Postuar më: 13/03/2019

Ministrja Denaj prezanton në Parlament projektligjin “Për nxitjen e punësimit”

Projektligji “Për nxitjen e punësimit” ka si qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit dhe vetëpunësimit, si dhe formimit profesional.

Ky projektligj përcakton objektivat dhe funksionet e sistemit publik të shërbimeve të punësimit, programeve aktive dhe pasive të tregut të punës, formimit profesional si dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e tyre.

Qëllimi kryesor i këtij projektligji është identifikimi dhe skicimi i politikave të duhura nxitëse për punësimin në vend dhe kualifikimit profesional të forcës së punës me qëllim që të hapen vende pune cilësore dhe mundësi për aftësi gjatë të gjithë ciklit të jetës.

Në këtë projektligj është parashikuar krijimi i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (sot Shërbimi Kombëtar i Punësimit), si një njësi, e cila do të mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e shërbimeve të punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe aftësive. Vendimi për të hartuar një projektligj të ri erdhi duke synuar përfshirjen në të të modelit të ri të shërbimeve të punësimit, model i cili është prezantuar në Shqipëri nga projekti ILO-IPA 2010 dhe është modeli EURES që përdoret në çdo zyrë punësimi të vendeve të BE-së.

Në projektligj është përfshirë një gamë më e gjerë programesh mbështetëse se sa ato të parashikuara në ligjin ekzistues. Janë parashikuar programe të fokusuara tek të rinjtë dhe kryesisht për të nxitur uljen e papunësisë tek kjo grup moshë. Nxitja e politikave për të ulur papunësinë në këtë grup moshë ka dhënë disa rezultate.

Disa statistika: duke filluar nga fundi i vitit 2014 me 32.5 % të papunësisë, në 25.9 % në vitin 2017 dhe 22.3 % në tremujorin e katërt të vitit 2018. Megjithatë, kemi ende objektiva për të ulur këtë shifër më tej.

Programet e nxitjes së punësimit përfshijnë angazhimin e punëkërkuesve të papunë në programe të ndryshme punësimi, punësh publike, vetëpunësimi, praktikash profesionale apo trajnimi, për të cilat parashikohet subvencionim, në përqindje të caktuar, i kostove për: sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore; pagat; formimin profesional, etj.

Gjithashtu, në projektligj janë parashikuar forma të tjera mbështetje, si për ofruesit publikë ashtu dhe për ata privatë, për t’u mbështetur financiarisht për kryerjen e kurseve për punëkërkuesit e papunë, për profesione të kërkuara në tregun e punës, sipas kërkesave të zyrave të punësimit.

Janë përmirësuar dispozitat në lidhje me punësimin e personave me aftësi të kufizuar ku janë shtuar edhe invalidët e punës të vlerësuar pjesërisht të aftë për punë. Përveç mbështetjes në programe të nxitjes së punësimit, përshtatje të arsyeshme, janë rregulluar dhe çështjet e detyrimit për të punësuar persona me aftësi të kufizuar nga punëdhënësit.

Punëdhënësit janë të detyruar të punësojnë një person nga kategoria e personave me aftësi të kufizuar për 25 punonjësit e parë të punësuar të tyre dhe 1 person nga ky grup për çdo 50 punonjës të tjerë në rastin e ndërmarrjeve të mëdha.

Në projektligj është parashikuar krijimi i Fondit Social të Punësimit, në formën e një fondi financiar publik dhe administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit. Burimi i financimit të fondit do të jetë kontributi i punëdhënësve të cilët nuk punësojnë sipas detyrimit të më lartpërmendur janë të detyruar që në këtë rast të derdhin një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar. Të ardhura nga buxheti i shtetit shtojnë më tej këtë fond dhe të ardhura të tjera të ligjshme duke përfshirë dhe donatorët.

Të ardhurat e mbledhura do të përdoren për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësim dhe riaftësim profesional, orientim dhe këshillim për punësim, shërbime mbështetëse, si dhe përshtatjen e arsyeshme në vende pune të këtyre këtyre personave.

Drafti i projektligjit është konsultuar me ekspertë të fushës, përfaqësues të organizatave të punëdhënësve dhe punëmarrësve, OJF të ndryshme, si dhe të gjithë aktorët e interesit duke pasqyruar një pjesë të mirë të sugjerimeve të tyre.

Faleminderit.