Postuar më: 20/02/2019

Ministrja Denaj prezanton projektligjin “Për nxitjen e punësimit”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi sot në komisionin parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë projektligjin “Për nxitjen e punësimit”.

Ministrja theksoi se projektligji ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit dhe vetëpunësimit, si dhe formimit profesional. Ai përcakton objektivat dhe funksionet e sistemit publik të shërbimeve të punësimit, programeve aktive dhe pasive të tregut të punës, formimit profesional si dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e tyre.

“Në këtë projektligj është parashikuar krijimi i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësimin (sot Shërbimi Kombëtar i Punësimit), si një njësi, e cila do të mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e shërbimeve të punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe ofertën e përmirësimit të aftësive gjatë gjithë ciklit të jetës”, u shpreh Denaj.

Me anë të këtij projektligji rregullohen dispozitat në lidhje me punësimin e personave me aftësi të kufizuar, të cilat nuk kanë gjetur zbatimin e duhur në ligjin ekzistues.

Ministrja informoi deputetët se projektligji parashikon krijimin e  Fondit Social të Punësimit, në formën e një fondi financiar publik që administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit. “Burimi i financimit të fondit do të jetë kontributi i punëdhënësve të cilët nuk punësojnë 1 person me aftësi të kufizuar për çdo 49 punonjës të punësuar të tyre dhe në këtë rast janë të detyruar të derdhin një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 50% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar. Të ardhurat e mbledhura do të përdoren për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësim dhe riaftësim profesional, orientim dhe këshillim për punësim, shërbime mbështetëse, si dhe përshtatjen e arsyeshme në vende pune të këtyre personave”, shpjegoi Ministrja Denaj.

 

Fjala e plotë e Ministres Anila Denaj:

 

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Projektligji “Për nxitjen e punësimit” është miratuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e datës 26 Dhjetor 2018 me VKM Nr. 761, datë 26.12.2018 “Për propozimin e Projektligjit “Për nxitjen e punësimit”.

Projektligji “Për nxitjen e punësimit”, u hartua me qëllim reflektimin e ndryshimeve dhe dinamikave të tregut të punës, pas një periudhe 23 vjecare, që nga viti i miratimit të ligjit ekzistues (1995). Gjithashtu, projektligji u hartua nën frymën e vizionit qeverisës, ku kualifikimi profesional dhe punësimi duhet të jenë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin. Nevoja për rishikimin e politikave aktuale për nxitjen e punësimit dhe dhe ato të sistemit të kualifikimeve, në kuadër të përfshirjes së  Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP-së), ishte e domosdoshme.

Programi i Qeverisë 2017 – 2021 e ka vënë fokusin te punësimi dhe zhvillimi cilësor i forcës së punës, në përputhje me vizionin dhe direktivat e Bashkimit Europian, Strategjinë Europiane të Punësimit 2020, si dhe kërkesat për integrimin evropian të Shqipërisë në BE. Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014 – 2020 e ngarkon sistemin me detyra dhe aktivitete në lidhje me qeverisjen e tregut të punës, programe aktive të tregut të punës, të arsimit dhe formimit profesional etj.

Ky projektligj ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit dhe vetëpunësimit, si dhe formimit profesional. Ky ligj përcakton objektivat dhe funksionet e sistemit publik të shërbimeve të punësimit, programeve aktive dhe pasive të tregut të punës, formimit profesional si dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e tyre.

Konkretisht, projektligji parashikon një gamë më të gjerë programesh të nxitjes së punësimit se ato të parashikuara në ligjin ekzistues, me një fokus të vecantë tek të rinjtë dhe grupe të tjera vulnerabël në skajet e tregut të punës. Programet e nxitjes së punësimit përfshijnë punët publike, vetëpunësimin, praktikat profesionale apo trajnimin, për të cilat parashikohet subvencionim, në përqindje të caktuar, i kostove për: sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore;  pagat;   formimin profesional; formimin nëpërmjet punës; vetëpunësimin;  mbështetjen për bizneset e reja dhe inkubatorët e biznesit; pajisjen e vendit të punës dhe përshtatjen e arsyeshme; zbatimin e programeve për mbështetjen e kualifikimit profesional në formën e dyfishtë të AFP-së; punësimin e të diplomuarve/certifikuarve në arsimin e formimin profesional; praktikat profesionale;  programin e garancisë rinore; programet e riintegrimit social; transport për në vendin e punës; e të tjera.

Gjithashtu, në projektligj janë parashikuar forma të tjera mbështetje, si për ofruesit publikë ashtu dhe për ata privatë, për t’u mbështetur financiarisht për kryerjen e kurseve për punëkërkuesit e papunë, për profesione të kërkuara në tregun e punës, sipas kërkesave të përcjella pranë zyrave të punësimit.

Në këtë projektligj është parashikuar krijimi i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësimin (sot Shërbimi Kombëtar i Punësimit), si një njësi, e cila do të mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e shërbimeve të punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe ofertën e përmirësimit të aftësive gjatë gjithë ciklit të jetës.

Në projektligj, janë rregulluar  dispozitat në lidhje me punësimin e personave me aftësi të kufizuar që nuk kanë gjetur zbatim në ligjin ekzistues. Përveç mbështetjes me programe nxitje punësimi, përshtatje të arsyeshme, janë rregulluar dhe çështjet e detyrimit për të punësuar persona me aftësi të kufizuar nga punëdhënësit. Në projektligj është parashikuar krijimi i  Fondit Social të Punësimit, në formën e një fondi financiar publik që administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit. Burimi i financimit të fondit do të jetë kontributi i punëdhënësve të cilët nuk punësojnë 1 person me aftësi të kufizuar për çdo 49 punonjës të punësuar të tyre dhe në këtë rast janë të detyruar të derdhin një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 50% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar  (aktualisht paga minimale në shkallë vendi e miratuar me VKM është 26,000 lekë, pra kjo masë është 13,000 lekë në muaj).

Të ardhurat e mbledhura do të përdoren për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësim dhe riaftësim profesional, orientim dhe këshillim për punësim, shërbime mbështetëse, si dhe përshtatjen e arsyeshme në vende pune të këtyre personave.

Në këtë projektligj është rikonceptuar i gjithë procesi i marrëdhënies me punëdhënësit. Në nenin 19 janë përcaktuar të drejtat e punëdhënësve, duke e konsideruar marrëdhënien me biznesin si një proces bashkëpunimi dhe jo një proces detyrimesh të njëanshme nga ana e punëdhënësve sic ishte në ligjin e mëparshëm. E gjithë kjo pjesë është riparë dhe në zbatim të paketës “Doing Business” të miratuar nga Këshilli i Ministrave, me qëllim lehtësimin e procedurave për fillimin e një biznesi të ri. Kështu, në këto nene është parashikuar se çdo punëdhënës ka të drejtë të marrë informacion mbi tregun e punës, legjislacionin e punës, programet shtetërore të punësimit në zyrat e punësimit. Gjithashtu, punëdhënësi ka të drejtë të publikojë në këtë strukturë vendet e lira të punës për të përfituar nga shërbimet e ndërmjetësimit si dhe të aplikojë.

Projektligji “Për nxitjen e punësimit” u përzgjodh nga Kryeministria për tu miratuar sipas metodologjisë së re, sipas Urdhërit Nr.102 të Kryeministrit datë 14.6.2017 “Për ngritjen e grupeve të punës për pilotimin e zbatimit të metodologjisë së vlerësimit të ndikimit, në disa ministri”. Metodologjia e re u hartua dhe iu bashkëlidh paketës së projektligjit në momentin e miratimit nga Kryeministria.

Drafti i projektligjit është konsultuar me ekspertë të fushës, përfaqësues të organizatave të punëdhënësve dhe punëmarrësve, OJF të ndryshme (Organizata Ndërkombëtare e Punës – ILO, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, GIZ, etj.) , që mbulojnë çështje të PAK, si dhe me të gjithë aktorët e interesit. Gjithashtu, projektligji është miratuar dy herë nga Këshilli Kombëtar i Punës, një herë në 2015, dhe sërisht në mbledhjen e fundit të 2018-ës.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe mbetemi në dispozicionin tuaj për t’ju përgjigjur pyetjeve / shqetësimeve apo sugjerimeve që mund të keni.