Postuar më: 22/01/2020

Ministrja Denaj: Qeveria, e angazhuar për lehtësimin e klimës së biznesit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve italianë në Shqipëri me temë:  “Investimet e huaja në Shqipëri, prezantimi i Guidës së Biznesit 2020”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Fabrizio Buçi, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, si dhe Presidenti i Confindustria, z. Sergio Fontana.

Ministrja Denaj vlerësoi se prezatimi i Guidës së Biznesit 2020 nga Confindustria Albania tregon se mundësitë për të zhvilluar më tepër biznes në Shqipëri janë të mëdha, ashtu sikurse është i madh edhe potenciali ekonomik i vendit tonë.

Sa i përket marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë, Ministrja Denaj vlerësoi se ato kanë qenë gjithmonë në nivele shumë të mira, ku për vitin 2019 Italia është pozicionuar si vendi i parë për fluksin dhe stokun e investimeve të huaja direkte, me 32 % të IHD-ve në Shqipëri, sipas të dhënave të 9 mujorit. Për periudhën janar-shtator të vitit 2019, stoku i investimeve italiane në vend ka arritur shifrën e 805 milionë euro, ndërsa fluksi i investimeve italiane në vlerën e 98 milionë euro.

Ministrja Denaj u ndal në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, mundësuar përmes politikave të zhvillimit ekonomik, të cilat sipas saj kanë nevojë të ridimensionohen, dhe institucioneve.

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në vitet e fundit politika fiskale lehtësuese për të incentivuar biznesin, të cilat shpesh janë parë si instrument për tërheqjen e investimeve të huaja. Megjithatë, znj. Denaj theksoi nevojën për një parashikueshmëri të politikave fiskale dhe atyre të zhvillimit ekonomik, në periudhë afatmesme. “Duhet të krijojmë mundësi që i gjithë regjimi fiskal të jetë më i lehtë, më i thjeshtë për tu kuptuar dhe aplikuar, e për të mos krijuar pastaj hapësira për informalitet dhe evazion, të cilat shpesh krijojnë konkurrueshmëri të padrejtë. Në këtë aspekt, mendojmë që thjeshtimi i politikave fiskale do të ndihmojë dhe në luftën kundër informalitetin. Vitin e kaluar kemi punuar me FMN për përgatitjen e një programi afatmesëm të të ardhurave që të kemi mundësi të sigurojmë një politikë më të qëndrueshme fiskale dhe për ta rishikuar atë pak më ngadalë, të paktën 3-5 vjet”, u shpreh znj. Denaj.

Sa i përket rolit të institucioneve në tërheqjen e investimeve të huaja, Ministrja vlerësoi punën e bërë nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve në raport me investitorët e huaj.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Denaj u ndal në nismat e fundit që po ndërmerr qeveria, të cilat do të ndikojnë në lehtësimin e biznesit në vend, si: Revolucioni Digjital i shërbimeve, i cili për biznesin do të shkurtojë procedura dhe kohë; ligji i Fiskalizimit, i cili synon të luftojë informalitetin, evazionin dhe të vendosë kokurrencën e ndershme në treg; si dhe ligjin e unifikuar të Investimeve, i cili do të ofrojë më shumë siguri për investitorët e huaj dhe ata vendas.

Fuqia punëtore e mirëpërgatitur dhe trajnuar është e rëndësishme për tërheqjen e investitorëve të huaj. Në këtë aspekt, Ministrja Denaj pohoi se Shqipëria është atraktive për investitorët dhe vëmendja e qeverisë ndaj shkollave të arsimit profesional në vend është gjithmonë në rritje.