Postuar më: 19/09/2019

Ministrja Denaj inspekton punimet për projektin e banesave sociale në bashkinë e Patosit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me kryetaren e bashkisë së Patosit, znj. Rajmonda Balilaj, dhe deputeten e zonës, inspektuan ecurinë e punimeve për projektin banesave sociale në bashkinë e Patosit.

Projekti parashikon përshtatjen e godinës “Ish-Qendra e Kualifikimit”, në pronësi të bashkisë së Patosit, në banesa sociale për familjet në nevojë, falë fondit prej 18,568,986 lekë dhënë për bashkinë Patos nga Buxheti i shtetit për vitin 2018.

Në këto banesa sociale do të strehohen 16 familje në nevojë, 14 nga komuniteti egjyptian dhe dy nga grupi “gra kryefamilje”, të cilat janë në vështirësi sociale dhe ekonomike.

Ministrja Denaj vlerësoi se ky është një investim i rëndësishëm për strehimin social në bashkinë e Patosit dhe tha se zbatimi i programeve të strehimit social është i shtrirë në të gjitha rajonet e vendit, ndërsa garantoi pushtetin vendor lidhur me mbështetjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për strehimin social.

Buxheti i shtetit për programet e strehimit është 730 milionë lekë për vitin 2019, 33% më shumë se sa viti 2018, kur ky buxhet ishte 550 milionë lekë në vitin 2018, Vetëm qarku i Fierit ka përfituar 50 milionë lekë për strehimin social në vitin 2018.

“Janë investime që rehabilitojnë godina të amortizuara në ndihmë të qytetarëve, shtresave shoqërore që kanë nevojë për strehim. E rëndësishme është të kemi një plan të qartë dhe të kemi dhe një shtrirje në kohë, sepse është një nismë e qeverisë shqiptare në të gjithë bashkitë e Shqipërisë dhe kuptohet në bashkitë më të vogla kjo krijon impakt më të madh dhe e kemi të nevojshme që të japim atë. Kjo është një qasje proaktive e qeverisë për të ndihmuar të gjitha shtresat, në disa elementë të nxitjes së politikave, jo vetëm ato të strehimit, por edhe politika të tjera, si politikat e kredive të buta, etj. Mendojmë që është një përpjekje shumë pozitive, e cila në dy deri në tre vitet e ardhshme do të na vendosë përpara një situate ku shtresat në nevojë të kenë një zgjidhje dhe këto godina të marrin një ridimensionim tjetër, pasi janë drejt amortizimit dhe nëse ne do t’i linim të papërdorura nuk do të kishin vlerën e tyre”, u shpreh znj. Denaj.

Nga ana e saj, kryetarja e bashkisë, znj. Rajmonda Balilaj vlerësoi mbështetjen e dhënë nga qeveria për zbatimin e projektin në fjalë dhe theksoi se aktualisht po punohet për projekte të tjera për strehimin social në bashkinë e Patosit.

Ministrja Denaj theksoi rëndësinë e një analize të saktë mbi nevojat për strehimin, në mënyrë që të bëhet një bashkërendim i planeve buxhetore dhe nëpërmjet tyre të ndihmohen të gjitha bashkitë.