Postuar më: 10/04/2019

Ministrja Denaj: Politikat e qeverisë kanë në fokus mbështetjen dhe integrimin e shtresave vulnerable

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj ishte e pranishme sot në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbi Dimensionin social të integrimit në Bashkimin Europian, “Leave no one behind”, i cili është një program që i dedikohet përfshirjes së shtresave vulnerable në shërbimet publike dhe dhënies së mundësive të barabarta.

Në fjalën e saj, Ministrja bëri një prezantim të shkurtër të situatës ekonomike në vend dhe të objektivave të qeverisë në drejtim të punësimit, edukimit dhe trajnimit profesional, si dhe të politikave të strehimit.

Ofrimi dhe përmirësimi i shërbimeve për grupet vulnerabël kanë qënë dhe janë në vëmendje të qeverisë.

Ministrja tha se “Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020” fokusohet në aspekte të rëndësishme të përfshirjes sociale, si ofrimin e shërbimeve të punësimit për grupet e margjinalizuara ose të rrezikuara, si dhe përmirësimin e mundësive për formimin e aftësive përmes qasjes më të mirë në Arsim dhe Formim Profesional.

Ministrja vuri në dukje faktin se Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka përmirësuar vitet e fundit mekanizmat dhe shërbimet për grupet vulnerabël, ku trajtohen me përparësi grupe të veçanta punëkërkuesish.

Fondet e nxitjes së punësimit, tha Ministrja, që nga viti 2013 janë pesëfishuar, nga 90 milion në vitin  2013 në 490 milion në 2019, ndërkohë që miratimi në Mars 2019 të ligjit të ri “Për nxitjen e Punësimit” ka sjellë disa ndryshime thelbësore për përcaktimin e grupeve të veçanta, zgjerimit të gamës së programeve aktive.

“Një hap i rëndësishëm në këtë ligj janë dispozitat të cilat lidhen me punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Janë vendosur dispozitat me kuotat e punësimit dhe krijimi i Fondit Social të Punësimit, të cilat do të mbështesin punësimin, vetëpunësimin, përshtatjen e arsyeshme dhe integrimin social të punëkërkuesve të papunë, persona me aftësi të kufizuar, invalidë punë dhe persona të cilët nuk dëgjojnë”, u shpre Ministrja Denaj.

Duke u ndalur te politikat e strehimit, Ministrja theksoi se qëllimi i tyre është të ndikojë në uljen e varfërisë, të papunësisë dhe të emigracionit të të rinjve dhe në rritjen e cilësisë së jetesës.

“Këto synime do të arrihen duke marrë masat e nevojshme ligjore e financiare për të mbështetur sigurimin e një strehimi të përshtatshëm e të përballueshëm për individë e familje që nuk përballojnë dot kostot e tregut të banesave”, u shpreh znj. Denaj.

Politikat e strehimit në vitet e fundit kanë mbështetur në mënyrë të dukshme shtresat më në nevojë, si me projektet e investimeve ashtu edhe me subvencionet.

Ministrja Denaj nënvizoi faktin se Buxheti për strehimin në vitin 2019 është rritur me 30 % krahasuar me një vit më parë dhe ligji i ri për “Për strehimin social” i miratuar vitin e kaluar parashikon disa programe që adresojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe situata të ndryshme strehimi.

“Angazhimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbetet në mbështetje të zhvillimit ekonomik e social dhe strehimi është pjesë e këtyre politikave”, përfundoi fjalën e saj Ministrja.

 

Fjala e plotë e Ministres Denaj:

Të nderuar pjesëmarrës,

“Leave no one behind” është një program, i cili i dedikohet përfshirjes së shtresave vulnerable në shërbimet publike dhe dhënies së mundësive të barabarta. Në vitin 2015, kur liderët botërore bënë premtimin historik për të mos lënë asnjë mbrapa, ata nënshkruan 17 objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm që kanë potencial t’i japin fund varfërisë, të reduktojnë pabarazinë dhe të prekin çështjet e ndryshimeve klimaterike.

Sigurisht, parakusht për mbështetje të këtyre objektivave kërkon realitete ku ekonomia paraqet qëndrueshmëri dhe tendenca pozitive.

Ekonomia shqiptare ka përjetuar një trend rritës prej disa vitesh tashmë, duke përfituar nga zbatimi i reformave në fusha të ndryshme, si edhe zgjerimi i bashkëpunimit me partnerët e rajonit të Ballkanit, Europës dhe më gjerë.

Rritja ekonomike prej 4,2% në 2018 do të vazhdojë të konsolidohet në të ardhmen dhe do të qëndrojë në këto nivele edhe në periudhën afatmesme.

Është një periudhë e favorshme e rritjes ekonomike, inflacionit të ulët, kursit të këmbimit stabël me një trend të forcimit të lekut, e cila duhet të shfrytëzohet për të avancuar më tej me reformat ekonomike, për të fuqizuar më tej stabilitetin makroekonomik, uljen e deficitit dhe të borxhit, rritjen e të ardhurave dhe rishpërndarjen e tyre në mbështetje të shtresave në nevojë.

Kemi miratuar lehtësira fiskale për biznesin e vogël dhe një sistem të thjeshtë e të ndershëm taksimi. Për fat të keq, vazhdojmë të kemi informalitet, të cilin jemi të përkushtuar ta luftojmë me ashpërsi, në mënyrë sistematike dhe me metoda të strukturuara bashkëkohore.

Përpjekjet tona janë të dyanshme, nga njëra anë duke forcuar mirëadministrimin e mbledhjes së të ardhurave dhe, nga ana tjetër, duke forcuar efikasitetin e  shpenzimeve në fushat prioritare siç janë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, në mënyrë që të përafrohemi sa më shumë me standardin evropian.

Duke filluar nga data 1 prill 2019, u aplikua një rritje e pagave në disa sektorë, megjithatë mbetet fakt i pamohueshëm që niveli dhe ritmet e rritjes së pagave janë akoma larg standardeve evropiane.

Sipas raportit më të fundit të publikuar nga FMN, mungesa e infrastrukturës rajonale është një pengesë e madhe për rritje më të lartë ekonomike. Një rrjet më i mirë rajonal në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe telekomunikacionit, do t’i ndihmonte vendet e Ballkanit Perëndimor për të rritur produktivitetin, për tu integruar më thellë në tregtinë globale dhe për të tërhequr investitorët në nivel rajonal.

Një koordinim më i mirë rajonal i të gjitha projekteve do të krijonte mundësi për të rritur të ardhurat për frymë për të gjithë rajonin.

Në këtë drejtim, ka filluar të punohet prej disa vitesh tashmë dhe Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjet e CEFTA, RÇ, EUSAIR etj., të cilat kanë si qëllim pikërisht koordinimin e marrëveshjeve të tregtisë, investimeve, telekomunikacionit, përdorimit dhe shfrytëzimit sa më të mirë të ujërave detare në nivel rajonal me fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor, si edhe me fqinjët tanë të Bashkimit Europian, si Greqia dhe Italia, Kroacia, etj.

Programi i qeverisë e ka vënë fokusin te punësimi dhe zhvillimi cilësor i forcës së punës, në përputhje me vizionin e Strategjisë Europiane të Punësimit 2020, si edhe kërkesave për integrimin europian të Shqipërisë. Këtë e tregon dhe niveli i fondeve të vëna në dispozicion për punësimin dhe arsimin dhe formimin profesional të shumëfishuara vetëm në pesë vitet e fundit.

Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020 fokusohet në aspekte të rëndësishme të përfshirjes sociale, si ofrimin e shërbimeve të punësimit për grupet e margjinalizuara ose të rrezikuara, si dhe përmirësimin e mundësive për formimin e aftësive përmes qasjes më të mirë në Arsim dhe Formim Profesional.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka përmirësuar vitet e fundit mekanizmat dhe shërbimet për grupet vulnerabël.  Agjencia trajton me përparësi grupe të veçanta punëkërkuesish, siç janë të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, gratë, romët, të papunët afatgjatë, personat me aftësi të kufizuar, punëkërkuesit e papunë përfitues të ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë, jetimët, gratë kryefamiljare me fëmijë në ngarkim, vajzat nëna, viktima të dhunës dhe trafikimit etj.

Fondet e nxitjes së punësimit që nga viti 2013 janë pesëfishuar, nga 90 milion në vitin  2013 në 490 milion në 2019.

Miratimi në Mars 2019 të ligjit të ri “Për nxitjen e Punësimit” ka sjellë disa ndryshime thelbësore për përcaktimin e grupeve të veçanta, zgjerimit të gamës së programeve aktive.

Një hap i rëndësishëm në këtë ligj janë dispozitat të cilat lidhen me punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Janë vendosur dispozitat me kuotat e punësimit dhe krijimi i Fondit Social të Punësimit, të cilat do të mbështesin punësimin, vetëpunësimin, përshtatjen e arsyeshme dhe integrimin social të punëkërkuesve të papunë, persona me aftësi të kufizuar, invalidë punë dhe persona të cilët nuk dëgjojnë.

Romët janë një nga grupet që trajtohen me përparësi dhe punësimi dhe formimi profesional i tyre ka qenë një nga indikatorët e mbështetjes buxhetore të BE-së. 1236 janë punësime nga Komuniteti Rom dhe Egjiptian në vitin 2018.

Punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit përfitojnë falas kurse të formimit  profesional dhe për vitin 2018 kanë përfituar 11 736 persona ose 70 % e totalit të trajnuar nga qendrat e formimit profesional publik.

Në fund, do të ndalem te një prioritet tepër të rëndësishëm të qeverisë shqiptare që është arsimi profesional, i cili është rruga më e shkurtër dhe efikase për gjetjen e një pune në tregun e punës.

Të dhënat nga sistemi i gjurmimit i zhvilluar për ofruesit e Arsimit dhe Formimit Profesional tregojnë se 47% e të diplomuarve në shkollat e arsimit profesional publik për vitin mësimor  2016-2017 janë tashmë të punësuar dhe pjesë e tregut të punës. Por ka edhe shumë punë për të arritur objektivat për punësim në masën 80 – 90%.

Strehimi është një nga objektivat socialë të shtetit shqiptar, sipas nenit 59 të Kushtetutës. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e njeh strehimin si një nga elementet e të drejtës së individit. Sigurimi i një strehimi adrekuat dhe jo vetëm një strehë mbi kokë, me kosto të përballueshme, në afërsi me vendet e punës, shkollave për fëmijët, i lidhur me mirë me shërbimet sociale e urbane – ky është synimi afat-gjatë i politikave të strehimit.

Është e vërtetuar se 1 dollar i investuar në sektorin rezidencial dyfishon kontributin në ekonomi, për shkak të një zinxhiri të madh aktivitetesh prodhuese që nga materialet e ndërtimit, te pajisjet shtëpiake, moblimi, etj.., por, dhe mbi të gjitha, për shkak të angazhimit intensiv të krahut të punës, pamvarësisht modernizimit të industrisë.

Në fokusin e politikave të strehimit janë dy grupe të synuara:

  • grupe familjesh me të ardhura të ulëta dhe shtresa të pa-favorizuara
  • familje me të ardhura mesatare, të cilat kontribuojnë në ekonominë e vendit me punën e tyre, por kanë nevojë për mbështetje për të hyrë në tregun e banesave për blerjen ose marrjen me qira të një banese

Qëllimi i politikave aktuale të strehimit është të ndikojë në uljen e varfërisë, të papunësisë dhe të emigracionit të të rinjve dhe në rritjen e cilësisë së jetesës.

Këto synime do të arrihen duke marrë masat e nevojshme ligjore e financiare për të mbështetur sigurimin e një strehimi të përshtatshëm e të përballueshëm për individë e familje që nuk përballojnë dot kostot e tregut të banesave.

Kështu, Qeveria në vitin 2016 miratoi Strategjinë për Strehimin Social 2016-2025, e cila përcakton angazhimet afat-gjata të qeverisë në mbështetje të funksionit të njësive vendore në fushën e strehimit.

Vitin e kaluar u miratua ligji i ri “Për strehimin social”, i cili parashikon disa programe që adresojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe situata të ndryshme strehimi.

Buxheti për strehimin në vitin 2019 pësoi një rritje prej 30% krahasuar me vitin e kaluar. Por çka kërkohet është rritja e përgjegjshmërisë së njësive, akordimin e fondeve nga të ardhurat e tyre për rritur impaktin tek komuniteti. Për këtë arsye, si një nga kushtet përjashtuese për të përfituar fonde buxhetore këtë vit është vendosur kontributi jo më pak se 20% i kostove të projekteve nga të ardhurat e bashkive.

Politikat e strehimit në vitet e fundit kanë mbështetur në mënyrë të dukshme shtresat më në nevojë, si me projektet e investimeve ashtu edhe me subvencionet. Kështu psh, nga fondet e investimeve për projektet e përmirësimit të kushteve të banimit për familje të varfëra dhe të pa-favorizuara, rreth 35 % i përkasin minoriteteve Rome e Egjiptiane dhe pjesa tjetër janë familje të varfëra të zonave rurale si edhe ato të zonave informale.

Angazhimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbetet në mbështetje të zhvillimit ekonomik e social dhe strehimi është pjesë e këtyre politikave.