Postuar më: 17/06/2019

Ministrja Denaj prezanton në Parlament “Paketën Moneyval”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi në seancën e sotme plenare një paketë prej 5 projektligjesh, të quajtur si Paketa Moneyval, që synon përmbushjen e rekomandimeve që i janë dhënë Shqipërisë nga Moneyval, Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave dhe Luftës kundër Financimit të Terrorizmit.

Projektligjet parashikojnë ndryshime në ligjin për regjistrimin e biznesit, për procedurat tatimore, për masat kundër financimit të terrorizmit, për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara.

Rekomandimet e Komitetit Moneyval lidhen përmbushjen e disa objektivave thelbësorë, si parandalimi i pastrimit të parave, që burojnë kryesisht nga aktiviteti kriminal, dhe forcimi i luftës kundër financimit të terrorizimit.

Ministrja Denaj theksoi se këto objektiva përkthehen në siguri më të shtuar dhe rrezik më të ulët nga terrorizmi; reduktim të informalitetit në ekonomi; reduktim të përdorimit të parasë fizike; siguri të shtuar financiare dhe bankare; reduktim të ndikimit të praktikave të pastrimit të parave dhe për pasojë reduktim të efekteve negative në jetën ekonomike dhe sociale të çdo qytetari.

“Në tërësinë e saj, Paketa ligjore Moneyval, e përbërë nga këto 5 projektligje, përmbush në një kohë të shpejtë mangësitë teknike të evidentuara dhe rekomandimet të cilat konsiderohen prioritare dhe të një rëndësie të veçantë. Më tej fokusi do të jetë në një angazhim të shtuar ndër-institucional në mënyrë që të sigurohet përputhshmëri në rritje e efektivitetit në zbatimin e detyrimeve ligjore”, u shpreh Ministrja Denaj.

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Sot, në këtë seancë plenare diskutohen 5 projektligje të njohura për teknikët e fushës si Paketa Moneyval.

Moneyval është një strukturë e përhershme e njohur si Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave dhe Luftës kundër Financimit të Terrorizmit.

Ky Komitet ka zhvilluar pesë raunde të monitorimit të vendeve anëtare dhe ka arritur në një sërë rekomandimesh që kanë për objektiva thelbësorë:

  • parandalimin e pastrimit të parave, që burojnë kryesisht nga aktiviteti kriminal.
  • forcimin e luftës kundër financimit të terrorizimit.

Për qytetarët shqiptarë këto objektiva përkthehen në:

  • Siguri më të shtuar dhe rrezik më të ulët nga terrorizmi,
  • Reduktim të informalitetit në ekonomi,
  • Reduktim të përdorimit të parasë fizike;
  • Siguri të shtuar financiare dhe bankare,
  • Reduktim të ndikimit të praktikave të pastrimit të parave dhe
  • për pasojë reduktim të efekteve negative në jetën ekonomike dhe sociale të secilit prej nesh.

Në raportin e raundit të V-të të vlerësimit të Shqipërisë,  të miratuar në korrik të vitit të kaluar nga Komiteti Moneyval, ndër të tjera është konkluduar:

  • mbi nevojën për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit tonë me rekomandimet ndërkombëtare të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (Financial Action Task Force FATF).

Me publikimin e Raportit të vlerësimit, Shqipërisë i është lënë një vit kohë për përmbushjen e rekomandimeve dhe adresimin e problematikave të evidentuara në këtë Raport.

Nga raporti rezulton se janë përmbushur plotësisht 28 Rekomandime, 10 rekomandime janë të përmbushura pjesërisht dhe 1 rekomandim është i pa përmbushur – i pazbatueshëm në rastin e Shqipërisë.

Krahasuar me raundin e IV, të vlerësimit të vitit 2010, vihet re një përmirësim i ndjeshëm në aspektin teknik dhe të efektivitetit të rekomandimeve.

Kjo veçanërisht nga Njësia e Inteligjencës Financiare apo siç njihet ndryshe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Në krahasim me vitet para 2013, rastet e referuara janë rritur mesatarisht me së paku 50 %, ndërsa shumat e sekuestruara janë rritur afro me 40-fish.

Pra nga 230 mijë Euro që bllokoheshin dhe sekuestroheshin në 2013, gjatë gjithë këtyre viteve kemi mesatarisht mbi 9 milion euro të sekuestruara çdo vit.

Sigurisht kjo nuk mjafton dhe mbetemi ende në përkjekje për të realizuar proceset dhe referuar dënimet e dhëna nga gjykatat. Në çdo rast jemi të bindur që reforma në drejtësi do të sjellë përmirësime edhe në këtë aspekt.

***

Paketa ligjore që prezantohet sot siguron përputhshmëri me pjesën teknike të rekomandimeve duke forcuar sistemin parandalues në vendin tonë dhe përafron standardet  unifikuese në rang botëror për këtë cështje.

Kjo paketë përfshin 5 akte ligjore:

  • Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”
  • Projektligji “Për masat kundër financimit të terrorizmit”
  • Projektligji “Për regjistrimin e biznesit”
  • Projektligji “Për procedurat tatimore RSH”
  • Projektligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”
  1. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar

synon forcimin e detyrimit për deklarimin e të dhënave të ortakëve në regjistrin tregtar, si vijon:

  • aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ndryshimit.
  • moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, brenda 30 ditëve nga data e ndryshimit përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë mban të njëjtin qëndrim për penalitetin e propozuar në masën prej 100 000 lekë, ndërkohë që nga diskutimet e Komisionit të Ekonomisë kjo masë u ul në 50 000 lekë.

Marrja me seriozitet e kësaj mase është detyrë e çdo biznesi dhe moszbatimi i këtij detyrimi ligjor rrit rrezikun.

Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po shqyrton modele ligjore për t’i propozuar Qeverisë dhe Parlamentit edhe ngritjen e një regjistri të posaçëm të pronarëve përfitues fundorë, qofshin këta në vend apo në vende offshore në mënyrë që të sigurohet gjithë informacioni që bën të mundur aplikimin në kohë dhe me efiktivitet të masave ligjore.

  1. Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”,

paraqet 3 nene që sanksionojnë:

– detyrimin e tatimpaguesve persona fizik tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe persona juridikë për të disponuar llogari bankare të biznesit.

– dënime administrative në rast të mospërmbushjes së detyrimit të të paturit një llogari bankare.

Këto detyrime me propozim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë varionin nga 50 000 lekë në 100 000 mijë lekë, ndërkohë në Komisionin e Ekonomisë këto u ulën në masat 35 000 deri në 75 000.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë mban të njëjtin qëndrim në lidhje me gjobën, e cila sanksionon mungesën e respektimit të ligjit.

Qëllimi i tyre është rritja e ndërgjegjësimit që operatorët ekonomikë duhet të kenë ndaj respektimit të ligjit dhe rrezikut që mungesa e zbatimit të tij sjell.

  1. Projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, dhe

Projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar,

synojnë forcimin e integritetit të sistemit parandalues në vend dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në këtë fushë.

Projektligji ndër të tjera sjell ndryshime të lidhura me disa procese, ndër më thelbësorët:

  • Përcaktimin e afateve për vëmendje të shtuar në rastet e Personave të Ekspozuar Politikisht;
  • Përcaktimin e llojit dhe periudhës së ruajtjes së dokumentacionit;
  • Vendosjen e procedurave për paraqitjen pranë Komiteteve përkatës të OKB-së të kërkesave për heqje nga lista të personave apo enteve të shpallur sipas Regjimit të Sanksioneve të OKB-së.

Vlen të theksoj se në një qasje më të afërt me rekomandimet e partnerëve dhe në vijim të diskutimeve në Komisionet Parlamentare:

  • MFE i qëndron afatit të propozuar që për personat e ekspozuar politikisht pas lënies së detyrës bankat dhe subjekte të tjera të vijojnë t’i trajtojnë me kujdes të shtuar transaksionet me ta deri në 5 vite.
  • MFE i qëndron mendimit që afati i ruajtjes së dokumentacionit të rritet nga 5 – 10 vjet, propozim i papranuar në Komisionin e Ekonomisë.

Në tërësinë e tyre, dy Projektligjet janë në përputhje me angazhimet  e shprehura në kuadër të “Sigurisë kombëtare dhe kontributit për sigurinë globale” mbi politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

  1. Projektligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”

synon, në radhë të pare, të ngrejë në një nivel më të lartë të gjithë procesin aktual të administrimit të pasurive, duke vendosur në themele ligjore të mirëpërcaktuara procedurën që ndjek Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.

Projektligji synon përfshirjen e të gjitha pasurive që sekuestrohen dhe konfiskohen, si në procesin penal ashtu edhe në atë parandalues, në fushën e veprimit të AAPSK-së.

Në këtë formë, administrimi i të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme përqendrohet në një institucion të vetëm.

Projektligji krijon mekanizmat ligjorë për të menaxhuar në mënyrë efektive pasuritë e ngrira dhe të konfiskuara, në pritje të një vendimi të formës së prerë.

Nëpërmjet ndryshimeve krijohet një zyrë qëndrore kombëtare për administrimin e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara – një detyrim  sipas të cilit shtetet anëtare që i nënshtrohen vlerësimit të MONEYVAL, duhet të krijojnë një zyrë qendrore kombëtare të administrimit të pasurive, si nevojë për të administruar pasuritë “e vështira”.

Synohet që ky ligj të shërbejë si ligj organik për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke përcaktuar me norma ligjore organizimin, funksionet dhe kompetencat e saj.

Agjencisë i shtohet gjithashtu kompetenca për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera.

Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurive të ruhej në një llogari bankare të veçantë. Në rast revokimi të sekuestrimit kjo shumë do t’i kthehet pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi do të kalojë në buxhetin e shtetit.

Në tërësinë e saj, Paketa ligjore Moneyval, e përbërë nga këto 5 projektligje, përmbush në një kohë të shpejtë mangësitë teknike të evidentuara dhe rekomandimet të cilat konsiderohen prioritare dhe të një rëndësie të veçantë.

Më tej fokusi do të jetë në një angazhim të shtuar ndër-institucional në mënyrë që të sigurohet përputhshmëri në rritje e efektivitetit në zbatimin e detyrimeve ligjore.

Ju ftoj t’i aprovoni.

Ju faleminderit!