Postuar më: 25/07/2019

Ministrja Denaj nga Shëngjini: Biznesi të mos thellojë paligjshmërinë, të bashkëpunohet për zbatimin e rregullave

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, në kuadër të zbatimit të masave të Planit Operacional kundër Informalitetit i bëri thirrje biznesit që të bashkëpunojë me Administratën Tatimore dhe të respektohen detyrimet ligjore.

Gjatë një inspektimi në disa subjekte në zonën e Shëngjinit, Ministrja shoqërohej nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Ervin Hoxha dhe Drejtori i Hetimit Tatimor Rajoni Verior, z.Agim Shimaj.

Ministrja Denaj tha se po bëhen të gjitha përpjekjet që biznesi të asistohet në procesin e regjistrimit pranë organeve përkatëse. Ajo kërkoi nga biznesi që të mos e thellojë më shumë paligjshmërinë, si në rastet e heqjes së shiritave të bllokimit të vendosura nga ana e Hetimit Tatimor, pasi një veprim i tillë shoqërohet me penalitete që shkojnë deri në ndjekje penale.

“Në Shëngjin kemi konstatuar një situatë të pazakontë, sidomos me heqjen e shiritave të bllokimit të vendosura nga Hetimi Tatimor, nga vetë subjektet. Kjo është e patolerueshme. Ju lutemi të bashkëpunojmë deri në fund për t’u regjistruar dhe për t’u formalizuar. Shiritat nuk mund të hiqen, pasi kjo ju çon në shkelje të mëtejshme të ligjit, deri në ndjekje penale dhe kjo nuk është ajo që dëshirojmë. Kërkojmë zbatimin e plotë të ligjit, në çdo hap të tij. Ndaj jini krah nesh dhe na ndihmoni në zbatimin e rregullave të duhura në të gjitha aspektet”, u shpreh znj. Denaj.

Administrata Tatimore ka ndërmarrë 120 inspektime në zonën e Shëngjinit vetëm gjatë fundjavës së kaluar.

Ministrja Denaj kërkoi rritje të treguesve dhe forcim të bashkëpunimit mes strukturave të gjitha strukturave Administratës Tatimore, Drejtorive Rajonale dhe Drejtorive të Hetimit Tatimor, si dhe të analizohen, jo vetëm rezultatet e inspektimeve aktuale të agjentëve tatimore, por edhe ato të mëparshme.

“Është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë një punë efikase, ku strukturat e Administratës Tatimore të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të kuptojmë se si kanë ecur rezultatet e agjentëve tatimorë gjatë gjithë periudhës kohore dhe jo vetëm ato të inspektimeve. Inspektimet janë të nevojshme, po i ushtrojmë dhe janë efektive, por ne kemi shumë agjentë tatimorë, në të gjitha drejtoritë tona rajonale, të cilët duhet të bashkëpunojnë dhe të punojnë çdo ditë për të analizuar pasqyrat financiare, asetet që reflektohen në to dhe të kuptojnë se si ky prodhim asetesh rezulton edhe në përmbushje të ligjit dhe të rezultatit të mbledhjes së të ardhurave. Prandaj, kjo është një punë e cila nuk konsiston vetëm te Hetimi Tatimor. Drejtoritë Rajonale kanë një nevojë të shtuar në përfshirjen në Planin Operacional dhe duhet të kontribuojnë në mënyrë të përhershme dhe të vazhdueshme”, u shpreh Ministrja.

Nga ana e tij, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve tha se janë evidentuar të gjitha zonat me risk të lartë informaliteti dhe se puna do të vazhdojë për të përmbushur objektivat e përcaktuara në Planin Operacional, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin e tatimpaguesve në përmbushjen vullnetare të detyrimeve ligjore dhe tatimore.