Postuar më: 11/03/2019

Ministrja Denaj inspekton rikonstruksionin e ambienteve të Shërbimit të Tatimpaguesve në Tiranë

Denaj: Të përmirësojmë klimën e biznesit duke krijuar kushte të barabarta për të gjithë

Tatimpaguesit në qytetin e Tiranës do të kenë mundësi të marrin shërbime në kushte më të mira dhe të informohen në kohë reale nga administrata tatimore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, inspektoi  ambientet e rikonstruktuara të Shërbimit të Taksapaguesve në Tiranë, e shoqëruar dhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Vasilika Vjero.

Rikonstruksioni i ambienteve të Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve Tiranë është mundësuar nga fondet e buxhetit të shtetit. Një investim total prej 15.4 milionë lekësh të alokuara në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tashmë ka bërë të mundur që komunikimi me tatimpaguesit të jetë më i lehtësuar dhe i shpejtë dhe në funksion të përmirësimit të klimës së të bërit biznes.

Gjatë inspektimit, Ministrja Denaj tha, se Zyra ofron shërbime online në masën rreth 90 %, çka lehtëson komunikimin me tatimpaguesit, informimin në kohë reale, si dhe punën e punonjësve të administratës tatimore.

Për periudhën Janar-Shkurt të këtij viti janë ofruar afro 8,100 shërbime, nga të cilat 2,386 janë shërbime në sportele; 2,800 janë komunikim me Tatimpagues nëpërmjet postës elektronike nga e-Filing; dhe 2,900 vërtetime të lëshuara on-line për individë të paregjistruar.

Ministrja theksoi rëndësinë që koha e përfituar nga shërbimet online të shërbejë për të të komunikuar me tatimpaguesit, për të trajtuar problematikat e tyre dhe për tu dhënë zgjidhje ankesave të tyre, si dhe për të kuptuar nëse administrate tatimore duhet të ndryshojë në nivel institucional, si rezultat i këtyre ankimimeve.

“Jemi totalisht në shërbim të tatimpaguesve. Kërkesa jonë e vazhdueshme është të shërbejmë sa më mirë dhe në kohë reale, dhe të përmirësojmë klimën e biznesit duke krijuar kushte të barabarta për të gjithë, dhe kjo është një platformw, sikurse ka dhe platforma të tjera. Lufta ndaj informalitetit është një diskutim pak më i gjerë, nuk futet në këtë diskutimin e sotëm, por edhe konteksti i proceseve të automatizuara ndihmon këtë jo më pak”, u shpreh Ministrja Denaj.

Përsa i përket ndryshimeve në Paketën Fiskale 2019, deri më tani janë informuar 1,400 tatimpagues në sportele dhe 1,414  tatimpagues në vendbiznes.

Ndërsa, gjatë vitit 2018 janë ofruar rreth 39 mijë shërbime në sportele dhe rrugë elektronike.