Postuar më: 27/02/2019

Ministrja Denaj inspekton Doganën e Durrësit

Reformat e ndërmarra vitet e fundit për thjeshtimin e procedurave kanë ndikuar në përmirësimin e klimës dhe rritjen e besueshmerisë së biznesit në vend.  Në këtë kuadër, Administrata Doganore Shqiptare ka thjeshtuar mjaft procedura dhe eleminuar barriera për sipërmarrjet shqiptare dhe ato kosovare.

Gjatë një inspektimi në Degën doganore të Durrësit, Ministrja Anila Denaj u shpreh se shërbimi ndaj biznesit dhe qytetarëve është qëllimi kryesor, por i rëndësishëm është dhe realizimi i objektivave tona në luftën ndaj informalitetit.

“Për mua si ministre por besoj për të gjithë stafin është shumë e rëndësishme që ne të shprehemi konsentivë në luftën kundër informalitetit. Është shumë e rëndësishme që pika të caktuara doganore ta marrin këtë si rol më të shtuar se disa pika të tjera, sepse jo të gjithë kanë të njëjtin risk kur vjen çështja e trajtimit të disa elementëve për të luftuar informalitetin, për të luftuar korrupsionin dhe trafiqet, dhe kjo është një njësi e cila e ka elementin e rëndësisë ndër më të lartat në gjithë sistemin doganor. Unë jam shumë e kënaqur që e nisa vizitën time nga kjo pikë, pasi është shumë e rëndësishme të japim mesazhin, ku le të themi objektivi  punës është i rëndësishëm për DPD dhe të gjithë ministrinë, prandaj dhe është përgjegjshmëri shumë e lartë nga ana juaj për ta realizuar atë me përpikmëri dhe këto elementët e shtuar të aspektit lokal në aspekt të riskut janë të domosdoshëm. Ato duhet të faktorizohen, të marrin një peshë edhe më të madhe. Unë nuk jap receta se si modeli i riskut duhet të aplikohet, janë besoj të gjithë strukturat në drejtorinë e përgjithshme, por në vijim të saj që thatë ju, unë e përforcoj dhe një “know-How” lokal është shumë i rëndësishëm.

Prandaj ju kërkoj vërtet ta shikoni si një pjesë të përgjegjshmërisë suaj edhe më të lartë se sa në pikat e tjera. Së bashku me drejtuesit mendoj se ne duhet të rishikojmë, nëse ka nevojë, në mëyrë periodike elementët e riskut, dhe për t’i dhënë peshën e rëndësishme aspektit lokal, pasi është e nevojshme të japim mesazhet e qarta dhe për subjektet, jo me nevojën për të rritur inspektimet për një subjekt, por për të qenë efektivë në inspektimin që bëjmë dhe të jemi realist në daljen e përfundimeve të këtyre inspektimeve”, tha Ministrja Denaj.

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Belinda Ikonomi, e cila e shoqëronte Ministren, u shpreh, se tashmë  po synohet drejt eleminimit sa më shumë të kohës së qëndrimit dhe kontrolleve fizike të bizneseve në Doganë.

Sipas Ikonomit, kanali jeshil, bëhet fjalë për subjekte që janë të sigurta, ndërsa kanali blu do të thotë që janë subjekte për të cilat kërkohet të bëhen kontroll dokumentar, por më pas largohen. Pra nuk përbëjnë risk, është thjesht kontroll dokumentar lidhur me mënyrën e vlerësimit. “Pra, ne bëjmë një kategori që quhet e sigurt nga pikëpamja doganore, ndërsa diferenca është kontrolli dokumentar. Objektivi ynë është që në kuadër të lehtësimit dhe të thjeshtimit të procedurave për biznesin të arrijmë të dyfishojmë përqindjen e kanalit blu dhe kanalit jeshil, pra nga 15 % të shkojë në 30 %, pasi kjo ndikon ndjeshëm në uljen dhe reduktimin e kohës për procesimin e deklaratave, dhe padyshim na fokuson më shumë aty ku duhet të jemi të fokusuar, në mënyrë që të bëjmë më pak kontrolle, dhe më shumë efektivitet”, vlerësoi Ikonomi.

Gjatë këtij inspektimi, Ministrja Denaj vizitoi  dhe Zyrën e Doganës së Kosovës në Durrës, e cila tashmë prej dy muajsh është prezente në ndihmë të biznesit Kosovar në procesin e tranzitit, një funksion që ka lehtësuar mjaft sipërmarrjen. “Me hapjen e kësaj dege ne tashmë kemi bërë  të prekshëm vullnetin politik të dy qeverive, çka sipërmarrja po e ndjen çdo ditë e më shumë”, tha Ministrja.

Aktualisht Dega Doganore e Durrësit është më e madhja në vend nga ku kryhet hyrja më e madhe e mallrave të importit, jo vetëm drejt vendit tonë, por edhe për fqinjët si Kosova apo Maqedonia. Të ardhurat nga kjo degë doganore përbëjnë  rreth 40 % të të ardhurave totale të administratës doganore.