Postuar më: 20/09/2019

Ministrja Denaj, vizitë në kompaninë fasone: Vijojmë me përmbushjen e detyrimit për rimbursimin e TVSH në kohë dhe pa vonesa

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të vijojë me përkushtim përmbushjen e detyrimeve të saj sa i përket rimbursimit të TVSH-së për biznesin, çka është shumë e rëndësishme për këtë të fundit për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.

Ky ka qenë mesazhi që Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dha gjatë një vizite në një sipërmarrje të sektorit fason, së cilës i është aprovuar kërkesa për rimbursimin e TVSH-së dhe do të procedohet më tej me pagesën përkatëse,

Ministrja solli në vëmendje se sektorët e fasonit, eksportuesit dhe grumbulluesit kanë një vëmendje të shtuar të MFE dhe Administratës Tatimore sa i përket rimbursimit të TVSH-së, në mënyrë që të mos ketë vonesa dhe procesi të realizohet në kohë.

Vetëm gjatë muajit gusht janë rimbursuar në total 1.68 miliardë lekë TVSH, ose 42 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. 22 kompani fasone kanë përfituar nga rimbursimi i TVSH në muajin gusht, në vlerën e mbi 245 milionë lekë. Për periudhën 8 mujore janë rimbursuar 11.8 miliardë lekë, nga 9.22 miliardë lekë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2018, 2.6 miliardë lek më shumë ose 28.7% rritje.

“Produktiviteti është një element tjetër shumë i rëndësishëm për biznesin, jo vetëm atë fason, dhe në këtë komponent kaq të rëndësishëm, përgjegjësia e administratës tatimore është e lartë, në veçanti në rimbursimin e TVSH-së dhe kryesisht në zbatimin rigoroz të rimbursimit të TVSH-së në kohë. Veçanërisht fasoni, eksporti dhe grumbulluesit janë në një vëmendje të shtuar të MFE, që ky rimbursim të ndodh në kohë dhe besoj se kemi treguar me fakte që ia kemi dalë këto 8 muaj edhe pse mendojmë se kemi akoma sfidën për ta realizuar 100%. Rimbursimi i TVSH-së është detyrim i yni, për të cilin duhet të koordinohemi edhe me biznesin”, u shpreh Ministrja.

Ministrja Denaj vizitoi kompaninë fasone EFA Solution, së bashku me Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës, z. Arben Seferaj. Kompania ka nisur aktivitetin e saj në vitin 2015 dhe ka punësuar mbi 1 mijë punonjës, të cilët nga kontrollet e kryera nga Inspektoriati rezultojnë të punësuar sipas të gjithë përcaktimeve ligjore.

Administratorja e kompanisë, znj. Etleva Laro, e njohu Ministren sfidat dhe problematikat e biznesit që drejton, ku rimbursimi i TVSH-së ka qenë një ndër to, por me vëmendjen e shtuar të Administratës Tatimore ndaj sektorit fason, kjo problematikë është zgjidhur.

Politika e re fiskale, në mënyrë absolute na fovorizoi sepse ka qenë një nga problematikat më të mëdha të tre viteve të fundit pjesa e rimbursimit të TVSH-së. Më duhet të pranoj që shkoi shumë mirë mbyllja e borxhit të vjetër, pra mbyllja e atyre detyrimeve të vonuara për shumë kohë. Aktualisht ne jemi ende në procesin e rimbursimit për shkak se ne kemi blerje brenda vendit që kanë lidhje me elementë që i shtohen prodhimit dhe sërish kërkojnë rimbursim”, u shpreh znj. Laro.