Postuar më: 03/10/2019

Ministrja Denaj: Gjermania, 2 milionë euro për mbështetjen e negociatatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për Bashkëpunimin Teknik 2018 për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik”.

Objektivi kryesor i marrëveshjes, tha Ministrja, është fuqizimi i institucioneve shqiptare në terma kompetencash në kuadër të negociimit dhe bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Ky financim sjell një gërshetim të kontributit financiar, shërbimeve të ekspertizës dhe mbështetje në hartimin e dokumentave kyc, në vlerën e dy milion euro. Projekti do të ketë një kohëzgjatje prej 3 vitesh. Financimi i vënë në dispozicion të MFE nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë do të mbulojë 6 Kapitujt që mbulojnë fushën e ekonomisë në kuadrin e Acquis të BE-së”, sqaroi znj. Denaj.

Ministrja informoi se për arritjen e objektivave të Marrëveshjes dhe brenda fokusit të Aderimit në BE, projekti pritet të japë rezultate në tri fusha komplementare veprimi: zhvillimin e kapaciteteve dhe i metodologjive; parapërgatitjen për të adresuar kushtet potenciale për hapjen/mbylljen e negociatave në kapituj të caktuar (opening/closing benchmarks); përfshirjen e shoqërisë civile.

Po ashtu, Ministrja theksoi se “nevoja për përafrimin e duhur të legjislacionit, krijimi i dokumentave strategjikë dhe i një kuadri korrekt të zbatimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian, janë aspekte thelbësore të zhvillimit social dhe ekonomik në të ardhmen e afërt të vendit”.

 

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar Qytetarë,

Projektligji i radhës, që prezantohet përpara jush,  është Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për Bashkëpunimin Teknik 2018 për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik”.

Kjo marrëveshje bazohet në marrëveshjen bazë të bashkëpunimit teknik mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë të vitit 1988 dhe propozohet në këtë Seancë në përputhje me angazhimin e përbashkët të Qeverisë, Kuvendit dhe partnerëve ndërkombëtar për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Objektivi kryesor i marrëveshjes është fuqizimi i institucioneve shqiptare në terma kompetencash në kuadër të negociimit dhe bisedimeve për anëtarësim në BE.

Ky financim sjell një gërshetim të kontributit financiar, shërbimeve të ekspertizës dhe mbështetje në hartimin e dokumentave kyc, në vlerën e 2.000.000,00 Euro (me fjalë: dy milion euro), në një kohëzgjatje 3-vjeçare.

Financimi i vënë në dispozicion të MFE nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë do të mbulojë 6 Kapitujt që mbulojnë fushën e ekonomisë në kuadrin e Acquis të BE-së.

Për arritjen e objektivave të Marrëveshjes dhe brenda fokusit të Aderimit në BE, projekti pritet të japë rezultate në tri fusha komplementare veprimi:

  1. Zhvillimi i kapaciteteve dhe i metodologjive: në këtë fushë projekti pritet të japë mbështetje për pajisjen e anëtarëve të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës, që janë struktura kyce në procesin paraprak të vlerësimit dhe rishikimin e legjislacionit.
  2. Parapërgatitje për të adresuar kushtet potenciale për hapjen/mbylljen e negociatave ne kapituj të caktuar (opening/closing benchmarks): në këtë fushë pritet të jepet mbështetje për përgatitjen e dokumenteve strategjike dhe plane veprimi, të shoqëruara me masa për zhvillimin e kapaciteteve personale në hartimin e tyre.
  3. Përfshirja e shoqërisë civile: në këtë fushë pritet të jepet mbështetje për identifikimin e aktorëve relevantë të shoqërisë civile sipas fushave të caktuara dhe përfshirja efektive e tyre në përgatitjet për bisedimet e anëtarësimit.

Në 2019, Qeveria Shqiptare dhe MFE përfundojnë fazën e parë të takimeve shpjeguese me Bashkimin Evropian në kuadër të procesit fillestar të vlerësimit dhe nevojës për përafrim të legjislacionit.

Ky është momenti i angazhimit substancial të Institucioneve Qendrore në realizimin e analizave të Dokumenteve Teknike në kuadër të procesit.

Më tej është momenti kur mbështetja e aleatëve tanë është e domosdoshme në identifikimin e çështjeve për trajtim, përafrimit ligjor dhe sigurimit të zbatueshmërisë së risive ligjore në kuadër të integrimit.

Në mbyllje, më lejoni të theksoj se nevoja për përafrimin e duhur të legjislacionit, krijimi i dokumentave strategjikë dhe i një kuadri korrekt të zbatimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian janë aspekte thelbësore të zhvillimit social dhe ekonomik në vendin tonë.

Ju faleminderit!