Postuar më: 13/03/2019

Ministrja Denaj: Strategjia e MFP garanton transparencë të financave publike

Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi sot aktivitetin lançues të konsultimit publik të Rishikimit Afatmesëm të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike. Të pranishëm në këtë event ishin Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, Ambasadori i BE në Shqipëri, z. Luigi Soreca dhe gjithë aktorët e përfshirë në zbatimin e kësaj reforme.

Qëllimi i këtij eventi ishte prezantimi i gjetjeve të procesit të Rishikimit Afatmesëm të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, prezantimi i vizionit për vitet e ardhshme të reformës dhe thirrja publike për kontributin e të gjithë partnerëve të zhvillimit, duke përfshirë dhe organizatat e shoqërisë civile, për përgatitjen dhe finalizimin e Strategjisë së Rishikuar të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022.

Një prej mesazheve kryesore që u transmetua në këtë event ishte forcimi i pronësisë së aktorëve të përfshirë në zbatimin e kësaj reforme, në mënyrë që të garantohet zbatimi i përgjegjshëm i menaxhimit të financave publike.

Në fjalën e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj u shpreh se qëllimi i Strategjisë së rishikuar 2019-2022 është konsolidimi i mësimeve të nxjerra, rezultatet dhe marrëveshjet e arritura pas shqyrtimin afatmesëm, si dhe të sigurojë një kornizë dhe udhërrëfyes që do të udhëheqë përmirësimet në rezultatet e Menaxhimit te Financave Publike për periudhën deri në dhjetor 2022.

“Vizioni i strategjisë së reformës së MFP është të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik”, u shpreh Ministrja.

Më tej, znj. Denaj theksoi se objektivi i përgjithshëm i strategjisë së reformës së MFP është arritja e një buxheti më të balancuar dhe të qëndrueshëm me një raport të reduktuar të borxhit nëpërmjet menaxhimit më të fuqishëm financiar dhe kontrollit dhe proceseve të auditimit, ku zbatimi i buxhetit lidhet siç duhet me politikat e qeverisë.

Nga ana e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë, z. Luigi Soreca, theksoi rëndësinë e një administrate që funksionon mirë dhe jep shërbime cilësore për qytetarët, si një kusht thelbësor për çdo vend kandidat që aspiron të futet të Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, Ambasadori Soreca theksoi se reforma në menaxhimin e finacave publike nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, pasi kjo e fundit ka një rol udhëheqës, por çdo institucion si ministri linje, njësi vendore, institucion i pavarur, dhe e gjithë shoqëria, ka një rol për të kryer në menaxhimin e financave publike.

 

Fjala e plotë e Ministres Anila Denaj:

Të nderuar pjesëmarrës,

I nderuar z. Soreca

Të nderuar kolegë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot, Ministria e Financave dhe Ekonomisë paraqet angazhimin e Qeverisë Shqiptare për qytetarët dhe partnerët tanë, në zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse për menaxhimin e mirë të financave publike.

Së pari, dua të përmend se Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, e miratuar në dhjetor 2014, është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, institucioneve partnere kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe shoqërisë civile aktive në fushën e financave publike.

Gjatë vitit 2018, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me projektin e Asistencës Teknike të Menaxhimit të Financave Publike ka kryer procesin e rishikimit afatmesëm të Strategjisë. Pas këtij procesi, është hartuar një strategji e rishikuar. Qëllimi i kësaj Strategjie të rishikuar 2019-2022 është të konsolidojë mësimet e nxjerra, rezultatet e arritura dhe marrëveshjet pas shqyrtimit afatmesëm, dhe të sigurojë një kornizë dhe udhërrëfyes që do të udhëheqë përmirësimet në rezultatet e Menaxhimit te Financave Publike për periudhën deri në dhjetor 2022.

Sot ne synojmë që të konsultohet strategjia e rishikuar për reformat e Menaxhimit të Financave Publike për Qeverinë e Shqipërisë. Ajo zëvendëson strategjinë e mëparshme për periudhën 2014-2020, bazuar në rishikimin afatmesëm 2018 të strategjisë. Për të mundësuar një tranzicion të butë në Instrumentin e Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) pas 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë tani planifikon të shtrijë Strategjinë e MFP dhe planin e veprimit përtej 2020 për dy vjet shtesë deri në vitin 2022.

Vizioni i strategjisë së reformës së MFP është të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik.

Objektivi i përgjithshëm i strategjisë së reformës së MFP është arritja e një buxheti më të balancuar dhe të qëndrueshëm me një raport të reduktuar të borxhit nëpërmjet menaxhimit më të fuqishëm financiar dhe kontrollit dhe proceseve të auditimit, ku zbatimi i buxhetit lidhet siç duhet me politikat e qeverisë.

Temat kryesore të strategjisë tani propozohen të organizohen në shtatë shtylla, me një shtyllë shtesë të pavarur në lidhje me grumbullimin e të hyrave vendore si rezultat i gjetjeve të rishikimit afatmesëm, këto shtatë shtylla përfaqësojnë fusha kryesore prioritare:

Shtylla 1- Kuadri fiskal i qëndrueshëm dhe i kujdesshëm;

Shtylla 2- Planifikimi i integruar dhe efikas;

Shtylla 3- Mobilizimi i të ardhurave;

Shtylla 4- Ekzekutimi efikas i Buxhetit;

Shtylla 5- Transparenca e Financave Publike;

Shtylla 6- Kontrolli i brendshëm efektiv;

Shtylla 7 – Mbikëqyrja e jashtme efektive e financave publike.

Pas një udhëtimi katërvjeçar të zbatimit të kësaj reforme, sigurohen shërbime më të mira për qytetarët, si dhe zhvillimi i më i mire ekonomik në vend. Për më tepër, rezultatet pozitive të reformës kanë qenë shumë-dimensionale:

Besoj që jemi në rrugën e duhur për krijimin dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik përmes përmirësimit të mekanizmave të zbatimit të kuadrit fiskal të përgjithshëm, të legjitimuar në qershor 2016 në Ligjin Organik për Buxhetin.

Shpenzimet publike janë të strukturuara për të maksimizuar ndikimin pozitiv në ekonominë kombëtare, duke i dhënë përparësi projekteve dhe programeve me një ndikim të fortë në rritjen ekonomike dhe punësimin.

Masat e ndërmarra për detyrimet e vonuara rezultojnë të suksesshme në parandalimin e borxheve të reja të krijuara dhe eliminimin e borxheve ekzistuese.

Kontrollet e shpenzimeve janë përmirësuar me kërkesën për regjistrimin e angazhimeve (përfshirë angazhimet shumëvjeçare) në sistemin e thesarit.

Si rezultat i reformës së MFP, janë ndërmarrë përpjekje dhe angazhime për të forcuar menaxhimin e të ardhurave, duke reformuar administratën tatimore dhe doganore, duke rritur në këtë mënyrë efikasitetin e grumbullimit të të ardhurave, duke luftuar evazionin fiskal dhe ekonominë informale.

Përmbledhja dhe cilësia e informacionit në dispozicion të publikut përgjithësisht janë përmirësuar me kalimin e kohës. MFE ka prodhuar dhe publikuar të gjitha dokumentet kryesore të buxhetit. Gjatë vitit 2015 u krijua një portal “Transparenca” për të përdorur, kuptuar, monitoruar dhe analizuar përdorimin e të dhënave mbi performancën financiare në nivel lokal në Shqipëri .

Aplikimi nxitës është në dispozicion në faqen e internetit të MFE për të lehtësuar qasjen në të dhënat e buxhetit dhe për të promovuar përdorimin efektiv të proceseve të përmirësuara të vendimmarrjes, transparencës dhe llogaridhënies.

Rishikimi i Ligjit për Kontrollin e Menaxhimit Financiar në vitin 2015 siguroi një përkufizim më të qartë të Kontrollit te Menaxhimit të Financave, përcakton rolin e Kontrollit dhe koordinatorët e menaxhimit të rrezikut, si dhe siguron një kuadër ligjor për Bordin e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike.

Një element shumë i rëndësishëm për zbatimin e suksesshëm të kësaj strategjie është një angazhim dhe udhëheqje e madhe politike për të garantuar përgjegjësinë dhe llogaridhënien në menaxhimin e të gjithë administratës publike.

Për të gjitha përpjekjet e deritanishme, për zbatimin e suksesshëm të reformës së MFP, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dëshiron të falënderojë të gjithë aktorët. Dëshiroj të theksoj se pronësia (oënership) e çdo anëtari duhet të forcohet në mënyrë që të ketë një reformë të suksesshme të vazhdueshme të MFP-së.

Falënderojmë përfaqësuesit e shoqërisë civile për kontributin e tyre të vlefshëm deri tani dhe për të inkurajuar aktivizimin e tyre të vazhdueshëm në fushën e financave publike gjatë gjithë fazave të kësaj reforme.

Një mirënjohje e veçantë i takon partnerëve ndërkombëtarë: Delegacioni i Komisionit Evropian / BE, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, SIGMA, Ambasada Zvicerane / SECO, Ambasada Suedeze / SIDA, USAID dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë për ekspertizën e tyre dhe kontributin në zbatimin e kësaj strategjie të rëndësishme për financat publike në Shqipëri.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e përkushtuar që të marrë pikëpamjet e aktorëve kyç (duke përfshirë Partnerët për Zhvillim të MFP dhe Organizatat e Shoqërisë Civile) mbi përparimin e reformës dhe për përparësitë e reformës së Menaxhimit të Financave Publike që shkojnë përpara.

Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë në këtë kontekst dhe reformën në vazhdimësi.

Faleminderit!