinë publike ndaj totalit të shpenzimeve buxhetore. Nëse do merrnim vitin 2019 si vit normal krahasues, Shqipëria shpenzonte 10.2% të totalit, ndërkohë Maqedonia e Veriut 11.7%, Kroacia me 12.1% dhe Bullgaria me 12.7%, pra shpenzojnë relativisht më shumë.

Gjithsesi, jemi besimplotë se kjo diferencë do të zvogëlohet në vitet në vijim si pasojë e politikave prioritare të financimit për këtë sektor, si dhe prej ezaurimit të disa projekteve kryesore të infrastrukturës të cilat do i lënë vendin logjikisht alokimeve në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.

Në përfundim të fjalës time, do të doja të ndalesha pak tek çështja e Detyrimeve të Prapambetura ku:

Deri në fund të muajit Qershor 2021 regjistrohet një stok kumulativ prej 18.09 miliard LEK detyrime të prapambetura nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme. Konkretisht:

  • Totali detyrimeve të qeverisë qendrore është rreth 9.73 miliard LEK
  • Totali detyrimeve për rimbursimin e TVSH-së ishin rreth 1.72 miliard LEK, por sot janë 0
  • Totali detyrimeve të qeverisë vendore janë rreth 6.64 miliard LEK.

Krahasuar me stokun e detyrimeve të raportuara për 6 mujorin e parë të vitit 2020 rezulton që:

  • Niveli i përgjithshëm i detyrimeve të prapambetura është rreth 9.2 miliard LEK me i ulët.
  • Megjithëse kemi një rritje prej rreth 2.92 miliard LEK të detyrimeve të njësive të qeverisjes qendrore, detyrimet për rimbursimin e TVSH-së janë ulur ndjeshëm dhe janë zeruar.

Pra siç mund ta shikoni, ecuria e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisjes qendrore dhe vendore është pozitive, duke na bërë optimistë që në një të ardhme të afërt të arrijmë qëllimin final, atë të zerimit të detyrimeve të prapambetura dhe eliminimin e plotë të krijimit të atyre të rejave!

Faleminderit për vëmendjen!