Postuar më: 17/12/2021

Ministrja Ibrahimaj: Biznesi, motor i zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies

Biznesi është motor i zhvillimit ekonomik të vendit dhe një forcë shtytëse drejt rritjes së mirëqenies.

Ky ka qenë një ndër mesazhet që Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dha në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes UNFPA dhe 6 kompanive shqiptare, në kuadër të zbatimit të projektit “Më shumë Zgjedhje-Politikat Familjare të Përgjegjshme Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”. Projekti ka nisur të zbatohet që në fillim të vitit 2020 dhe mbështetet edhe nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se marrëveshjet e bashkëpunimit që u firmosën përbëjnë shembuj pozitivë se si bizneset tregojnë përgjegjshmëri sociale, nëpërmjet nismave konkrete, për të mbështetur familjen, fuqizimin e grave dhe përmirësimin e jetës në komunitet. Sipas Ministres, biznesi ka një rol të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi miqësor dhe mbështetës për të gjithë gratë, të cilët duan të zhvillohen në karrierë dhe njëkohësisht të përmbushin angazhimet ndaj familjes.

“Biznesi është motori i zhvillimit ekonomik të vendit, por gjithashtu edhe një forcë shtytëse drejt rritjes së mirëqenies. Ndaj jam e lumtur që UNFPA, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, po punon për të lehtësuar pikërisht këtë qasje, përmes politikave të përgjegjshme gjinore dhe mjediseve të punës miqësore me familjen, duke ofruar më shumë zgjedhje për punonjësit shqiptarë”, tha Ibrahimaj.

Bazuar edhe në Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, biznesi ka një rol kyç për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme dhe shoqëri të zhvilluar.

Ministrja Ibrahimaj shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të bashkëpunuar me UNFPA-së në kuadër të projektit “Më shumë Zgjedhje”, si dhe për çdo nismë apo sugjerim që mund të konsiderohet e vlefshme në krijimin e mjediseve të punës më miqësore ndaj familjes, që në thelb ndikon në jetën e secilit prej nesh.

Sipas Ibrahimaj, projekti përputhet edhe me qëllimet dhe vizionin e Ministrisë së Financave, specifikisht me Strategjinë e Punësimit dhe Aftësive 2019-2022.                 Vizioni i kësaj Strategjie është frymëzuar nga qëllimi i Bashkimit Evropian për një zhvillim të zgjuar, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, ndaj dhe MFE synon

një ekonomi konkurruese dhe shoqëri gjithëpërfshirëse që bazohet në qasjen “Më shumë aftësi dhe punë më të mira për të gjithë gratë dhe burrat”.

Gjithashtu, Ministrja shprehu vlerësimet për kompanitë të angazhuar në kuadër të zbatimin e projektit “Më shumë zgjedhje”, të cilat janë ndër kompanitë më të mëdha dhe të suksesshme në tregun tonë (Bankën Raiffeisen, Agna Group, R&T Group, INCA si pjesë e AZ Group, LUFRA dhe FIX), si dhe me një impakt të rëndësishëm në ekonomi dhe në punësimin në vend.

 

“Shpresoj që rritja e kapaciteteve dhe trajnimet që do të zhvillohen nga këto kompani, gjatë këtij projekti të shërbejnë jo vetëm për ta, por të jenë një model i mirë për kompani dhe biznese të tjera. Në këtë mënyrë ne do të kemi më shumë punonjës të vlerësuar, të sigurt dhe të kënaqur, më pak largime nga puna, më shumë investim të familja dhe pse jo më pak emigrim”, u shpreh Ibrahimaj.

 

Ministrja theksoi faktin se bashkëpunime të tilla që janë në linjë edhe me politikat dhe programet e rritjes ekonomike të Qeverisë Shqiptare, të cilat janë gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të ndjeshme ndaj aspektit gjinor, duke i kushtuar vëmendje më të madhe konkurrueshmërisë, punës së denjë dhe me garanci të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.