Postuar më: 10/07/2019

Ministrja Denaj takon drejtorin e ILO-s, mbështetje për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë BE për lëvizjen e lirë të punëtorëve

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, priti në një takim Drejtorin Rajonal të ILO-s për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, z. Markus Pilgrim, ku u diskutua kryesisht lidhur me tregun e punës në Shqipëri, mundësitë dhe sfidat për këtë sektor të rëndësishëm.

Ministrja Denaj theksoi se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në luftën ndaj informalitetit, si një nga problematikat dhe sfidat kryesore të qeverisë shqiptare, ku po vijohet me rigorozitet monitorimi, menaxhimi, zbatimi i masave për të luftuar sa më shumë informalitetin.

Një nga çështjet e diskutimit ishte dhe forcimi i sindikatave, ku rëndësi ka rritja e kapaciteteve të organizatave sindikale për të monitoruar dhe rritur zbatueshmërinë e standardeve të punës dhe rritjes së pagës minimale, që të shërbejnë si një faktor që ka potencialin për të rritur legjitimitetin e kauzës sindikale.

Gjatë takimit, u vu theksi në përfshirjen e brezit të ri në shkolla profesionale dhe degë të veçanta si IT, inxhinieri, hoteleri-turizëm, që janë drejtimet kryesore të zhvillimit drejt integrimit në tregun e punës, si dhe u vlerësua se investimi në Arsimin dhe Formimin Profesional është investimi më eficent, me impakt të sigurt dhe të drejtpërdrejtë në zhvillimin e biznesit dhe rritjen ekonomike të vendit

Z. Pilgrim shprehu mbështetjen e ILO-s për qeverinë shqiptare sa i takon forcimit të kapaciteteve, programeve dhe projekteve të ndryshme në këtë kuadër, veçanërisht edhe sa i takon përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE, në një kohë kur vendi ynë  pret çeljen e negociatave.