Postuar më: 20/06/2019

Ministrja Denaj: Ndryshimet ligjore në funksion të mbështetjes dhe nxitjes së zhvillimit urban

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi para deputetëve në Parlament projektligjin “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”.

Ndryshimet e propozuara do të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problematikave që ndeshen aktualisht, me disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat preken nga planet e përgjithshme vendore.

Ministrja vuri në dukje se situata aktuale në drejtim të planifikimit dhe realizimit të planeve zhvillimore urbane që projektohen dhe administrohen nga autoritetet kompetente vendore në bashkëpunim me pushtetin qendror dhe interesin për investime të shprehur nga pala private, paraqitet e tillë ku sipërfaqe toke/trualli të konsiderueshme, në pronësi të shtetit, janë në gjendje stoku pa mundësi shfrytëzimi, pasi kuadri ligjor në fuqi nuk e ka të parashikuar rregullimin e kësaj gjendje.

Pikërisht për këtë arsye, tha Ministrja, në funksion të nxitjes dhe mbështetjes së zhvillimit urban sa më të qëndrueshëm dhe dinamik, me qëllim shfrytëzimin  e këtyre sipërfaqeve toke/trualli në pronësi të shtetit, është e nevojshme ndërhyrja legjislative në ligjin në fuqi që rregullon këto marrëdhënie.

Gjithashtu, Ministrja Denaj theksoi faktin se këto ndryshime ligjore shërbejnë në vijimin e rrugës për lehtësimin e investimeve private të huaja dhe shqiptare në vend.

“Ndërhyrja legjislative e propozimit të paraqitur nëpërmjet këtij projektligji, konsiston në plotësimin e ligjit me dispozitat e nevojshme që mundësojnë vënien në shfrytëzim të këtyre sipërfaqeve toke/trualli pa mundësi shfrytëzimi për shkak të pamundësisë teknike që rrjedh nga gjendja e tyre fizike (sipërfaqe të vogla). Ndryshimet e propozuara i shërbejnë në mënyrë të balancuar interesit publik dhe atij privat, pronarë kufitar të këtyre pasurive shtetërore, për të realizuar një projekt sa më të plotë investimi”, u shpreh znj. Denaj.

 

Fjala e Ministres Denaj:

Të nderuar Deputetë,

Zhvillimi i qëndrueshëm urban garantohet nëpërmjet nxitjes dhe mbështetjes së investimeve  me një kuadër ligjor sa më të plotë dhe në funksion të zgjidhjeve sa më efiçente dhe të përshtatshme në një realitet faktik.

Ndryshimet e propozuara me projektligjin që diskutojmë sot, do të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problematikave, që ndeshen aktualisht, me disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat preken nga planet e përgjithshme vendore.

Në praktikën e deritanishme janë ndeshur raste kur planet e zhvillimit urban të njësive të vetëqeverisjes vendore parashikojnë kryerjen e investimeve në sipërfaqe toke që prek apo kufizohet me sipërfaqe toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose njësive të vetëqeverisjes vendore.

Gjithashtu, janë hasur edhe paqartësi në regjimin juridik të tokës, i cili ndryshon në varësi të llojit dhe mënyrës së përdorimit të saj.

Situata aktuale, në drejtim të planifikimit dhe realizimit të planeve zhvillimore urbane që projektohen dhe administrohen nga autoritetet kompetente vendore në bashkëpunim me pushtetin qendror dhe interesin për investime të shprehur nga pala private, paraqitet e tillë ku sipërfaqe toke/trualli të konsiderueshme, në pronësi të shtetit, janë në gjendje stoku pa mundësi shfrytëzimi, pasi kuadri ligjor në fuqi nuk e ka të parashikuar rregullimin e kësaj gjendje.

Për këtë arsye, në funksion të nxitjes dhe mbështetjes së zhvillimit urban sa më të qëndrueshëm dhe dinamik, me qëllim shfrytëzimin  e këtyre sipërfaqeve toke/trualli në pronësi të shtetit, paraqitet e nevojshmë ndërhyrja legjislative në lgjin në fuqi që rregullon këto marrëdhënie.

Akti normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve””, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008 dhe ndryshuar me ligjin nr.3/2015, është ligji specifik që rregullon këto marrëdhënie.

Ndërhyrja legjislative e propozimit të paraqitur nëpërmjet këtij projektligji, konsiston në plotësimin e ligjit me dispozitat e nevojshme që mundësojnë vënien në shfrytëzim të këtyre sipërfaqeve toke/trualli pa mundësi  shfrytëzimi për shkak të pamundësisë teknike që rrjedh nga gjendja e tyre fizike (sipërfaqe të vogla).

Ndryshimet e propozuara i shërbejnë në mënyrë të balancuar interesit publik dhe atij privat, pronarë kufitar të këtyre pasurive shtetërore, për të realizuar një projekt sa më të plotë investimi.

Siç edhe specifikohet në relacionin e këtij projektligji, kuadri ligjor parashikon dy forma të privatizimit të pronës shtetërore: shitjen me ankand dhe tenderin.

Nëpërmjet këtij projektligji, Këshilli i Ministrave, propozon zbatimin edhe të një forme tjetër të privatizimit të pronës shtetërore, atë të “tjetërsimit” të pronësisë mbi këto sipërfaqe të pashfrytëzueshme, nëpërmjet kryerjes së veprimeve juridike të parashikuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë për kalimin e pronësisë, duke përjashtuar vetëm kalimin e pronësisë nërmjet aplikimit të mjeteve ligjore(kontratës) për dhurimin e tyre.

Tjetërsimi do të mund të kryhet përmes mjeteve ligjore të përcaktuara në ligj, kontratave me palët private, qytetarë apo operatorë ekonomikë, pronarë të ligjshëm të sipërfaqeve të tokave kufitare me pronat në pronësi të shtetit, të mbetura të pashfrytëzuara.

Kalimi i pronës shtetërore në private do të bëhet me parakushtin e tjetërsimit në funksion të planeve të përgjithshme vendore, duke ofruar më tepër hapësirë dhe fleksibilitet në procesin e privatizimit.

Në çdo rast pjesa shtetërore nuk do të jetë më e madhe se 20 për qind e pronës që do të zhvillohet, për të qënë subjekt i këtyre dispozitave ligjore.

Ky ligj përmban elementë të mirë për të zgjidhur ngërçe të trashëguara nga e shkuara në raste të zhvillimeve nga pikëpamja vendore.

Ai ndihmon në krijimin e hapësirave të nevojshme për fleksibilitet në shfrytëzimin e pronës tokë që ka humbur funksionet e mëparshme të përdorimit.

Dhe së fundmi, ai shërben për të vijuar në rrugën e mirë të lehtësimit të investimeve private të huaja dhe shqiptare në vend.

Ju faleminderit!