Postuar më: 19/09/2019

Ministrja Denaj paraqet marrëveshjen me BB për projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, paraqiti para deputetëve në seancën e sotme plenare projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore. Përmes kësaj marrëveshje, Banka Botërore vë në dispozcion shumën prej 17,600,000 euro për Projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, i cili do të zbatohet në disa faza, ku faza e parë mbulon Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ndërsa faza e dytë përfshin Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi.

Ministrja Denaj sqaroi se projekti parashikon zhvillimin e sportelit të vetëm doganor “Single Window”, i cili do të mundësojë komunikimin elektronik mes autoriteteve doganore dhe të gjitha institucioneve  kombëtare që lëshojnë leje, licenca, autorizime, të cilat janë të domosdoshme për kryerjen e procedurave doganore në  import-eksportin e mallrave. Sipas Ministres, kjo do të synojë uljen e kohës së zhdoganimit, uljen e kostove për bizneset, lehtësi dhe trasparencë.

“Projekti i BB do të kontribuojë në thjeshtimin e procedurave administrative për autoritetet doganore dhe operatorët ekonomikë dhe do të lehtësojë dhe sigurojë tregtinë. Gjithashtu, pritet të ketë dhe efekte financiare pasi kompjuterizimi dhe thjeshtësimi i procedurave do të mundësojë që kompanitë e vendosura në Shqipëri të përballojnë më me efektivitet dhe me kosto më të ulëta lëvizjen e lirë të mallrave. Do të rrisë efektivitetin dhe për Administratën Doganore”, u shpreh Ministrja Denaj.

Fjala e plotë e Ministres Anila Denaj:

I nderuar kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Projektligji i propozuar në Kuvend synon ratifikimin e marrëveshjes së huasë lidhur ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore.

Nëpërmjet kësaj Marrëveshje Huaje Banka Botërore vë në dispozicion shumën prej 17,600,000 euro, për Projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor me qasje programatike në shumë faza.

Programi ka tre faza.

Faza e parë mbulon tre nga vendet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht Shqipërinë, Maqedoninë Veriore dhe Serbinë, të konsideruara gati për zbatim dhe do të përfshijë një kombinim të investimeve, asistencës teknike, reformave rregullatore dhe institucionale.

Faza e dytë e Programit përfshin tre vende të tjera të rajonit: Bosnje- Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi.

Më konkretisht, Investimi i Bankës Botërore në kuadër të Projektit të Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor parashikon:

Për Doganën zhvillimin e Single Windor- Sportelit të Vetëm Doganor. Ky proces mundëson komunikimin elektronikisht midis autoriteteve doganore dhe të gjitha institucioneve  kombëtare që lëshojne leje, licenca, autorizime, të cilat janë të domosdoshme për kryerjen e procedurave doganore në  import-eksportin e mallrave. Kjo do të synojë uljen e kohës së zhdoganimit, uljen e kostove për bizneset, lehtësi dhe trasparencë.

Së dyti, Sistemi i Ri i Kompjuterizuar i Tranzitit është thelbësor për të siguruar kontrollin e lëvizjeve tranzit në të gjithë territorin e Komunitetit.  Aderimi në Konventën e Tranzitit të Përbashkët është një kusht për anëtarësimin në BE. Kjo do të thotë që sistemi informatik të jetë plotësisht i testuar në mënyrë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sistemi i ri do të implementohet nga Dogana dhe do t’i shërbejë funksionalitetit dhe ofrimit të shërbimeve të tranzitit, lehtësimit të tregtisë dhe lëvizjes së mallrave për produktet.

Pika e Përbashkët e Kalimit të Kufirit në Qafë Thanë One –stop-shop është një fazë e tretë. Zbatimi i konceptit “one-stop-shop” në planet e zhvillimit  për të gjitha pikat e kufitare është në fokus.

Projekti i Bankës Botërore synon të përmirësojë infrastrukturën dhe shërbimet në Pikat e Kalimit të Kufirit me Maqedoninë e Veriut. Në këtë kuadër, është dakordësuar me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, z. Kreshnik Bekteshi, për ngritjen e grupit të përbashkët të punës, që brenda dy muajve do të sjellë propozime konkrete për të zbatuar këtë marrëveshje.

Të nderuar deputetë,

Projekti i BB do të kontribuojë në thjeshtimin e procedurave administrative për autoritetet doganore dhe operatorët ekonomikë dhe do të lehtësojë dhe sigurojë tregtinë. Gjithashtu, pritet të ketë dhe efekte financiare pasi kompjuterizimi dhe thjeshtësimi i procedurave do të mundësojë që kompanitë e vendosura në Shqipëri të përballojnë më me efektivitet dhe me kosto më të ulëta lëvizjen e lirë të mallrave. Do të rrisë efektivitetin dhe për Administratën Doganore.

Ndaj ju ftoj ta miratojmë këtë projektligj për të mundësuar të gjitha këto objektiva.

Faleminderit !