Postuar më: 25/02/2019

Ministrja Denaj në zyrën e Punës: Shkollat dhe formimi profesional, të orientuara drejt tregut të punës

Ndërmarrja e politikave të duhura si dhe rritja e nivelit të të punësuarve, duke ulur  nivelin e papunesisë, jep një ndikim të madh në rritjen ekonomike të vendit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një vizitë pune në Zyrën e Punësimit, në Tiranë, ku u njoh nga afër me ndërmjetësimin që bën kjo zyrë si me bizneset, ashtu edhe në raport me shkollat dhe kurset e formimit profesional.

Sipas Ministres, 40 % është një shifër e konsiderueshme e punësimit të të rinjve deri në moshën 29 vjeç. Kjo është një shifër që na kënaq, edhe besoj që është edhe objektiv i qeverisë që kjo fashë të shkojë drejt punësimit në mënyrë të menjëhershme sa mbaron shkollën sepse kthehet në produktivitet të lartë për të gjithë.

Minstrja theksoi faktin se duhet të punojmë për të parë perspektivën, në raport me ofertën, ndërsa këshilloi se krahas kësaj  duhen të projektojmë, të orientojmë politikat zhvilluese dhe kuotat e shkollave profesionale në bazë të kërkesës së tregut.

“Ne kemi një rrjet shumë të gjerë shkollash profesionale, nëpërmjet shumë programeve që ministria jonë ndjek, ne nxisim që shkollat profesionale të bëhen sot atraktive për të gjithë personat që kanë mundësinë nesër të punojnë në tregun e punës në profesione shumë tipike, siç ju e thatë, në kërkesat që ka tregu i punës në telekomunikacion, në turizëm e hoteleri dhe mendojmë që shkollat profesionale, me dinamizmin që po marrin, me mbështetjen që po marrin, me fokusin që ka qeveria te zhvillimi i këtyre shkollave profesionale, të gjejnë atë mbështetje studentët që sapo përfundojnë nga niveli i mesëm dhe të arrijnë atë profesionalizëm që kërkohet për tregun e punës” tha Ministrja Denaj.

Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Elira Caushi, tha se në zyrat e punës nuk ofrohet vetëm ndërmjetësim për punësim, por edhe altarnativa për të rinjtë, siç janë shkollat dhe  kurset e formimit profesional.  “Targeti për këtë vit është rreth 20 mijë punëkërkues që do të trajnohen. Do të trajnohen pranë qendrave të formimit profesional. Në atë rast ne dhe përforcojmë bashkëpunimin e zyrës së punës me qendrat e formimit për të përforcuar dhe aftësitë e qëndrimit në punë të këtyre qytetarëve, qoftë të të rinjve, qoftë të qytetarëve të moshave të tjera”, tha  Caushi.

“Po përpiqemi që në zyrat e punës të maksimizojmë ofrimin e shërbimeve, jo vetëm për ndërmjetësim dhe punësim, po dhe ofrimin e alternativave për të rinj, siç janë kurset e formimit profesional, shkollat e arsimit profesional. Madje së shpejti kemi hapur edhe një kurs të ri që quhet paketa “soft skills”, janë aftësi të buta të cilat i ndihmojnë të rinjtë, por jo vetëm, të gjithë ata qytetarë punëkërkues që dëshirojnë të fitojnë disa aftësi qoftë për të njohur opsionet e vendeve të lira të punës, informacionin, dhe pastaj si të aplikojnë dhe si të mbeten në vendin e lirë.

Një ndër pikat e rëndësishme, Ministrja Denaj vlerësoi raportin me kompanitë, ku të nxiten punëdhënësit, zyrat e punës si një platformë që i ndihmon ata për të marrë punonjësit e kualifikuar.

Albana Imami, punonjëse e Zyrës së Punës, në Tiranë,  shprehet se  bëjnë bashkëbisedimin për të thithur ofertat. “Ofertat e kësaj zyre merren nga unë dhe këtë nuk e bëj vetëm kur më vjen subjekti këtu, por edhe kur shkoj në terren, sepse puna ime është edhe në terren. Dy herë në javë unë përzgjedh subjektet që mendoj që janë të reja, që nuk kanë shumë informacion dhe përcjell informacion tek ata mbi misionin e zyrës sonë”, cilëson Imami.